Berlini mbështet tërësinë territoriale të Kosovës

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Prishtinë, 11 gusht 2011.

Harta e Evropës Juglindore është vizatuar. Çështjet e statusit dhe të territoreve në rajonin e Ballkanit janë zgjidhur përfundimisht, tha në Prishtinë, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Gido Vestervelle. Pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve vendore, shefi i diplomacisë gjermane foli për mbështetjen e integritetit territorial të Kosovës dhe përpjekjet e Berlinit zyrtar për t’i bindur shtet evropiane që s’e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.


Ministri i jashtëm gjerman, Gido Vestervelle, tha se integriteti territorial i Kosovës është çështje e padiskutueshme për Gjermaninë, ndërsa theksoi rëndësinë që problemet ekzistuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit të gjenden në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Vestervelle tha se harta e Evropës Juglindore është vizatuar dhe se çështjet e statusit dhe të territoreve në rajonin e Ballkanit janë zgjidhur përfundimisht.

Shefi i diplomacisë gjermane foli për rëndësinë e respektimit të kufijve të shteteve në rajonin e Ballkanit.

Ne mendojmë se dialogu është i nevojshëm. Ne mendojmë se bashkëpunimi, në vend të konfrontimit, duhet të jetë fondamental për çdo proces në rajon, por kjo nënkupton që çdokush t’i respektojë kufijtë”, u shpreh Vestervelle pas takimeve që zhvilloi gjatë paradites me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenten Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit theksoi rëndësinë që Kosova të ketë një, siç tha ajo, rrugë të pakthyeshme të integrimit evropian dhe marrëdhënie kontraktuale me BE-në, me qëllim të thellimit të reformave të brendshme dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur kryediplomatin gjerman, Guido Vestervelle.
Nuk ka zgjidhje tjetër përveç sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk do të mbështetet ndarja e Kosovës ose ri-aranzhimet e brendshme të vendit tonë”, citohet të ketë thënë Jahjaga në takimin me ministrin gjerman.

Duke folur për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, Vestervelle tha se ka përfunduar koha e luftërave dhe konflikteve etnike në Ballkan, dhe se paqja e qëndrueshme në rajon është çështje që u takon të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Mirëpo, përmbushja e kritereve evropiane dhe zgjidhja e çështjeve që kanë këtë qëllim, sipas Vestervelles, nuk mund të realizohen përmes hapave të njëanshëm.

Ne duam që shtetet e rajonit ta kenë një perspektive evropiane. Mirëpo, kjo do të thotë gjithashtu se nuk janë të dobishëm hapat e njëanshëm, por se duhet të zgjidhen dhe të shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit. Bashkëpunim në vend të konfrontimit-ky është udhërrëfyesi i Bashkimit Evropian”, vlerësoi ai.

Ndonëse bëri të ditur se mesazhin e njëjtë pritet t’ia bëjë të qartë Beogradit zyrtar kancelarja gjermane, Angela Merkel, Vestervelle nuk deshi të japë detaje për parakushtet eventuale të cilat do t’i viheshin Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi rajonal, sipas kryeministrit Thaçi, mbetet në radhët e prioriteteve të institucioneve kosovare në procesin e integrimit evropian.

Ne do t’i kryejmë obligimet dhe përgjegjësitë që i kemi për reforma demokratike në mënyrë që të fitojmë procesin e liberalizimit të vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe ato tregtare”, tha kreu i ekzekutivit kosovar.