Në Kosovë, gjatë vitit infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona, derisa vdesin rreth 50 prej tyre.
Këtë e thonë zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ariana Kalaveshi, shefe e njësisë për sëmundje ngjitëse në këtë institucion shpjegon se cilat janë sëmundjet ngjitëse më të shpeshtat në Kosovë.
“Numri më i madh i sëmundjeve është diarreja akute hepatiti A, sëmundjet që përcjelljen në mënyrë të njëjtë, kryesisht me higjienën e ulët të popullatës, si dhe nga puset e pakontrolluara”, thotë Kalaveshi.
Numri më i madh i sëmundjeve është diarreja akute hepatiti A, sëmundjet që përcjelljen në mënyrë të njëjtë, kryesisht me higjienën e ulët të popullatës, si dhe nga puset e pakontrolluara
Por deri tani, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka grumbulluar të dhënat e këtyre sëmundjeve në mënyrën më primitive, derisa nga sot është pajisur me softuer të ri elektronik, që do të mundësojë grumbullimin e të dhënave të sëmundjeve ngjitëse në mënyrë elektronike.
Naser Ramadani, drejtor i institutit, thotë për radion Evropa e Lirë, se kjo metodë do të mundësojë përcjelljen e sëmundjeve ngjitëse me përpikëri .
“Sot kemi promovuar një softuer të ri elektronik, me të cilin do të grumbullohen të dhënat e sëmundjeve ngjitëse në mënyrë elektronike nga gjitha klinikat në Kosovë. Kjo është etapa e parë që na mundëson ta përcjellim me përpikëri gjendjen epidemiologjike”.
“Në etapën e dytë, do të mundësojmë që gjitha ambulancat private, spitalet edhe institucionet e qendrës së mjekësisë familjare, të kyçen në këtë rrjet, dhe asnjë rast të mos mbetet pa u identifikuar. Kjo paraqet një pasqyrë më të qartë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë për të investuar në masat parandaluese për sëmundjet ngjitëse, dhe të mos përhapen numër i madh i sëmundjeve ngjitëse” shprehet Ramadani.
Ndërkaq Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se përcjellja elektronike do të paraqet një element shumë të rëndësishëm në shëndetësinë kosovare, dhe ballafaqimi me problemet e ndryshme të kësaj natyre do të jetë më i lehtë, pasi që do të kenë pasqyrë të saktë të rasteve të prekura me sëmundje ngjitëse, dhe institucioni që ai udhëheq do të merr masa në kohën e duhur.
“Përcjellja elektronike paraqet një element shumë të rëndësishëm në ballafaqimin me problemet e ndryshme të shëndetësisë publike të vendit dhe në këtë drejtim kemi dhënë kontribut, dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen ne si ministri e shëndetësisë, kemi kontribuar në këtë aspekt edhe në draftin e projektligjit të shëndetësisë”, thotë Agani.
Sali Ahmeti, infektolog dhe kryetar i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, thotë se sëmundjet ngjitëse në Kosovë janë sëmundje mjaft specifike, meqë përkundër sëmundjeve që janë të përhapura në rajon dhe botë, ne kemi edhe sëmundjet autoktone që përsëriten çdo vjet.
Zoti Ahmeti përmend edhe sëmundjet ngjitëse të reja, që kohëve të fundit janë ballafaquar me to, si sëmundjet ngjitëse tropikale, në rast konkret malaria.
“Tani kemi edhe sëmundje ngjitëse të reja, që quhen sëmundje tropikale, si malaria, e që nuk i kemi pasur para 2 decenieve. Nga malaria kemi pasur një rast fatal. Ndërkaq, vlen të përmendet sfida me virusin AH1N1, me të cilin jemi ballafaquar me një kuadër të sezionaliteti globa e edhe ethet hemorragjike, ku ballafaqohemi në muajt e nxehtë, e që po ka forma të rënda, dhe po përfundojnë fatalist”, deklaron Ahmeti.
Zyrtarë shëndetësorë, thonë se sa i përket trajtimit të sëmundjeve ngjitëse, Qendra Klinike Universitare është mirë e furnizuar me barna dhe material shpenzues, duke mos munguar as stafi profesional.