Bisedimet mund të ndërpriten

Dushan Janjiq, koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd

“Tani përballemi me një problem, nuk ka kohë, andaj mendoj se do të ketë një apo dy takime në korrik, pas kësaj do të jetë periudha e pushimeve, pas kësaj do të nisë fushata parazgjedhore në Serbi. Kam frikën se do të ndërpritet procesi”, i vlerësoi bisedimet Prishtinë-Beograd, koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, në një intervistë dhënë radios Evropa e Lirë. Ai theksoi se sa ka rëndësi që Bashkimi Evropian t’u bëjë presion palëve që të zbatojnë tri marrëveshjet e arritura dhe që të vazhdojnë dialogun me qëllim të përfundimit të një numri më të madh të marrëveshjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, javën e kaluar Prishtina dhe Beogradi arritën disa marrëveshje, që tani po quhen konkluzione, në kuadër të dialogut të cilin janë duke e zhvilluar që nga marsi. Cila nga palët do të përfitojë më shumë në këto marrëveshje apo konkluzione?

DUSHAN JANJIQ

Fillimisht mirëpres marrëveshjet apo sido që po quhen zyrtarisht, sepse është hera e parë brenda 20 viteve të fundit që janë bërë disa hapa të vegjël përpara, në përpjekje për të zgjidhur problemet të cilat prekin jetën e njerëzve të zakonshëm. Nga ky këndvështrim, mendoj se të dyja palët mund të jenë të kënaqura kur bëhet fjalë për marrëveshjen për liri të lëvizjes, për shembull, të cilat parashohin që me letërnjoftime dhe kartela të veçanta të kalohen kufijtë në mes të Kosovës e Serbisë.

Në rast se zbatohet kjo, shumë njerëz do të mund të shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes për pushimet e radhës, dhe për periudhën e ardhshme. Mendoj se kjo është shumë pozitive, ngase krijon një atmosferë tjetër nga ajo që ekzistonte më parë. Kur flasim për çështjet tjera, si për shembull, për kadastrën, nuk mund ta presim zbatimin e marrëveshjes për këtë, sepse situata në Serbi, në qeverinë dhe administratën serbe, nuk është aq e mirë, që do të thotë se kadastra nuk është e digjitalizuar dhe parimisht administrata është në fillim të procesit të ndërtimit të qeverisë elektronike.

Sidoqoftë, është mirë që njerëzit bëjnë marrëveshje. Problemi është se ata janë pajtuar vetëm për tri çështje. Në agjendën, e cila zyrtarisht nuk ekziston, ata kishin 22 çështje. Shtatë nga këto ishin afër arritjes së marrëveshjeve, por të dyja palët u pajtuan vetëm për tri. Tani përballemi me një problem, nuk ka kohë, andaj mendoj se do të ketë një apo dy takime në korrik, pas kësaj do të jetë periudha e pushimeve, pas kësaj do të nisë fushata parazgjedhore në Serbi, kam frikën se do të ndërpritet procesi. Problemi i dytë ka të bëjë me interpretimet e ndryshme të marrëveshjeve. Edita Tahiri, për shembull, insiston tepër në njohjen e Kosovës si shtet-motivi për këtë është që të tregohet se Kosova po pranohet nga Beogradi dhe se po negocion si palë, mirëpo kjo nuk nënkupton njohjen e shtetësisë.

Në anën tjetër, Beogradi, Borko Stefanoviq dhe presidenti Tadiq, po përpiqen të zvogëlojnë arritjet duke u dhënë hapësirë opozitarëve që po e kritikojnë fuqishëm Beogradin. Sido që të jetë, mendoj se këto qasje të ndryshme apo interpretimet e ndryshme politike, nuk po i bëjnë mirë vazhdimit të së ashtuquajturës qasje konstruktive. Sipas informatave të mia, letrat dhe topi janë tani te Komisioni Evropian. Mendoj se Kuper dhe njerëzit e tjerë, duhet të bëjnë disa hapa përpara duke qenë më pro-aktiv për t’i shtyrë të dyja palët që të arrijnë më shumë marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët Komisionin Evropian dhe faktin se ai do të duhej t’u bënte më shumë presion të dyja palëve. Por çfarë, në fakt, do të përfitojnë Prishtina dhe Beogradi nga dialogu kur bëhet fjalë për integrimin evropian?

