Me rastin e festës ndërkombëtare të fëmijëve, kryeqyteti kosovar ka organizuar një mori aktivitetesh për më të vegjlit. Sot është dita kur ata vetë ngrenë zërin për të drejtat e tyre, kur ata duan më shumë vëmendje nga të rriturit, kur ëndrrat, dëshirat, buzëqeshjet e lojërat identifikohen me ta. Çdo aktivitet ka një thirrje – fundin e dhunës dhe të keqtrajtimit të fëmijëve.
Ndonëse ditë feste, 1 Qershori shfrytëzohet për të tërhequr vëmendjen edhe drejt fëmijëve që kanë nevojë për përkujdesje, veçanërisht drejt atyre që janë viktima të dhunës.
Në Kosovë 108 fëmijë gjenden në strehimore, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre. Por, kjo nuk është shifra përfundimtare e fëmijëve që kanë pësuar nga dhuna, qoftë ajo fizike, emocionale apo seksuale.
Organet e rendit thonë se nuk dihet numri real i fëmijëve të keqtrajtuar, pasi jo të gjitha rastet paraqiten në polici.
Dhuna ndaj fëmijëve kosovarë ka filluar të trajtohet nga viti 2005, thotë Tahire Haxholli, shefe e sektorit të dhunës në familje, në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës.
“Të gjitha format e keqtrajtimit të fëmijëve raportohen në polici dhe policia merr masa në raport me konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, me Kushtetutën dhe me Kodin Penal të Fëmijëve. Policia e merr në pyetje fëmijën, sipas ligjit, me prindin prezent. Por, nëse dhuna është shkaktuar nga prindi, atëherë vijnë zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, sqaron Haxholli për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë ka disa shërbime që ofrojnë mbrojtje dhe strehim për fëmijët e keqtrajtuar. Naime Sherifi, e cila është udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, shpjegon më shumë:
“Gjatë këtij viti kanë qenë 108 fëmijë të prekur nga dhuna në familje dhe nga forma të tjera të dhunës, si trafikimi dhe abuzimet e ndryshme. Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, përveç se punon në asistencë direkte për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, punon edhe në fushën e avokimit dhe parandalimit, në përmirësimin e ligjeve dhe implementimin e tyre në nivel institucional e qeveritar”.
Në anën tjetër, dhuna ka edhe efekte psikologjike te fëmijët. Psikologët thonë se ajo ul egon dhe vetëbesimin e tyre. Sipas Anduena Arrnit, dhuna jo rrallëherë ushtrohet nga prindërit, të cilët, siç thotë ajo, e shohin si mjet edukativ për fëmijët.
“Dhuna ndaj fëmijëve është një temë debatesh që ka filluar viteve të fundit. Format më të shprehura janë ato fizike dhe emocionale, e që në shumicën e rasteve ndodhin në familje. Jo rrallë, me këto lloje të dhunës fëmijët ballafaqohen edhe në shkolla”, thotë psikologia Anduena Arrni.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë raportuar 130 raste të dhunës ndaj fëmijëve, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti 45 sosh. Tahire Haxholli jep detaje të tjera:
“Gjatë vitit 2010 janë raportuar 30 raste nën moshën 16-vjeçare për keqtrajtim seksual; sulme seksuale janë raportuar 6 raste, ndërsa dhunim janë raportuar 3 raste”.
Që nga viti 1999 thuhet se nuk është bërë asnjë hulumtim, qoftë nga institucionet qeveritare, qoftë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, lidhur me shkaqet që çojnë në shkeljen e të drejtave të të miturve.