Ekipe të përziera të doganierëve dhe policëve të Kosovës dhe EULEX-it janë dërguar me helikopterë të KFOR-it në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, të mbështetur edhe nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, këto masa synojnë vendosjen e rendit në doganat në kufi me Serbinë dhe funksionalizimin gradual të tyre.
Në një njoftim para kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi tha se operacioni për dërgimin e doganierëve dhe policëve kufitarë vendas e ndërkombëtarë në pikat 1 dhe 31, ka kaluar sipas parashikimeve. Ai u zotuar se këto pika do të funksionalizohen dhe punojnë si edhe pikat tjera kufitare.
“Procesi i implementimit të planit operacional ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës, së bashku me atë të EUELX-it dhe KFOR-in, tashmë janë në dy pikat kufitare”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Thaçi i bëri thirrje Serbisë që të heqë dorë nga politika destruktive dhe të pranojë vendosjen e raporteve fqinjësore me shtetin e Kosovës.
Ai i ftoi serbët që të mos i përkrahin strukturat, të cilat po vendosin barrikada nëpër rrugët në komunat veriore të Kosovës, duke i siguruar ata se plani i qeverisë nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka si qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit në portat kufitare.
“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj Beogradin që përfundimisht të heqë dorë nga përpjekjet dëshpëruese për të destabilizuar rajonin dhe të pranojë njëherë e përgjithmonë se Kosova është e pavarur, sovrane, një dhe e pandarë”, tha Thaçi.
Zbatimi i këtij plani po realizohet nën masa të rrepta të sigurisë. Ai po përcillet me kundërshtime, por edhe kërcënime të ashpra të Beogradit dhe strukturave paralele serbe në veri.
Megjithatë, plani do të zbatohet dhe nuk do të ketë kthim prapa, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
“Logjika jonë do të jetë vendosja e pikave doganore dhe më pastaj, brenda territorit të Kosovës, edhe ajo pjesë të jetë sikurse të gjitha pjesët tjera të vendit. Logjika e bllokimit të rrugëve nuk do të fitojë, do të ketë veprime në vazhdim për zhbllokimin e rrugëve”, tha Kuçi.
Me masat e Qeverisë së Kosovës nuk pajtohet Beogradi zyrtar. Kryenegociatori serb në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq, kërkoi që për pikat kufitare 1 dhe 31 të vlejë plani 6-pikësh i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.
“Ne do të propozojmë që vendkalimet në Jarinë dhe Bërnjak të trajtohen sipas planit 6-pikësh të sekretarit Ban Ki-mun”, tha Stefanoviq.
Sipas tij, këto dy pika kufitare janë të veçanta dhe kështu duhet të mbeten. Një qëndrim i tillë, sipas Stefanoviqit, nuk nënkupton interesimin e Serbisë vetëm për veriun e Kosovës. Ai tha se portat 1 dhe 31 duhet të kenë status të veçantë si dhe regjim të veçantë doganor.
Por, plani 6-pikësh i sekretarit Ban, siç dihet, ishte refuzuar nga institucionet e Kosovës.
Masat e ndërmarra në veri janë përkrahur nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo parti politike ka shprehur mbështetjen për veprimet e institucioneve të Kosovës dhe të pranisë ndërkombëtare për vënien nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit.
“LDK kërkon nga këto institucione që veprimet të jenë të koordinuara mirë dhe të shoqëruara me vendosmëri”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
E njëjta vlerëson se veprimet duhet të shtrihen në tërë pjesën veriore të vendit, me qëllim të vënies së sundimit të ligjit, të garantimit të lëvizjes së lirë dhe të kthimit të jetës normale për të gjithë qytetarët.
Your browser doesn’t support HTML5