NMV: Kushtet për Bashkimin Evropian?!

Fotografi ilustruese

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Kosovë duhet të plotësojnë dhjetë fusha veprimi për tu inkuadruar në Bashkimin Evropian. Lidhur më këtë, zyrtarë të qeverisë thonë se Kosova ka shënuar progres në këtë sektor. Ndërsa ekspertë për çështje ekonomike, theksojnë se ekzekutivi duhet të përmirësojë mjedisin ligjor, institucional dhe fiskal për zhvillimin e veprimtarive të këtyre ndërmarrjeve.


Autoritete kompetente në Kosovë janë duke u angazhuar vazhdimisht që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të plotësojnë kushtet bazë për inkuadrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Janë dhjetë fusha veprimi, nëpërmjet të cilave Akti Evropian për Biznese të Vogla, (AEBV) që është vazhdimësi e Kartës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, monitoron arritjet vjetore të vendeve anëtare të këtij akti, e në të cilën bën pjesë edhe Kosova.

Naser Graiçevci, drejtor i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, njëherit koordinator kombëtar për Kosovë i Aktit Evropian për Biznese të Vogla, pohon se më gjithë problemet ekzistuese në këtë sektor, Kosova ka shënuar progres.

Graiçevci, tregon se javën e kaluar në Kosovë ka qëndruar një mision vlerësues i Komisionit Evropian, i cili ka vlerësuar gjendjen e arritur në këtë fushë.

Ky mision vlerësues konstatoi se Kosova ka një progres të mirë. Në këtë drejtim Kosova ka një ecje përpara që është vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian, dhe që do të jetë pjesë e raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovë, në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tregon Graiçevci .

Megjithatë, ai thotë se ekzistojnë edhe disa sfida në përmbushjen e këtyre dhjetë fushave të veprimit, të cilat i ka vendosur Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuadër, problem paraqitet varshmëria e Kosovës nga importi i produkteve të huaja, ndërsa mallrat kosovare shumë pak eksportohen jashtë vendit.

Ku ndërmarrjet eksplorojnë mundësinë edhe të eksporteve dhe të importeve, brenda tregut evropian. Kjo është një fushë shumë sfiduese, për arsye se ndërmarrjet tona ende nuk kanë arritur atë nivelin e konkurrentshmërisë me ndërmarrjet evropiane dhe kjo është një problem. Por nuk është dekurajues shumë ky fakt, sepse ndërmarrjet tona gjithnjë e më shumë po ndërrojnë strukturën e ndërmarrëseve, pasi po vijnë ndërmarrës të rinj”, thekson Graiçevci.

Sidoqoftë, në Kosovë janë të regjistruara mbi 10.3000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërsa aktive janë mbi 60 mijë prej tyre, thotë Graiveci.

Sipas tij, mbi 99 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Kosovë, janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, kurse 98.37 për qind prej tyre janë mikro- ndërmarrje që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë.

Këto ndërmarrje jo rrallë herë nga ekspertët e ekonomisë, konsiderohen si shtylla kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.

Ymer Havolli, ekspert për këtë sektor, thekson se më gjithë problemet e shumta më të cilat ballafaqohet kjo fushë, autoritet kompetente duhet gjithsesi të plotësojnë kushtet bazë për inkuadrimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për inkuadrimin e tyre në Aktin Evropian për Biznese të Vogla.

Me qëllim që të nxisë zhvillimin afatgjatë dhe inkuadrimin e këtij sektori premtues në AEBV, Havolli, konsideron se ekzekutivi duhet të përmirësojë më tej mjedisin institucional, ligjor dhe fiskal për aktivitetin e tyre.

Kosova do të inkuadrohet, do të jetë pjesë e këtij akti Evropian dhe duhet që të insistojë për shkak se biznesi në Kosovë sot po punëson dhe krijon një vlerë mjaft të madhe të ardhurave dhe të punësimit. Për këtë, qeveria duhet që të jetë shumë e angazhuar që të krijojë këtë rrethinë të përshtatshme për bizneset çoftë brenda, çoftë jashtë”, shprehet Havolli.

Ndryshe, Karta Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla, që tashme quhet Akti Evropian për Biznese të Vogla, është një dokument strategjik, i cili aplikohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe synim parësor ka mbështetjen dhe inkurajimin e bizneseve të vogla.

Kosova ndërkaq, zotimet e veta për përmbushjen e këtyre obligimeve i ka bërë në qershor të vitit 2003 në Samitin e Selanikut, që është nënshkruar nga përfaqësues të administratës ndërkombëtare.