Bizneset duan përmirësim të ambientit afarist

Fotografi ilustruese

Përfaqësues të komunitetit të biznesit kritikojnë autoritetet kosovare për moskrijimin e kushteve të mira për zhvillimin e bizneseve. Ata thonë se për ta bërë një ambient të favorshëm për biznes, institucionet e Kosovës duhet të marrin si model atë se çfarë po bëjnë vendet fqinje. Fillimisht, sipas tyre, duhet të shpejtohen procedurat për nisjen e një biznesi.


Bizneset kosovare vazhdojnë të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë. Ata thonë se moskrijimi i kushteve të mira për të bërë biznes në Kosovë, ka bërë që shumë biznese të mbyllen.

Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë duhet të bëhen reforma për krijimin e kushteve për bizneset. Deri më tani, sipas tij, autoritetet kosovare janë treguar të paafta për përmirësimin e ambientit afarist.

Duhet të bëhen reforma të thella në regjistrimin e biznesit, në marrjen e certifikatës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të bëhen reforma në marrjen e certifikatës së kodit fiskal. Këto duhet të përqendrohen në një vend dhe duhet të merren brenda ditës. Mirëpo, realisht, kjo nuk po ndodh. Po i bëj apel Qeverisë së Kosovës që të kalojë nga fjalët në vepra dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të shkurtohet çdo procedurë në regjistrimin e biznesit”, vlerëson Abazi.


Për ambient të pafavorshëm biznesor, Kosova është kritikuar së fundi edhe në Raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes në Evropën Juglindore 2011”, ku nga 22 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës Juglindore, Prishtina ishte radhitur e fundit, si vendi ku më së vështiri bëhet biznes.

Edhe Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë së në Kosovë nuk ka ambient të favorshëm të për bërë biznes.

Problemi kryesor mbetet në nivelin komunal. Kemi një rast shumë flagrant kur inspektorët e komunës së Lipjanit dalin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me të vetmin qëllim që të mbyllin zyrat e kompanive e ajrore që funksionojnë atje, për shkak se këto të fundit kanë refuzuar që të paguajnë një ngarkesë jashtëzakonisht të lartë për ushtrimin e aktivitetit afarist, prej 10 mijë eurosh, që këto e konsiderojnë të padrejtë”, thotë Zeka.

Se çfarë duhet bërë që të krijohet një ambient afarist më i përshtatshëm, Arian Zeka thotë se indikatorët, në bazë të të cilëve Banka Botërore përgatit raportin e saj “Të bërit biznes...”, janë shumë të qartë.

“Të marrin parasysh atë që po bëjnë vendet e tjera fqinje. Në rend të parë Maqedonia, e cila këtë vit në Raportin e Bankës Botërore radhitet në një pozitë mjaft të mirë. Nuk kemi nevojë të shkojmë më larg. Të shohim se çfarë po bën Maqedonia dhe të bëjmë edhe ne atë. Në rend të parë, duhet t’i përshpejtojmë procedurat dhe ditët për nisjen e një biznesi”, shprehet Zeka.

Sektori privat, që në Kosovë konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, sipas përfaqësuesve të bizneseve, duhet të ndihmohet dhe, gjithashtu, të krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e veprimtarisë.


Në Kosovë, sipas përfaqësuesve të Aleancës Kosovare të Biznesit, është më vështirë të bësh biznes se në çdo vend tjerët të rajonit. Për ta lehtësuar punën e bizneseve, përveç thjeshtësimit të procedurave për të filluar biznesin, duhet të hapen edhe rrugë për burime të reja të financimit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë në zhgënjimin e afaristëve për të bërë biznes në Kosovë. Pastaj, kemi edhe ulje të përditshme të investimeve të huaja. Fatkeqësisht, kemi një zbehje të rolit ekonomik në Kosovë. Prandaj, të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim”, thekson Abazi.

Ndryshe, bizneset kosovare vazhdimisht janë ankuar për ambient të pafavorshëm biznesor. Por, deri më tani nuk është bërë diçka konkrete në këtë drejtim.