Ligje të mira, por të pazbatueshme

Në raportin e fundit të Transparency International vlerësohet se në Maqedoni ka probleme të theksuara në ndërhyrjen politike ndaj shkarkimit të gjykatësve, emërimit dhe shkarkimit të shërbyesve civilë, qasjes në informata dhe zbatimit të procedurave të prokurimit publik.

Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparencë për Zero Korrupsion” thekson se për të rezultuar me sukses lufta ndaj korrupsionit në tri segmentet më të ndjeshme - në sistemin gjyqësor, në administratën publike dhe në media - duhet angazhuar në përforcimin e kapaciteti demokratik brenda institucioneve shtetërore.

Ajo që duhet kuptuar drejt është se Maqedonia ka nevojë emergjente për përjashtimin e politikës nga institucionet shtetërore, për ndërtimin e kapacitetit demokratik në qeverisjen e tyre, duke investuar në kuadër profesional. Fjalën e kam për tri institucionet e apostrofuara në raportin në fjalë, sistemin gjyqësor, administratën publike dhe lirinë e informimit, si shtylla bazë për ndërtimin e një shoqërie demokratike”, thekson Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparencë për Zero Korrupsion”.

Ndërkaq Arif Musa, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për anti-korrupsion thekson se ligjet në Maqedoni janë të mira, por është mungesa e vullnetit politik ajo që i bën këto ligje të pazbatueshme dhe jo efikase. Musa me këtë rast thekson se shteti duhet të mundësojë liri më të theksuar në aspektin e mjeteve buxhetore Komisionit Shtetëror përkatës, për të garantuar zbatimin efektiv të ligjeve anti-korrupsion.

Kështu siç janë ligjet, nëse ato zbatohen me përpikëri, njëherit dhe nëse ekziston vullneti politik i pushtetit për zbatimin e ligjeve, pa marrë parasysh nëse bëhët fjalë për organe të udhëhequra nga qeveria apo organe të pavarura, rezultatet gjithsesi nuk do të mungonin”, shprehet Arif Musa, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për Anti-korrupsion, duke nënvizuar se për luftën ndaj korrupsionit të gjithë politikëbërësit pa përjashtim angazhohen vetëm në formë deklarative.

Ndryshe në raportin e Transparency International i bëhet thirrje qeverisë së maqedonisë për të ndërtuar kapacitetin e domosdoshëm demokratik brenda institucioneve kyçe të vendit, si detyrim i patjetërsueshëm për integrimin e vendit.

Kyçja e sektorit civil mund të ndihmojë dukshëm ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, por dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve shtetërore”, nënvizon Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparencë për Zero Korrupsion”.