Kërkohet ndryshim i politikave fiskale

Ilustrim

Komuniteti i biznesit ka kërkuar nga institucionet qeveritare që të shikojnë mundësitë për ndryshimin e politikave fiskale, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e veprimtarive të tyre. Autoritete përgjegjëse kanë premtuar marrjen e masave të reja, por vetëm në fillim të vitit 2012.


Që nga fillimi i zbatimit të masave reciproke për produktet e Serbisë, kontrabanda në pjesën veriore të Kosovës është zvogëluar dukshëm apo është ndërprerë krejtësisht, tha ministri i Financave, Bedri Hamza.

Kjo sigurisht që do të ketë efekt pozitiv edhe për prodhuesit vendorë, por edhe për të gjitha ndërmarrjet që janë të interesuara për konkurrencë legale. Kjo do të reflektojë edhe në ngritjen e të hyrave për buxhetin e Kosovës”, tha ai, pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Odën Ekonomike të Kosovës.

Me këtë rast, afaristët kosovarë u kanë propozuar autoriteteve kompetente që t’i ndryshojnë politikat fiskale, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e veprimtarive të tyre.

Në këtë situatë, sipas tyre, është e nevojshme ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe heqja e taksës doganore për lëndën e parë.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, tha se krahas masave reciproke që tashmë kanë filluar të zbatohen për produktet e Serbisë, autoritetet kompetente duhet të krijojnë politika zhvillimore që janë të orientuara në funksion të zhvillimit të sektorit privat dhe atij prodhues.

“Me këto politika do të përmirësohet dukshëm ambienti biznesor në Kosovë, i cili do të ketë efekte pozitive si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”.

“Në aspektin e brendshëm do të krijohet një mundësi për hapje të reja të vendeve të punës dhe minimizim të tensioneve sociale. Në të njëjtën kohë, ambienti biznesor vendor do të jetë më atraktiv”,
u shpreh Gërxhaliu.


Edhe Ismet Bojku, përfaqësues i kompanisë “Devolli Group”, kërkoi nga qeveria ndryshim në politikat fiskale, në mënyrë që, siç tha ai, prodhuesit kosovarë të jenë të barabartë me prodhuesit e vendeve rajonale.

“Me një mbrojtje, me një përkrahje institucionale ne mund ta marrim veten, mund të furnizojmë konsumin e Kosovës deri në 80 për qind. Prandaj, me një përkrahje të bizneseve, qeveria e përkrah edhe veten, me mbushjen e buxhetit”, tha Bojku.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, i premtoi komunitetit të biznesit se do të bëjë ndryshime në këto politika. Sipas tij, do të ketë përshkallëzim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar - tatim ky që do të paguhet varësisht prej llojit të produkteve.

Por, zbatimi i këtyre masave do të ndodhë vetëm në vitin e ardhshëm, tha ministri Hamza.

“Ne jemi në proces të ndryshimit dhe amendamentimit të ligjeve të caktuara. Disa janë pjesë e strategjisë legjislative për vitin 2011 dhe presim që të finalizohen deri në fillim të vitit 2012 . Mirëpo, në përgjithësi, presim që gjatë vitit 2012 të kompletohet kjo infrastrukturë ligjore, e cila mundëson aplikimin e këtyre masave lehtësuese për bizneset”, u shpreh Hamza.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, apo TVSH, është tatim mbi konsumin. Gjashtëmbëdhjetë për qind është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha mallrat në Kosovë, pa marrë parasysh origjinën tyre.