Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimet e marra nga KQZ-ja, e mbi të cilat Partia Socialiste ka parashtruar ankesë.
Kolegji zgjedhor rrëzoi ankimin e Partisë Socialiste lidhur me vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 23 maj - vendimmarrje që në fjalë të fundit shpallte fitues të Bashkisë së Tiranës Lulzim Bashën, me 81 vota më shume sesa rivali i tij, kandidati i opozitës Edi Rama.
Partia Socialiste pretendonte se ishte joligjore vendimmarrja e KQZ-së për të reflektuar në tabelën përfundimtare të rezultateve për Tiranën edhe votat e hedhura në kutinë e gabuar, nga të cilat u shpall fitues kandidati Lulzim Basha.
Pa leximin e këtyre votave, Edi Rama kryesonte me 10 vota. Por, gjatë seancave të zhvilluara të premten në Kolegjin Zgjedhor, përfaqësuesit e KQZ-së , mbrojtën argumentin se në këtë rast, bazuar në Ligjin zgjedhor, KQZ-ja funksionoi si KZAZ e madhe e Tiranës, duke dhënë një vendimmarrje dhe për këto vota, për të cilat nuk kishte një vendim nga 11 KZAZ-të e kryeqytetit.
Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë rast si KZAZ konkludoi procesin e numërimit duke përfshirë në tabelën përfundimtare të rezultateve edhe votat e hedhura në kutinë e gabuar.
Këtij argumentimi i ka dhënë të drejtë Kolegji Zgjedhor duke pushuar çështjen, e për rrjedhojë duke lënë në fuqi vendimmarrjen që shpall fitues Lulzim Bashën për Tiranën.