Optimizëm për ligjin për sigurime

QKUK

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë deklarojnë se në vitin 2012 në Kosovë do të fillojë të zbatohet ligji për sigurimet shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në javën e parë të tetorit, projektligjet pritet të miratohen në Kuvendin e Kosovës, derisa siç thotë ai, zbatimi i tij do të fillojë të implementohet me 1 korrik të vitit të ardhshëm.

Ministria e Shëndetësisë është në fazën përfundimtare të paraqitjes së ligjeve për sigurime shëndetësore dhe shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, për miratim dhe procedim në Kuvendin e Kosovës”, shprehet Agani.

Nga ana tjetër, njohësit e sistemit të shëndetësisë nga partitë politike opozitare janë shprehur skeptikë se ligji për sigurimet shëndetësore do të mund të jetësohet, pasi që siç deklarojnë ata, ai ligji në fjalë ka shumë mangësi.

Luan Jaha nga departamenti për shëndetësi i në AAK-së, thotë se në draft-ligjin aktual për sigurime shëndetësore mungojnë shumë gjëra të rëndësishme.

Ai përmend disa nga elemente që i mungojnë ligjit.

Mund të marrim me mend se edhe sa kohë e gjatë do të kalojë deri sa të vijnë edhe ligjet e tjera.
Kemi shumë gjëra që mendojmë se ka vërejtje. Problemi më i madh është që shumë gjëra që janë substanciale, se si do të funksionojë QKUK-ja dhe qendrat e mjekësisë familjare, nuk definohen me ligj, por lihen të rregullohen me akte nënligjore. Mund të marrim me mend se edhe sa kohë e gjatë do të kalojë deri sa të vijnë edhe ligjet e tjera”, thotë ai.

Por ministri Agani mendon se kritikat e opozitës janë të pabazuara dhe i quan më shumë politike, sesa që ato reflektojnë zhvillimin aktual të ngjarjeve në terren.

Andaj kritikat të cilat vinë nga opozita janë më tepër kritika që janë të pabazuara dhe janë më tepër politike dhe se kanë synime politike më shumë sesa reflektojnë zhvillimin aktual të ngjarjeve në terren”, thotë Agani.

Por sipas zotit Jaha, vonesat për ta dërguar projektligjin në Kuvendin e Kosovës janë të tepërta.

Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin që të presë gjatë për miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore, pasi që gjendja në shëndetësi është shumë e rëndë.

E ministri Agani, vonesën e shkaktuar prej 3 muajsh për procedim të ligjit për sigurime shëndetësore në Kuvendin e Kosovës, e arsyeton me kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që çdo projektligj me implikime financiare, fillimisht të dakordohet me Bankën Botërore.

Vonesa 3 mujore që është shkaktuar me kërkesën e FMN-së, që çdo projektligj me implikime financiare fillimisht të dakordohet me bankën botërore, po flas për lëminë e shëndetësisë, është tejkaluar me marrëveshje të plotë që MSH-ja e ka arritur me Bankën Botërore përkitazi me themelimin e sigurimeve publike shëndetësore në vend. Kjo është një arritje e madhe për Kosovën, është hera e parë pas 12 viteve që në Kosovë është marrë leja nga organet kompetente ndërkombëtare për sigurimin e shërbimeve publike shëndetësore, dhe me këtë i është hapur rruga një reforme të sistemit shëndetësor të vendit”, thekson Agani.

Ndërkaq qytetarët mendojnë se ligji për sigurime shëndetësore është shumë i nevojshëm.

Saranda Gajtani, qytetare, mendon se çdo qytetar e pret me padurim miratimin e këtyre ligjeve, duke marrë parasysh gjendjen reale në shëndetësinë kosovare.

Ligji për sigurime shëndetësore është më se i nevojshëm. Madje unë mendoj se Qeveria e Kosovës është vonuar në këtë aspekt. Qytetarët mezi po e presin miratimin e tij. Duke filluar prej kontrolleve e deri te terapia janë shumë të kushtueshme. Mendoj se miratimi i ligjit do t’i ndihmonte shumë qytetarët, e sidomos shtresës së varfër, duke e marrë parasysh gjendjen në terren se sa e kushtueshme është”, thotë ajo.