Pak fjalë për korrupsionin

Fotografi ilustruese

Prokuroria e shtetit publikoi të mërkurën raportin e punës së prokurorive të Kosovës për vitin 2010. Raporti flet për të arriturat e Prokurorisë Publike të Kosovës, asaj Speciale, prokurorive të Qarkut dhe atyre Komunale, por përmban pak të dhëna që ndërlidhen me korrupsionin.


Edhe pse gjatë vitit të kaluar qe përmendur si një nga prioritetet e punës së prokurorive në të gjitha nivelet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk zuri shumë vend në fjalimet e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse që ata mbajtën gjatë konferencës ku u publikua raporti i punës së prokurorive të Kosovës.

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, tha se në prokuroritë e Kosovës ekzistojnë prokurorë të specializuar, që merren me çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Megjithatë, ai nuk dha të dhëna të caktuara për numrin e lëndëve të zgjidhura që ndërlidhen me korrupsionin.

“Kemi caktuar një koordinator, i cili i ka të gjitha të dhënat me lëndët e korrupsionit dhe dua t’ju them se vetëm gjatë muajit të kaluar vetëm në Prishtinë janë ngritur 38 akuza për lëndë nga lëmi të korrupsionit”, tha Kabashi.

Ai theksoi se për dallim nga viti 2009, prokurorët kosovarë brenda vitit të kaluar kanë kryer pothuaj dyfishin e lëndëve krahasuar me normën orientuese vjetore. Kjo punë, sipas Kabashit, është bërë pavarësisht mungesës së 35 për qind të numrit të nevojshëm të prokurorëve.


Investimi i shtetit në përmirësimin e punës së sistemit prokurorial të Kosovës, sipas kryeprokurorit të misionit evropian për sundimin e ligjit, Johanes Van Vrejsvik, mbetet një nga sfidat e institucioneve përgjegjëse.

Vrejsvik theksoi rëndësinë për emërimin e 49 prokurorëve komunalë dhe 26 prokurorëve të Qarkut në Kosovë, të cilët aktualisht u mungojnë këtyre strukturave.

“Nëse shteti investon para në prokurorë, ka të drejtë të kërkojë edhe performancë”, u shpreh Vrejsvik.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës theksuan përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit në vend. Ata thanë se pjesë e kësaj është dhe koordinimi me mekanizmat si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ai Prokurorial, me Gjykatën Supreme dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.


Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, foli për iniciativat e ndërmarra deri më tani në drejtim të përmirësimit të fushës së drejtësisë. Si shembull për këtë, sipas Kuçit, mund të shërbejë Këshilli Konsultativ për Drejtësi.

Këshilli i Drejtësisë synon të përfshijë idetë konkrete të të gjithë aktorëve me rëndësi, duke përfshirë këtu përfaqësuesit e organeve ekzekutive - të Gjyqësisë, të Prokurorisë, organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile për ndryshime substanciale me nevojë që t'i përmirësojmë kushtet e punës, ndër të tjera edhe të performancës së punës së prokurorive tona”, nënvizoi Kuçi.

Në vitin 2010, krimi i organizuar dhe korrupsioni e sollën Kosovën në ballinat e mediave ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë në vend, i vunë vetes prioritet luftën kundër këtyre dukurive, mirëpo rezultatet e arritura deri më tani nuk janë cilësuar si të kënaqshme nga një varg organizatash dhe analistësh ndërkombëtarë.