Jo përtej Planit Ahtisari!

Mitrovicë

Opozita kosovare kundërshton mundësinë që në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit të diskutohen ide të ndryshme për veriun e Kosovës, të cilat do të shkonin përtej Planit të Ahtisarit. Zbatimi eventual i ideve të tilla hidhet poshtë edhe në Zyrën Civile Ndërkombëtare.


Pavarësisht shtimit të zërave që flasin për një status special, një autonomi apo një të ashtuquajtur “Ahtisari plus” për veriun e Kosovës, për Zyrën Civile Ndërkombëtare plani për pavarësi të mbikëqyrur i të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, mbetet aktualisht dokumenti i vetëm i vlefshëm.

Përfaqësues të këtij mekanizmi i thanë Radios Evropa e Lirë se do të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e këtij plani edhe në veri të Mitrovicës, ndërsa i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i bindin serbët e asaj zone se e ardhmja e tyre gjendet në kuadër të sistemit shtetëror të vendit.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, tha se pala serbe dhe ajo kosovare mund t’i zgjidhin problemet ekzistuese ndërmjet vete në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, por se Zyra Civile Ndërkombëtare do të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin që ia jep Grupi Drejtues Ndërkombëtar.

“Ekziston dialogu i lehtësuar nga BE-ja ku Beogradi dhe Prishtina mund të punojnë për të identifikuar fushat e interesit të dyanshëm, për të cilat mund të pajtohen, por ne jemi të përqendruar në mandatin tonë”, u shpreh ai.

Mekgafi ritheksoi qëndrimin e ISG-së në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës. Ai tha se statusi i Kosovës është çështje e mbyllur për ICO-në dhe se ndarja e vendit mbetet ide e papranueshme.

Një qëndrim të ngjashëm e kanë dhënë, deri më tani, edhe autoritetet kosovare. Në deklaratat e deritashme të zyrtarëve të lartë shtetërorë është thënë se me Beogradin nuk do të bisedohet asnjëherë për ndarjen e Kosovës.

Mirëpo, partitë opozitare shfaqën dyshimin për ekzistimin e planeve që flasin për një status special për veriun e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti i kësaj partie, Burim Ramadani, theksoi rëndësinë për krijimin e një plani konkret të ekzekutivit vendor lidhur me pjesën veriore të vendit.

Zhvillimi i bisedimeve për veriun, sipas tij, është i dëmshëm për funksionimin e shtetit të Kosovës.

“Ne konsiderojmë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë që të bisedojë për veriun; të mos futet në negociata me Serbinë në këtë proces të Brukselit për çështjen e veriut, sepse veriu është çështje e brendshme e Kosovës”.
...çfarëdo statusi tjetër jashtë Ahtisarit e bën më të brishtë shtetin e Kosovës.

“Mendojmë se çfarëdo statusi tjetër jashtë Ahtisarit e bën më të brishtë shtetin e Kosovës dhe nuk e bën funksional shtetin e Kosovës - jo vetëm tash, por edhe në vitet e ardhshme”, tha Ramadani.

Insistimi i Beogradit për ndarjen e veriut, sipas analistit Halil Matoshi, do të zbehet në muajt e ardhshëm, por jo dhe idetë për një autonomi për komunat në veri të Mitrovicës.

“Do të ketë presione ndaj Beogradit dhe Beogradi do të heqë dorë nga ndarja e Kosovës, mirëpo nuk do të heqë dorë kurrsesi nga shfrytëzimi i mungesës së operimit në terren të institucioneve të Kosovës atje, për të nxjerrë një autonomi për ato katër komuna, duke përfshirë edhe komunën e Mitrovicës së Veriut”, vlerësoi Matoshi.