Prishtina e vendosur rreth veriut

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë një vizite që u ka bërë bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi kampit të Njësisë Speciale të Policisë Kosovës.



Autoritetet kosovare ritheksuan vendosmërinë për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa shprehën përkushtimin e tyre për dënimin e atyre që shkaktuan vdekjen e një polici dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë aksionit policor të 25 korrikut në veri.

Ata thanë se aksioni në fjalë do të pasojë me veprime të tjera në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kontrolli i kufijve është e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës, dhe kjo e drejtë do të zbatohet vendosmërisht në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Republika e Kosovës është më e vendosur se kurrë dhe në këtë e ka edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, që në të gjithë territorin e saj ta zbatojë rendin dhe ligjin dhe që njëherë e përgjithmonë të luftojë krimin e organizuar dhe të ndalë kontrabandën”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Kryeministri Thaçi i quajti legjitime veprimet e Qeverisë së Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, dhe marrja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai tha se që nga 25 korriku Kosova ka hapur një kapitull të ri, që siç tha ai, bazohet në respektimin e ligjit dhe të sovranitetit të plotë shtetëror në të gjithë territorin e vendit.

Kthim prapa nuk do të ketë; nuk do të zmbrapsemi. As de jure e as de fakto nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Për sigurinë e vendit tonë nuk do të bëjmë kompromis me askënd. Do të kemi ballafaqime të tjera me kontrabandistë të tjerë, me struktura paramilitare, me struktura paralele dhe njerëz që shkaktuan dhunën”, u shpreh ai.

Këto komente udhëheqësit e Kosovës i bënë gjatë një vizite bërë kampit të Njësisë Speciale të Policisë Kosovës, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Jahjaga dhe Thaçi e cilësuan të rëndësishëm rolin e policisë në mbikëqyrjen e kufirit dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Pas incidenteve të javës së kaluar në kufi me shtetin serb, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ishin kryesisht përgjegjës për menaxhimin e situatës atje.

Përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë, bënë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit të së hënës njësitet e KFOR-it kanë larguar tri bllokada rruge në rrugën kryesore në mes të Mitrovicës dhe Zubin Potokut- në rajonin e Zupçit.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Uihter, tha se kanë mbetur edhe disa bllokada të tjera në këtë rrugë, por se ato nuk pengojnë veprimet e KFOR-it.

Sa u përket atyre bllokadave të tjera të rrugëve ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit apo Leposaviqit, ato ende ekzistojnë me elemente radikale me kërkesa që duhet t’i marrim parasysh, por kjo nuk i pengon njësitet e KFOR-it ta kryejnë detyrën e tyre”, tha ai.

Kohëzgjatja e ekzistimit të këtyre bllokadave, sipas përfaqësuesve të serbëve të veriut, varet nga ecuria e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Një nga udhëheqësit e serbëve në veri, Radenko Nedeljkoviq, tha se bllokada e rrugës vlen vetëm për automjetet e KFOR-it, dhe se ajo mund të largohet varësisht rezultateve të takimit të së hënës ndërmjet shefit të delegacionit serb në bisedime, Borko Stefanoviq, dhe ndërmjetësuesit evropian, Robert Kuper.

Qëndrimi ynë është i qartë: ne kërkojmë që delegacioni ynë në bisedime të përfaqësojë kërkesat tona-pra, që situata të kthehet në gjendjen e mëparshme”, u shpreh Nedelkoviq.

Situata aktuale në veri të Mitrovicës ishte temë qendrore e një takimi urgjent të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Këshilli, ndër të tjera, u kërkoi agjencive shtetërore të sigurisë së vendit “që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës”.