DUSHAN JANJIQ
Ky është problemi, sepse zyrtarisht është thënë se po që se ka progres serioz në bisedime, Serbia do të merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndërsa Kosovës do t’i liberalizoheshin vizat. Por, asnjëherë nga Kuper dhe Komisioni Evropian nuk është qartësuar se çfarë nënkuptohet me progres, se cilat kritere apo masa duhet të zbatohen. Tani është koha që ata të tregojnë se sa çështje duhet të zgjidhen dhe se sa marrëveshje duhet të arrihen. Fleksibiliteti në këtë rast nuk është një qasje e mirë po që se nuk konkretizohet asgjë.

Kjo ishte politika evropiane nëse bazohemi në përvojën tonë nga e kaluara, por nuk ishte e suksesshme. Tani është koha të bëhet e qartë se ekzistojnë disa etapa: Ju duhet të përfundoni bisedimet mbi shtatë apo tetë apo dhjetë apo sado që jetë tema, e kur të arrini marrëveshje për këto, ju do të shpërbleheni - me ju e kam fjalën për Prishtinën dhe Beogradin. Kjo mendoj se do të funksiononte, sepse për momentin sikurse Prishtina ashtu dhe Beogradi janë me të vërtetë të gatshme për të bërë diçka, ato janë të interesuara ta marrin statusin e vendit kandidat dhe të hyjnë në liberalizimin e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, në Prishtinë këto marrëveshje thuhet se kanë dëmtuar shtetësinë e Kosovës. Cila është përshtypja mbi këto marrëveshje në Beograd, në shoqërinë civile por edhe në sferën me të gjerë politike?

DUSHAN JANJIQ
Ka interpretime të ndryshme nga kënde të ndryshme politike, por nuk e kam të qartë se për çfarë e kanë fjalën në Prishtinë kur flasin për shtetin. Mendoj se ekziston një lloj keqkuptimi historik. Posedimi i një shtet-kombi të fuqishëm dhe integrimi euro-atlantik nuk shkojnë bashkë. Shtet-kombet në Bashkimin Evropian e në NATO janë shtete të dobëta në disa elemente, ato nuk e kontrollojnë tërë territorin dhe nuk funksionojnë në aspektin e sovranitetit.

Kam frikën se shumë politikanë, përfshirë të rinjtë e Kosovës, kanë keqkuptuar konceptin e shtet-kombit në kuptimin modern evropian. I njëjti problem eksiton edhe në Beograd, ka shumë liderë që mendojnë se shtet-kombi është i fuqishëm dhe sovran e që kontrollon tërë territorin e vet. Duke u nisur nga ky këndvështrim, pra nga koncepti i komb-shteteve, këto marrëveshje nuk po e dëmtojnë sovranitetin, por u ndihmojnë të dyja shteteve të jenë më funksionale dhe të bëjnë diçka për popullin.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Janjiq, kush garanton që këto tri marrëveshje të para të zbatohen edhe në terren?

DUSHAN JANJIQ

Ky është problemi i të gjitha veprimeve të ndërthurura. Garantues janë parimisht të gjitha palët, përfshirë EULEX-in dhe të tjerë, por në fakt nuk ekziston ndonjë garantues i vërtetë. Po ju jap një shembull: Serbia do të mund të premtojë që të dërgojë kopjet e kadastrës deri në nëntor, por nuk shoh ndonjë mundësi se si Serbia do të mund ta bënte këtë meqë i duhet mbështetje teknike e financiare për t’i bërë kopjet e mijëra letrave, gjë që merr kohë dhe para.

Në këtë rast, garantuese duhet të jetë qeveria e Serbisë, por nëse nuk bëhet presion dhe një monitorim nga Brukseli kjo nuk do të funksionojë. EULEX-i nuk mund të veprojë në Serbi, andaj po insistoj që përgjegjësinë ta ketë Komisioni Evropian dhe zyra e Kethrin Eshton, ajo duhet të marrë përgjegjësinë për procesin.