Gashi: Roli i BE-së i dëmshëm për Kosovën

Krenar Gashi

“Bashkimi Evropian, në vend se të vë trysni mbi Beogradin zyrtar që gjërat të kryhen sa më shpejt dhe më pas të vihet te ato çështje ku me të vërtetë mund të kishte një dialog dhe marrëveshje eventuale, po i shtyn përpara këto çështje, që Serbia në sytë e botës të dalë si pala më konstruktive në dialog”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Krenar Gashi. Ai theksoi rëndësinë që BE-ja ta kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë në këtë mekanizëm me zgjidhjen e status quo-së në veri të Kosovës dhe me çështjen e Kosovës në përgjithësi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar që gjatë këtij viti do të arrijnë marrëveshjet e para në dialogun ndërmjet tyre. Si mendoni që do të duken këto marrëveshje dhe sa janë gjasat që këto të implementohen në terren?

KRENAR GASHI
Po, sikur gjithë procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, deri më tani edhe çështja e marrëveshjes, është diçka që nuk dihet për publikun e gjerë, sepse ky dialog është përcjellë me një jo-transparencë sa i përket çështjeve që janë diskutuar, agjendës së mëtejme dhe mënyrës se si do të arrihet marrëveshja.

Nga ajo që shihet, që është hipotetike vërehet, që nuk do të ketë ndonjë marrëveshje të shkruar mes tri palëve, por palët do të merren vesh me Bashkimin Evropian për obligimet e tyre karshi këtij dialogu dhe kësisoji do të zotohen se këto obligime do t’i zbatojnë në mënyrë të njëanshme.

RADIPO EVROPA E LIRË
A ka gjasë që BE-ja ka përgatitur tashmë marrëveshje të cilat vetëm do të pranohen nga palët? A e ka rolin e tillë BE në këtë proces?

KRENAR GASHI
Roli i BE-së ka qenë shumë i dëmshëm për Kosovën qysh prej fillimit. Kjo më së shumti reflektohet te ndasia e BE-së, sa i përket sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, dhe kjo ndasi është 22 me 5, pasi që 5 vende të BE-së nuk na kanë njohur.

Kësisoji qysh prej fillimit në tavolinën e bisedimeve, janë sjellë çështje për të cilat Kosova nuk mund të jetë palë nënshkruese, të cilat janë çështje të cilat Serbia i ka për obligim t’i kryejë karshi Kosovës.

Njëra nga to është çështja e regjistrit civil, që është vjedhur nga Kosova në vitin ‘99 duke e shkelur kështu edhe Marrëveshjen Tekniko- Ushtarake të Kumanovës, por edhe rezolutën 1244. BE, në vend që të vë trysni mbi Beogradin zyrtar, që këto gjëra të kryhen më shpejtë, dhe më pas të vihet tema te çështjet ku me të vërtetë do të mund të kishte dialog dhe marrëveshje eventuale, po i shtyn përpara, në mënyrë që Serbia në sytë e botës të dalë si pala konstruktive në këtë dialog.

Serbia të dalë ajo, e cila na i kthen regjistrat civilë dhe librat kadastralë, ajo që na i lejon fluturimet për në Prishtinë dhe prej Prishtinës, që ta përdorim hapësirën e saj ajrore.

Kjo gjë është absurde, dhe ka qenë një absurditet i llojit të vet gjatë këtyre 11 vjetëve të qeverisjes ndërkombëtare, në një mënyrë, të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto çështje cilësohen të jenë praktike ose teknike nga BE-ja, dhe nga të dy palët. Mirëpo që nga fillimi i dialogut në skenën politike në Beograd është përmendur ndarja e Kosovës. Është ky një opsion i mundshëm?

KRENAR GASHI
BE nuk ka një politikë apo një strategji sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Ata e dinë vetëm se ky duhet të jetë një proces ku të dy palët, eventualisht, do të merren vesh për diçka. Dhe kjo e vë Kosovën në një pozitë shumë të jo-favorshme.

