Kërkohet transparencë nga qeveria

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Kuvendi i Kosovës kërkon më shumë transparencë nga qeveria për disa nga çështjet e cilësuara me prioritet në politikën kosovare.

Deputetët veçojnë sidomos bisedimet me Serbinë, ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdarë, si dhe raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Për këtë, ata kërkojnë nga qeveria më shumë bashkëpunim me legjislativin.

Kritika në raport me ekzekutivin ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka kërkuar nga qeveria dhe koordinatorja e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, që të tregohen më transparente në raport me dialogun që po zhvillohet.

Krasniqi ka thënë se ai si kryetar i Kuvendit nuk e ka marrë platformën e këtyre bisedimeve, pavarësisht që, një ditë më herët, zëvendëskryeministrja Tahiri kishte deklaruar se ua kishte dorëzuar platformën institucioneve më të larta dhe autoriteteve përgjegjëse.

Është një e vërtetë e madhe se ne kemi vërejtje në lidhje me zhvillimin e këtyre bisedimeve për mungesën e informacioneve. Ne nuk mund të ndërtojmë qëndrim pa pasur informacione. Sapo t'i kemi informacionet, do ta kemi qëndrimin tonë”, është shprehur Krasniqi pas takimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, koordinatorja Tahiri ka paralajmëruar nënshkrimin e një pakoje marrëveshjesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë raundit të ri të bisedimeve, që pritet të zhvillohet nga mesi i qershorit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ismet Beqiri
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se ai ka vërejtur në vazhdimësi një tendencë të qeverisë për të anashkaluar Kuvendin.

Besoj se në këtë mandat, për aq sa do të mund kjo qeveri t’i përballojë këto sfida me të cilat po ndeshet seriozisht dhe për të cilat e kemi paralajmëruar me kohë, ne nuk do të lejojmë që të anashkalohet roli i Kuvendit si organi më i lartë ligjvënës”, ka thënë Beqiri.

Një zhvillim tjetër në raportet Kuvend - Qeveri ishte edhe mungesa e sponsorimit të projektligjeve për miratim. Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se pas katër muajve të punës, javën e ardhshme mund të pritet që të miratohen katër ligjet e para në Kuvend gjatë këtij viti, duke mos e llogaritur këtu Ligjin për buxhetin.

Edhe qeveria është e vetëdijshme se ka disa ligje, të cilat dalin si obligim nga raporti i progresit i Komisionit Evropian. Ne jemi duke i shqyrtuar disa ligje dhe në seancën e ardhshme do të kemi miratimin e besoj katër, nëse jo më shumë, ligjeve. Do të thotë, do të kemi miratim të ligjeve edhe në lexim të dytë gjatë gjithë qershorit dhe korrikut, sa do të zgjasë ky sesion”, është shprehur Krasniqi.

Fenomeni i mungesës së projektligjeve në Kuvend kritikohet edhe nga deputeti Ismet Beqiri. Sipas tij, qeveria jo vetëm se nuk po sjell projektligje, por edhe shpesh krijon pengesa në punën e Kuvendit. Ai ka theksuar se opozita në Kuvend tash është më e fuqishme dhe do ta shtojë trysninë mbi qeverinë.

Qeveria ka tentime të dirigjimit edhe të rendit të ditës karshi Kuvendit, por po mundohemi maksimalisht që këtë të mos e lejojmë. Ka papërgjegjësi, po shihet sepse ka edhe numër të vogël të projektligjeve të proceduara. Përpos një ligji apo dy, flas në lexim të dytë, s’di që është miratuar ndonjë ligj përveç atij për buxhetin”, ka thënë Beqiri.

Në mungesë të miratimit të ligjeve, seancat e Kuvendit të Kosovës kryesisht kanë shërbyer për debate dhe interpelanca, ku kanë mbizotëruar ato rreth dialogut me Serbinë dhe shpenzimet në lidhje me ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdarë.