Raportet dhe imazhi

Prishtinë

Qeveria e Kosovës nuk ka qasje refuzuese ndaj raporteve të fundit ndërkombëtare, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke iu referuar raportit të Freedom House, atij të Bankës Botërore dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në anën tjetër, opozita tha se për përmbajtjen negative të këtyre raporteve, meritat i ka Qeveria aktuale.


Kosova i merr me seriozitet të gjitha raportet e organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe rekomandimet që adresojnë ato, thanë zyrtarë të Qeverisë.

Ndërkohë, opozita akuzon drejtpërdrejt Qeverinë për përmbajtjen negative të këtyre raporteve.

Komentet e tyre pasojnë raportin nga Freedom House, për demokracinë ende të papjekur në Kosovë, atë të Bankës Botërore për një mjedis jo të sigurt të investimeve dhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili konstaton se Kosova mbetet destinacion dhe vend transit i trafikimit me qenie njerëzore.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se raportet e tilla, Qeveria nuk i refuzon, por i merr me seriozitet. Kurse, rekomandimet, tha ai, i sheh si sfida.

Hajredin Kuçi

“I marrim si raporte që analizojnë më shumë gjendjen se si është në terren, sesa t’i refuzojmë. Qeveria e Kosovës ka prioritete të njëjta me ato që përmenden në raporte. Ne, në këtë drejtim, mendojmë që duhet të marrim masa më shumë, jo vetëm në Qeveri, por çdo institucion që është kompetent për përmirësimin e gjendjes në cilëndo sferë që përmendet”.

“Ju e dini që kemi marrë masa për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e dini që kemi themeluar një Task-forcë dhe, po ashtu, e dini që aty punohet bashkë me prokurorë dhe gjyqtarë, e edhe me policë të EULEX-it
”, tha Kuçi.

Raportet e fundit për Kosovën u komentuan edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, subjekt ky më i madhi opozitar.

Aty veçohet sidomos raporti nga Freedom House, ku sipas LDK-së, jepen vlerësimet më të zeza për Qeverinë Thaçi 2, e cila, me ndërhyrjet e saj të papërmbajtura në pavarësinë e mediave, sidomos në ato publike, e ka ranguar Kosovën në mesin e vendeve me imazhin më të keq, sa i përket lirisë së fjalës dhe së drejtës elementare për shprehje të lirë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, tha se raportet e fundit, jo vetëm që pasqyrojnë gjendjen reale në Kosovë, por ato tregojnë edhe për rreziqet që po i sjell Qeveria aktuale të ardhmes së vendit dhe qytetarëve të saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Raportet ndërkombëtare janë raporte, të cilat ruajnë një tip neutraliteti në vete dhe krijojnë opinion jashtë Kosovës, ky është efekti i parë i madh i tyre. Këto (raporte) dëmtojnë jo vetëm imazhin, por proceset integruese të Kosovës dhe raportet me organizatat ndërkombëtare, si dhe raportet me, nga ajo që thotë Banka Botërore, me investuesit e mundshëm. Nuk ka të bëjë vetëm me imazhin, por vërtet edhe me proceset, të cilat janë shumë të rëndësishme për Kosovën”, u shpreh Shala.

Përmes disa komunikatave për media, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi shumë zhvillime aktuale në fusha të ndryshme dhe dha një konstatim se “Qeveria aktuale nuk ka vullnet për të punuar për interesat e vendit, por vetëm për interesat e veta edhe të strukturave që mban, e financon ilegalisht”.

Ndaj këtyre akuzave reagoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke e ftuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, në një debat publik.

Lexoni edhe këto:
Vështirë të bësh biznes
Kosova burim, destinacion dhe transit