Euro - monedhë përçarëse

Antonio Martino

Italia po përballet me krizën e saj të borxhit. Politikani dhe ekonomisti i shquar italian, Antonio Martino, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë flet për rrënjët e krizës dhe implikimet në eurozonë. Ai thotë se borxhi është trashëguar nga gabimet e së kaluarës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Martino, ju jeni një parlamentar, një ekonomist dhe ish-anëtar i dy qeverive të udhëhequra nga kryeministri Silvio Berluskoni. Kjo ju siguron juve një pamje të detajuar të rënies dhe rritjes së ekonomisë italiane për disa dekada. Si u bë që Italia, ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë, u përfshi në krizën fiskale sot?

ANTONIO MARTINO

Për t’i kuptuar problemet, ne duhet të kthehemi prapa në kohë. Në të kaluarën, pas luftës, Italia kishte një qeveri që pak a shumë e favorizonte tregun e lirë, që besonte në maturinë fiskale, që besonte se nuk duhej të mbitatoheshin njerëzit, dhe që besonte në mirëmbajtjen e buxhetit. Kjo funksionoi mirë deri në fillim të viteve 1960. Më 1961, raporti i borxhit ndaj GDP-së ishte 1.5 për qind.

Pas kësaj, arriti Keinis, nënkuptoj një version i shtrembëruar i teorisë së Keinesianizmit dhe shpenzimeve deficitare, dhe kjo u mbështet në një formë entuziaste nga e majta dhe qendra e majtë.

Ata thanë se ruajtja e buxhetit të balancuar ishte një ide arkaike, prandaj filluan të shpenzojnë më tepër sesa që mund të merrnin nga të hyrat. Deficiti filloi të rritej. Vetëm mendoni që në vitin 1980 borxhi ishte mbi 54 për qind më i madh në raport me GDP-në. Në vitin 1993, 14 vjet më vonë, ishte 123 për qind. Kështu që turbullirat financiare kanë një histori të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Italia, natyrisht tash po mbledh mendjen se si të reduktojë barrën masive të borxhit të Qeverisë, që sot është rreth 120 për qind të GDP-së. Në eurozonë, është e dyta pas Greqisë, e cila ka borxhin 160 për qind në raport me GDP-ne. Cilët janë hapat që Italia do të ndërmarrë për të dalë nga kriza?

ANTONIO MARTINO

Ne e kemi trashëguar këtë borxh enorm nga gabimet e së kaluarës. Por, nuk i kemi tejkaluar problemet në rrugën e duhur. Ekziston vetëm një mënyrë sipas pikëpamjes sime, që mund të dilet nga ky pështjellim dhe ky është privatizimi, liberalizimi, reduktimi i pronave shtetërore duke ia shitur ato sektorit privat, reforma radikale fiskale që lejon nxitjen e një pune të duhur, dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve.

Asnjë shtet që unë njoh, nuk ka pasur një përqindje të rritjes ekonomike, kur shpenzimet publike kalojnë 40 për qind të GDP-së. Sot, në sektorin publik italian ka shpenzime prej 51.2 për qind të GDP-së. Me këtë lloj të shpenzimeve nuk ka shans, nuk ka shpresë për rritje.

Për më tepër, ne kemi një sistem monstruoz të tatimeve, që ka interesa aq ndëshkuese, saqë shumë biznese të vogla po mbyllen. Dhe të gjitha këto taksa direkte mbi personat fizikë, mbi korporatat dhe aktivitete tjera, japin vetëm 14.6 për qind të GDP-së. Kjo, jo për shkak të evazionit, natyrisht që ka evazion fiskal, por kjo është vetëm për shkak se ka shmangie dhe erozion.
Shmangia dhe erozioni lejojnë të pasurit që të mos paguajnë taksa, kështu që ata që dëmtohen nga taksat nuk janë të pasurit, por ata që do të mund të bëheshin të pasur, por sistemi i pengon.

Ne duhet të ndalojmë me idenë se çdo gjë duhet të subvencionohet nga Qeveria. Tendosja për të shpenzuar është bizare në këtë shtet. Qyteti i Bolonjës i jep ndihmë Kubës. A është kjo ajo që duhet të bëjë një komunë?

RADIO EVROPA E LIRË
Italia, natyrisht është një nga disa vendet e eurozonës që gjen veten me nivele dërrmuese të borxhit të qeverisë. Në mes të vendeve tjera janë edhe Greqia, Portugalia, Irlanda dhe Spanja. Derisa eurozona po mundohet që të përballet kolektivisht me këto kriza, ekziston një tendosje e madhe drejt unitetit të zonës. A nuk është koha që të rimendohet për konceptin e një zone të vetme monetare?

ANTONIO MARTINO

Ajo që po ndodh është se ne kemi një sistem që përfshin në monedhën e njëjtë shtete që janë të ndryshme nga njëra- tjetra. Nëse shikon përvojën monetare në mes të Belgjikës dhe Luksemburgut, janë dy shtete të ngjashme dhe të vogla. Ato kanë qeveri të pavarura, prandaj politikat e tyre fiskale janë të pavarura, por kanë monedhën e njëjtë.

Fakti që Belgjika ka deficit të madh dhe borxh enorm, ndërsa Luksemburgu jo, bëri presion mbi monedhën e përbashkët saqë unioni monetar gati sa s’dështoi. Tash, nëse kjo ndodh në mes të dy shteteve të ngjashme, si Belgjika e Luksemburgu, imagjinoni se çka mund të ndodhë në mes të Greqisë dhe Gjermanisë, apo Portugalisë e Francës.

Traktati i Mastrihtit, për ata që nuk iu binden parametrave, parasheh dënime. Por, nëse shtete si Greqia nuk mund ta paguajnë borxhin e vet, nuk mund të blejnë blerës për borxhin e vet, a i ndihmon atij shteti duke e gjobitur?

Mendoj se tërë rrëfimi duhet të rimendohet. Ata mund të rimarrin sovranitetin kombëtar, mund të ta marrin monedhën e vet, që është më pak e dhimbshme sesa t’i ulin rrogat e çmimet në tërë shtetin. Është më lehtë për qenin që ta tundë bishtin, sesa për bishtin që ta tundë qenin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi folur se si tendencat e krizës fiskale mund të ndajnë eurozonën. Por, a nuk mund të ndodhë e kundërta, që të krijojnë unitet në eurozonë, ndoshta duke krijuar një administratë të vetëm fiskale për zonën?

ANTONIO MARTINO

Kjo është diçka, për të cilën dikush shpreson. Por, unë nuk mendoj kështu. Mendoj se monedha e përbashkët, me idenë se mund ta bashkojë Evropën më shumë se kurdoherë, do të jetë një faktor përçarës, sepse interesat e shteteve vihen kundër interesave të shteteve tjera.

Nëse është në interes të Gjermanisë që të ketë një politikë strikte monetare, ndërsa në interes të Francës që të ketë një politikë ekspansioniste, rezultati është ndarja, jo bashkimi.(a.i.)