Probleme me imazhin

Qeveria e Kosovës

Problemi me imazhin e Kosovës qëndron tek mentaliteti qeverisë, dhe se ky imazh nuk mund të riparohet me grupe ekspertësh dhe fushata për një Kosovë ndryshe, thonë analistët.

Komentet e tyre i pasojnë disa paralajmërime nga qarqe ndërkombëtare dhe mediat që nën drejtimin e presidentes Atifete Jahjaga, Kosova të nisë një fushatë për përmirësimin e imazhit të saj të dëmtuar në botë.

Publicisti dhe analisti Halil Matoshi thotë se rrënimi i imazhit të Kosovës ka ndodhur sidomos këtë vit, kur gjithçka sipas tij, filloi dhe po vazhdon me një logjikë të mbrapshtë të qeverisjes dhe udhëheqjes së politikave qeverisëse.

Presidentja sa do që të jetë në nivel të detyrës, sa do që të bashkëpunojë me të gjitha shtresat e shoqërisë, ajo nuk ka fuqi politike dhe nuk mund t ndikojë në ndreqjen e asaj që e ka shkatërruar Qeveria e Kosovës deri më sot. Esenca e problemit qëndron tek modeli i qeverisjes, tek krimi i organizuar dhe pamundësia e kryeministrit aktual që të shkëputet definitivisht nga përzierja e politikës me krimin e organizuar dhe me trafikantët e ndryshëm”, thotë Matoshi.

Skeptik për ndonjë rezultat në prezantimin e imazhit ndryshe për Kosovën shprehet edhe analisti Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme. Ai thotë se Presidenca si edhe instancat tjera do të duhej që para se të niseshin në fushatë të riparonin defektet serioze në sistem, përfshi edhe shkarkimin e personaliteteve në të dyja nivelet e pushtetit të cilët kanë problem me ligjin.

Imazhi ynë i keq buron edhe nga vet kontributi i lidershipit për të krijuar atë imazh të keq, do të thotë nga afiniteti ndaj jo-ligjshmërisë, kur kemi një situatë në të cilën Kosova tashmë sistematikisht portretizohet ku krimi dhe politika janë afër njëra tjetrës. Në këtë drejtim pa pasur një ndërrim substancial në politikë, është vështirë që me çfarëdo grupi ekspertësh të ndryshohet gjendja”, vlerëson Hoxha.

Nisur nga gjendja faktike, Ylli Hoxha thotë po ashtu se imazhi nuk mund të riparohet me veprime kozmetike por me reforma të thella në sistemin politik.

Nuk mund të riparohen imazhi me veprime kozmetike. Para se të merreshim me pijar do të duhej të merreshim me vetveten, pra me reformimin e vetvetes për të krijuar një qeverisje të përgjegjshme, të qëndrueshme, e cila jep rezultate, e jo të mundohemi të mbulojmë një qeverisje të keqe me një afinitet të theksuar ndaj krimit”, thekson Ylli Hoxha.

Edhe analisti tjetër, Halil Matoshi, nuk pret ndonjë rezultat të shpejtë nga çfarëdo nisme eventuale për përmirësimin e imazhit të Kosovës, përderisa nuk ndryshon logjika qeverisëse në Kosovë. Matoshi thotë se përkundrazi, gjendja në Kosovë mund të pësojë zhvillime negative të cilat vetëm sa do të rëndonin edhe më tepër imazhin e shtetit më të ri.

Mund të priten edhe shpërthime të ndryshme sociale, e po ashtu mund të pritet edhe një falimentim, thënë kushtimisht i shtetit, pas skandalit me FMN-në, kështu që vjeshta e sivjetme do të jetë kruciale se a do të merr Kosova kahe pro-perëndimore ose objektivisht do të rrëshqas kah një shtet i dështuar”, thekson Matoshi.

Bazuar në vlerësimet e analistëve, çështja e imazhit të Kosovës është dëmtuar sistematikisht nga qeverisja e deritashme, përfshi edhe qeveritë e kaluara, pastaj nga zgjedhjet e fundit të cilat u cilësuan se nuk i përmbushën kriteret e domosdoshme demokratike, kurse goditjen më të rëndë këtij imazhi besohet se i ka dhënë raporti i Dik Martit, i cili hedh dyshime dhe i ngarkon disa nga udhëheqësit e luftës së UÇK-së për trafik organesh.

Në një pozitë të tillë, ishte vlerësuar megjithatë se Kosova do të duhej t’i kishte kundër-argumentet e veta sidomos për ato që thuhen në raportin e zviceranit Marti.

Kurse në krye të kësaj fushate është menduar të ishte vet presidentja e shtetit e cila do të angazhonte ekipe vendore e ndërkombëtare për t’i demantuar në njërën anë të pavërtetat në raportet për Kosovën, por edhe për të prezantuar anët pozitive të Kosovës para botës.