Decentralizimi në veri, peng i bisedimeve

Mitrovicë

Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë thonë se do të jenë këmbëngulëse rreth krijimit të komunës së re të Mitrovicës Veriore. Raporti i një organizate joqeveritare, i publikuar gjatë së martës në Prishtinë, tërheq vërejtjen se shtyrjet e mëtejme në krijimin e kësaj komune do të mund të ndikojnë negativisht edhe te komunat e tjera me shumicë serbe.


Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kanë interferuar në procesin e krijimit të komunës së re të Mitrovicës Veriore, thuhet në raportin e fundit të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Raporti “Decentralizimi - një peshë e rëndë për ta realizuar” vlerëson se për shkak të bisedimeve, Qeveria e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar në vend kanë hezituar të veprojnë në veri, ndërsa kanë vazhduar të jenë të pranishme, siç thuhet, obstruksionet nga zyrtarët serbë, “të inkurajuar nga pozicioni i Beogradit zyrtar se veriu do të jetë pjesë e negociatave”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, theksoi rëndësinë që sa më parë të organizohen dhe të mbahen zgjedhjet për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore. Në të kundërtën, sipas tij, do të prodhohen efekte negative edhe për komunat e tjera të themeluara kohë më parë.

“Në qoftë se nuk themelohet kjo komunë, atëherë nuk kemi shtrirje të
Mosthemelimi i komunës së re ka efekte negative edhe në komunat e tjera të krijuara.

pushtetit. Kjo shtrirje e pushtetit do të mundësonte shtrirjen tjetër - të pushtetit qendror. Mosthemelimi i komunës së re ka efekte negative edhe në komunat e tjera të krijuara, për arsye se potencialisht do të mund të dekurajonte sidomos punëtorët në dy sektorë - në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, ku, në fakt, strukturat paralele kanë ndikimin më të madh edhe në komunat e reja”, tha Tahiri.

Plani kryesor, përmes të cilit autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare synojnë ta zbatojnë decentralizimin edhe në pjesën veriore të Kosovës mbetet e “Strategjia për integrimin e veriut”, e hartuar nga qeveria e vendit dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Piter Feith
Edhe pse dokumenti në fjalë u vu shumë shpesh në qendër të kritikave, kreu ICO-së, Piter Feith, theksoi vendosshmërinë për ta zbatuar këtë strategji.

“Askush nuk i nënvlerëson sfidat që ekzistojnë këtu, por duhet të pranojmë se ka një momentum dhe se ka progres. Ka një kundërshtim të madh të banorëve lokalë, por ne po punojmë fuqishëm, së bashku me Qeverinë e Kosovës, për të shpjeguar qëllimet tona dhe për të gjetur mbështetje në përpjekjet lidhur me decentralizimin”, u shpreh Feith.

Pavarësisht pamundësisë për t’i krijuar komunat e reja në veri të Kosovës, përfaqësuesit e ekzekutivit kosovar vlerësuan se që nga fillimi i zbatimit të projektit të decentralizimit, tre vjet më parë, është shënuar progres në zonat qendrore të Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Sllobodan Petroviq, tha se rezultatet janë të dukshme në themelimin e komunave të reja dhe forcimin e rolit të komunave në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

"Progresi i arritur deri më tani përfshin objektivat e reformës së legjislacionit mbi vetëqeverisjen lokale, formimin e komunave te reja, rritjen e kapaciteteve të komunave në koordinim me donatorët dhe informimin e qytetarëve në procesin e decentralizimit. Tashmë me sukses veprojnë komunat e veçanta si Graçanica, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu dhe komuna e zgjeruar e Novobërdës", tha Petroviq.