Kërkojnë 230 euro pension

Fotografi ilustruese

Pensionistët kosovarë vazhdojnë të kërkojnë rritje të pensioneve. Sipas përfaqësuesve të koalicionit të pensionistëve, vlera e pensionit nuk duhet të jetë nën 220 euro në muaj. Por, sipas zyrtarëve të Qeverisë, rritja e pensioneve mund të ndodh pas miratimit të Ligjit për këtë kategori, por jo në shumën e kërkuar nga pensionistët.


Pensionistët kosovarë vazhdojnë të kërkojnë nga autoritete përgjegjëse që të
rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë. Sipas tyre, vlera e pensioneve mesatare duhet të jetë 60 për qind nga vlera e pagës mesatare në Kosovë.

Sahit Dragaj kryetar i Partisë se Pensionistëve, thotë se kjo kategori e shoqërisë, nuk do të pranojnë që pensioni mesatar të jetë më i vogël se paga minimale, sepse në rajon dhe më gjerë pensioni mesatar është shumë më i lartë se paga minimale.

Paga minimale në Kosovë është 170 euro në muaj, ndërsa aktualisht, sipas Dragajt, pensionistët marrin pensione në vlerë deri në 20 për qind nga shuma e pagës mesatare.

Nëse merret mesatarja që është bërë, pas rritjes së pagave për punonjësit në sektorin publik, nga 1 janari i këtij viti, atëherë kërkojmë që pensioni të jetë 220 -230 euro në muaj. Nën të nuk është reale. Në shtetet tjera të rajonit pjesëmarrja e pensionit mesatar në pagën mesatare shkon deri në 67 për qind”, thotë Dragaj.

Zyrtarë në qeverinë e Kosovës, më herët kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se deri në muajin korrik nuk mund të ketë rritje të pensioneve. Kjo rritje, sipas tyre, mundësohet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për këtë kategori, ligj ky që tashme është në procedim. Në bazë të këtij ligji, parashihet që rritja e pensioneve për kontribut do të jetë deri 101 euro, ndërsa pensionet bazike do të jenë 50 euro.

Sahit Dragaj thotë se këtë vlerë nuk do ta pranojë koalicioni i pensionistëve, në të cilin hyjnë sindikata, organizata, partitë dhe shoqata e pensionistëve dhe invalidëve të punës.

Jo kurrsesi, është diskriminuese nuk ka kuptim kjo. Nëse i shikojmë çmimet e ushqimit do të vërehet se artikujt ushqimorë janë shtrenjtuar mbi qind për qind, prandaj edhe nëse trefishohen pensionet nuk mund të mbulohen shpenzimet”, shprehet Dragaj

Në Kosovë, rreth 180 mijë pensionistë, të cilët kanë mbi 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro në muaj.

Kjo shumë, thotë Dragaj, e quajtur si pension, nuk i mbulon as shpenzimet elementare të artikujve ushqimorë për ekzistencë, pa llogaritur detyrimet tjera që kanë pensionistët.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike shprehin shqetësimet e tyre për trajtim jo adekuat të pensionistëve të të gjitha kategorive. Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, kërkon nga institucionet kompetente, që sa më parë të rregullohet statusi juridiko- ekonomik i pensioneve të Kosovës..

Sa më parë duhet të nxirret Ligji për Pensionistë dhe Invalidë, me të cilin do të përcaktohet statusi i tyre, të definohet termi pensionist dhe pensione, në mënyrë që të bëhet dallimi në mes këtyre kategorive, pasi dallojnë shumë njëra më tjetrën. T’i kthehet dinjiteti dhe të ruhet personaliteti i pensionistëve dhe invalidëve të punës. Të zgjidhet çështja e pensionistëve në mënyrë analoge më vendet fqinjë”, thotë Limani

Sidoqoftë, pensionistët paralajmërojnë se nëse ekzekutivi i vendit, nuk zgjidh problemet e tyre në mënyrë institucionale dhe ligjore, atëherë, sicc thotë Dragaj, pensionistët janë të detyruar të përdorin të gjitha rrugët dhe masat deri në realizimin e kërkesave të tyre.