Pse nuk u themelua Këshilli Kombëtar Ekonomik?

Ilustrim

Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, për të cilin ishte nënshkruar një protokoll për themelimin e tij para shtatë muajve, ende nuk është funksionalizuar. Përfaqësues të bizneseve, të cilët ishin nënshkrues të këtij protokolli, shpresojnë që kjo të mos ketë qenë vetëm një iniciativë parazgjedhore.


Para fushatës zgjedhore, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte ftuar bizneset që të themelojnë Këshillin Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës. Në atë kohë, Qeveria e Kosovës me përfaqësuesit e bizneseve, si: Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Amerikane dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, kishin nënshkruar një protokoll për themelimin e këtij Këshilli.

Tani, pas shtatë muajve, përfaqësuesit e bizneseve thonë se ky Këshill ende mbetet i pathemeluar. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se janë në pritje të themelimit të tij.

“Premtimet në fillim ishin se qysh në mbledhjen e parë të qeverisë, menjëherë pas konstituimit të qeverisë se re, do të themelohet ky Këshill. Por, ende nuk kemi asnjë lëvizje nga ana e kabinetit qeveritar në këtë drejtim. Shpresojmë të mos jetë vetëm një iniciativë parazgjedhore”, thotë Musa.

Vonesat në themelimin e këtij Këshilli, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, ndodhin për shkak të mungesës së vullnetit për përmbushjen e zotimeve që kanë marrë qeveritarët.

Lekë Musa
Musa thotë se qeveria ende nuk ka dëshmuar se zhvillimi ekonomik është prioritet në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ka hartuar një plan për zhvillimin ekonomik, në bashkëpunim me donatorët e huaj. Mendoj se vetëm në rastet kur kanë një presion ndërkombëtar, institucionet tona reagojnë. Unë mendoj se institucionet tona duhet të veprojnë edhe kur kemi një imput apo kërkesë nga vetë faktori vendor, nga bizneset apo ndonjë industri specifike”, shprehet Musa.

Palët nënshkruese të këtij protokolli në atë kohë ishin dakorduar të angazhohen fuqishëm në gjetjen e zgjidhjeve ligjore dhe institucionale që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe në implementimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Sekretari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se edhe pse ka një vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar Ekonomik, kjo çështje nuk ka përfunduar ende.

“Vendimi si vendim për themelimin e Këshillit ekziston, por pjesa tjetër që ka të bëjë me funksionalizmin, me strukturën e Këshillit, me fushëveprimin, ende nuk ka kaluar”.

“Ne kemi kërkuar para disa ditëve pak sqarime për këtë çështje, por ende nuk kemi një përgjigje zyrtare. Edhe në ditët në vijim do ta shtojmë aktivitetin tonë në atë drejtim që të kërkojmë që Këshilli të themelohet sa më shpejt që është e mundur”,
thekson Rukiqi.

Sipas tij, themelimi i këtij Këshilli duhet të jetë prioritet nëse sektori privat do të jetë në qendër të zhvillimit.
Këshilli duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që proceset që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të jenë pjesë e diskutimit aty.

“Këshilli duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që proceset që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të jenë pjesë e diskutimit aty - të ketë rekomandime nga sektori privat, nga njerëz profesionitë dhe e gjithë pjesa që lidhet me legjislacionin, me proceset e reformave të ketë një përkrahje më të fuqishme nga sektori privat”, thotë Rukiqi.

Përfaqësues të bizneseve thonë se rëndësia e themelimit të këtij Këshilli është e jashtëzakonshme. Sipas tyre, ky Këshill do të ishte një vend ku Qeveria e Kosovës, së bashku me bizneset, do t’i vinte në pah problemet dhe atë që është e nevojshme për të arritur te një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.