Kjo për shkak të këtyre 5 vendeve të cilat nuk na njohin, ne nuk kemi mundur që me BE-në ta shtyjmë një agjendë tonën përpara apo një politikë tonën përpara.

Politika dominante në procesin e dialogut ka qenë politika e Serbisë, e cila nuk është e njëtrajtshme por e shumëtrajtshme.

Përderisa në njërën anë zoti Stefanoviq ulet dhe dialogon me zonjën Tahiri në Bruksel, ministri i jashtëm Vuk Jeremiq, lobon kundër njohjes së Kosovës.

Përderisa Boris Tadiq, bën akrobacione tjera politike që kanë të bëjnë më qasjen territoriale në Ballkan, në një mënyrë, duke përkrahur referendumin e Serbisë në Bosnje, dhe zëvendëskryeministri i Serbisë, del si i pavarur me një ide të kahmotshme të Serbisë për ndarje të Kosovës.

Kësisoji, Serbia, apo politika e Serbisë në dialog karshi Kosovës dhe BE-së, është e shumëfishtë, në mënyrë që t’i shikojnë të gjitha mundësitë dhe në fund ata t’i mbajnë të gjitha letrat hapur për ta vazhduar destabilitetin, të cilin po e forcojnë edhe më tej përmes strukturave të tyre paralele.

Mendoj se gabimi më i madh i BE-së ka qenë që ta lejojë Serbinë të sillet në këtë mënyrë, dhe ta shpërblejë, sepse Serbia nuk qenka e keqe, sepse ajo paska një qasje konstruktive, përderisa kjo qasje është e shumëfishtë dhe në fakt është destruktive.

Sa i përket idesë së ndarjes, është një ide e kamotshme, dhe kjo është vulosur si politikë e Serbisë qysh prej zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ku qëndrimi i Beogradit zyrtar, ka qenë shumë i qartë, që serbët në veri nuk guxojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Me këtë presidenti Tadiq, dhe Qeveria e Serbisë, kanë dashur ta thellojnë një kontrast mes serbëve në veri dhe serbëve në jug. Jo në një formë, që të kenë apetit për territor, tani për tani të paktën jo, por më shumë që ta mbajnë këtë opsion të hapur.

Përderisa ky opsion është i hapur, ne mbesim në konflikt të ngrirë dhe mbesim larg vëmendjes së faktorëve tjerë stabilizues, mbesim larg edhe zhvillimit ekonomik, sepse me këtë ekonomi që e kemi, pa investime nga jashtë, dhe me këtë status quo nuk do të kemi asnjëherë investime nga jashtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët amerikanë së fundi e theksuan rëndësinë që Beogradi zyrtar të kushtëzohet për zgjidhjen e kësaj status quo-je nga ana e Bashkimit Evropian. Do të thotë me anëtarësim të plotë në BE. Mendoni se BE-ja mund ta bëjë një kushtëzim të tillë?

KRENAR GASHI
Unë besoj se iniciativa duhet të vijë nga ana kosovare, përmes miqve tanë, shteteve mike përbrenda BE-së, dhe përmes këtyre shteteve të thuhet qartë që të deklarohet edhe publikisht qëndrimi i BE-së, që Kosova duhet të jetë një lloj kushti për Serbinë përpara se ata ta përmbushin agjendën e tyre evropiane.

Jashtë çështjeve zyrtare në Bruksel thuhet kjo gjë, por asnjëherë nuk është thënë nga ndonjë diplomat i lartë i këtyre vendeve mike, të cilët sigurisht që e besojnë një gjë të tillë, sepse tek e fundit është shumë e qartë se Kosova duhet të jetë kusht për Serbinë, për rrugën e saj drejt BE-së.

Mirëpo, për shkak të problemeve që ne i kemi edhe me vendet mike si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve tona që i kemi marrë karshi BE-së, këto shtete mike e kanë një qëndrim indiferent ndaj kësaj pune.

