Kosova vend i pafavorshëm për biznes

Banka Botërore, Uashington

Nga 22 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës Juglindore, Prishtina mbetet qyteti ku më së vështiri bëhet biznes. Banka Botërore ka dalë me këtë konstatim në raportin e saj të fundit i quajtur “Të bërit biznes në Evropën Juglindore 2011”. Ndërkohë, derisa bizneset japin të njëjtin vlerësim si të Bankës Botërore, autoritet kosovare thonë të kundërtën.

Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, reforma rregullatore e biznesit, në Evropën Juglindore, po u kursen sipërmarrësve vendas si kohën, ashtu edhe paratë.

Megjithatë, kjo nuk po ndodh në Kosovë, pasi që procedurat për të regjistruar dhe nisur punën zgjasin shumë.

Derisa në Shkup, një kompani duhet të presë tre ditë për të regjistruar dhe nisur punën, në Prishtinë, thotë raporti i Bankës Botërore, procedura zgjat dy muaj.

Refki Hoxha, pronar i kompanisë “Reneulat Tahiri”, thotë se ka hasur në mjaft vështirësi në hapjen e biznesit.

Për ndonjë projekt prodhues duhet se pari të bëjë ndërrimin e destinimit të parcelës se ku do ta ushtrosh veprimtarinë. Për ta bërë ndërrimin e destinimit nevojiten 11 pëlqime që i lëshon Kuvendi Komunal. Për të nxjerr këto pëlqime nevojitet një kohë bukur e gjatë, pastaj pas kësaj duhen pasojnë projekte, ku nevojitet një projekt për mjedisin hapësinor, një për bujqësi dhe një prej energjisë elektrike”, shprehet Hoxha.

Ndërkaq, përfaqësuesi i agjencisë për regjistrimin e bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mejdi Pllashniku, thotë se sa i përket regjistrimit të biznesit kompanisë, certifikatën e marrin brenda ditës, por sipas tij, procedurat tjera zgjasin më shumë.

Kam pasur edhe një konsultë me Bankën Botërore, ata më kanë thënë se sa i përket regjistrimit ne jemi më të shpejtit në rajon , por ata kanë marrë afate kohore të cilat kanë qenë me ligj, si regjistrimi i biznesit, i cili me ligj ka qenë10 ditë, pastaj pajisja me numër fiskal ka qenë 10 ditë, por tani e kanë bërë 5 ditë. Në kadastër për kompanitë që kanë blerë tokë apo pasuri të patundshme, afati ka qenë 30 ditë. Dhe, kur i kanë marrë të gjitha këto afate, na ka dalë ajo renditje”, thotë Pllashniku.

Pllashniku thotë se nuk është vështirë të bëhet biznes në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, janë lehtësuar procedurat për hapjen e biznesit.

Sipas mendimit tim ka pasur barriera, por tani, edhe në nivel qeveritar, është marrë qëndrimi që të heqjen e lejes së punës, që i kanë dhënë nivelet komunale. Pastaj diku afër 50 për qind e licencave që janë kërkuar më herët do të hiqen, dhe do të jenë në përdorim vetëm ato licenca që janë të domosdoshme për të filluar një biznes”, tregon ai.

Pronarët e bizneseve thonë të kundërtën.

Refki Hoxha përfaqësues i kompanisë “Reneulat Tahiri”, thekson se për të bërë biznes në Kosovë është mjaft vështirë.

Është vështirë në natyrën e prodhimit, nëse është vetëm tregti, nuk është vështirë sepse mund të nxjerrësh një licencë, por te natyra prodhuese është vështirë
Procedurat e shumta për të filluar, sipas tij, punën janë të tepruara.

Është vështirë në natyrën e prodhimit, nëse është vetëm tregti, nuk është vështirë sepse mund të nxjerrësh një licencë, por te natyra prodhuese është vështirë. Ne do të kërkojmë nga autoritete përkatëse që të bëjnë thjeshtësimin e këtyre procedurave, përndryshe, nuk do të mund t’i përballojmë”, thotë Hoxha.

Ndryshe, raporti “Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011”, i prezantuar të martën, është i dyti i këtij lloji që analizon se sa lehtë është të bësh biznes në 22 qytete nga shtatë ekonomi: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Moldavi, Malin e Zi dhe Serbi.