Asgjësimi i barnave - së shpejti

Ilustrim

Që nga viti 1999, në Kosovë ka hyrë një sasi e konsiderueshme barnash me afat të skaduar, si donacione dhe në forma të tjera.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, ky ka qenë njëri nga problemet më të mëdha, me të cilat është ballafaquar Ministria e Shëndetësisë.

Por tani asgjësimi i barnave do të bëhet i mundur në saje të tenderit, që ka shpallur Ministria e Shëndetësisë, për përzgjedhjen e një kompanie.

Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë thotë për Radion Evropa e Lirë se do të asgjësohen 200 tonë barna me afat të skaduar, gjë që do të kushtojë rreth 500 mijë euro.

Ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë me kompani, dhe së shpejti do të fillojë asgjësimi i barnave që janë grumbulluar që nga viti 1999 e këndej.
Ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë me kompani, dhe së shpejti do të fillojë asgjësimi i barnave që janë grumbulluar që nga viti 1999 e këndej. Llogaritet që do të jenë rreth 200 tonë, edhe pse një sasi e konsiderueshme është asgjësuar”, shprehet ai.

Sipas Hotit, tenderin për asgjësimin e barnave me afat të skaduar e ka fituar kompania “KMI Drenas”.

Kontrata që do të lidhë Ministria e Shëndetësisë me këtë kompani, do të jetë me kohëzgjatje 70 ditë, kohë kjo e paraparë për shkatërrimin e gjithë materialit dhe barnave me afat të skaduar.

Ndërkohë, çmimi për 1 kilogram të materialit të shkatërruar do të jetë 3.4 euro.

Parashihen që të jenë tri faza të shkatërrimit të barnave dhe prej nisjes së shkatërrimit , brenda 70 ditëve pritet të përfundojë asgjësimi i tyre”, bën të ditur Hoti.

Sa i përket këtyre barnave, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, para asgjësimit është kërkuar të bëhet regjistrimi i të gjitha materialeve dhe barnave me afat të skaduar.

Sipas Hotit, kompania fituese është dashur të dëshmojë se asgjësimi i materialit medicinal do të bëhet sipas standardeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ 12/2008, të aprovuar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor( MAPH).

Gjithashtu kjo kompani duhet t’iu përmbahet udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për shkatërrim të sigurt të produkteve farmaceutike.

E Arian Lleshi, nga kompani “KMI Drenas”, thotë se kompania në fjalë i ka përmbushur gjitha kriteret e parapara ligjore.

Sipas tij, tashmë kanë nënshkruar kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe javën e ardhshme do të fillojë puna sa i përket asgjësimit të barnave.

Sa i përket çështjeve teknike, kompania jonë i plotëson gjitha kushtet për asgjësimin e barnave me djegie.
E kemi nënshkruar kontratën, dhe e gjithë puna do të monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i përket çështjeve teknike, kompania jonë i plotëson gjitha kushtet për asgjësimin e barnave me djegie”, thotë Lleshi.

Ndërkaq, Time Kadriaj, nënkryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, e quan absurd faktin se në Kosovë ka sasi të mëdha të barnave me afat të skaduar, ndërsa në institucionet shëndetësore mungojnë barna nga lista esenciale.

Sipas saj, qëndrimi i këtyre barnave në depo pa u bërë asgjësimi i tyre, ka qenë dëm i dyfishtë.

Ka qenë një dëm i dyfishtë sepse Ministria e Shëndetësisë paguan edhe për depot e mazgitit, për qëndrimin e këtyre barnave me afat të skaduar, e mos të flasim për shumën e këtyre barnave që janë me afat të skaduar”, thekson Kadriaj.

Sa i përket asgjësimit të barnave, Kosova nuk ka pasur asnjëherë furra adekuate për një gjë të tillë.

Prandaj, që nga viti 1999, në depot e Ministrisë së Shëndetësisë janë grumbulluar tonelata barna me afat të skaduar.