Ato janë duke u munduar që ta ruajnë unitetin përbrenda BE-së dhe gjithë çështjen e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në BE, ta çojnë deri në zgjidhjen e ndonjë marrëveshjeje.

Kjo zgjidhje do të thoshte që Kosova e Serbia, menjëherë të nënshkruajnë marrëveshjet drejt anëtarësimit në BE në mënyrë që as njëra e as tjetra, të mos e pengojnë njëra tjetrën në këtë proces.

Me këtë lloj qasje, Bashkimi Evropian po mundohet ta ruajë unitetin e brendshëm sa i përket Kosovës, dhe kjo ne nuk na konvenon.

Ne do të na konvenonte natyrisht nëse do të bëhej presion mbi Beogradin dhe presion mbi këto 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën në mënyrë që të kemi një zë, dhe një qëndrim të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendët kushtet apo kriteret të cilat duhet t’i përmbushë Kosova në rrugën e integrimit në BE. Sundimi i ligjit është njëri nga këto dhe vlerësohet të jetë mjaft shqetësues në Kosovë. Sa në fakt shihet tani, në prag të draftit të parë të raportit të progresit, një vullnet i shtuar te pala kosovare për të bërë ndryshime në këtë drejtim?

KRENAR GASHI
Problemi qenësor me sundimin e ligjit në Kosovë është pikërisht mungesa e vullnetit politik për të ndryshuar gjërat.

Gjatë gjithë punës tonë kërkimore me institutin KIPRED vazhdimisht kemi thënë dhe kemi rekomanduar se duhet forcuar tri institucionet kryesore të sundimit të ligjit, gjegjësisht policinë, hetuesinë në polici, prokurorinë dhe gjykatat dhe jo të vihet me ide tjera me akrobacione politike të formimit të institucioneve të veçanta apo të Prokurorisë Speciale të task forcës speciale për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si dy çështjet kryesore ku ne kemi ngelur mbrapa sa i përket sundimit të ligjit.

Megjithatë, përkundër mungesës të vullnetit politik dhe përkundër një angazhimi të institucioneve të Kosovës për të vepruar në sferën e sundimit të ligjit diçka veç ka nisur të punohet në atë drejtim, konkretisht me hyrjen në fuqi të Ligjit për Gjykatat, i cili reformon gjithë sistemin gjyqësor dhe i cili në një mënyrë i barazon gjyqtarët dhe prokurorët sa i përket pagave dhe benificioneve me zyrtarët e ekzekutivit dhe legjislativit.

Në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të thuhet se kur vjen puna te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni, një barrë të madhe për situatën aktuale e bart edhe vetë misioni i BE-së në Kosovë, i cili në këto dy fusha, ku ka kompetenca ekskluzive që të merret me to, ka çaluar mjaft shumë.

Ne kemi nxjerrë disa statistika të cilat na i ka dhënë vetë ky mision dhe ka dalë se performanca e gjyqtarëve të këtij misioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është shumë e dobët.

Mesatarisht për këto dy vjet një gjyqtar i EULEX-it brenda një viti ka zgjidhur vetëm 0.17 raste të korrupsionit dhe vetëm 0.07 raste të krimit të organizuar, gjegjësisht kanë qenë vetëm disa verdikte sa i përket krimit të organizuar.

Kur vjen tetori vjen Raporti i Progresit dhe Komisioni Evropian e ka shumë të vështirë ta analizojë punën tonë dhe të institucioneve tona sa i përket sundimit të ligjit, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pikërisht për shkak të involvimit të drejtpërdrejtë të misionit të EULEX-it në këtë drejtim.

Megjithatë, ajo që mund të bëhet është që të bëhet presion tek Bashkimi Evropian, që ky mision të jetë i lirë nga interferimet politike, të jetë i lirë nga ndasia politike përbrenda Bashkimit Evropian sa i përket statusit të Kosovës dhe ta trajtojë të gjithë territorin e Kosovës njësoj duke punuar në sundimin e ligjit si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër.