Çmime alarmuese

Foto ilustruese

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore ka shqetësuar tej mase popullatën në Kosovë. Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se një gjë e tillë po rrezikon mirëqenien e qytetarëve.


Çmimet e artikujve ushqimorë në Kosovë, të cilat kanë shënuar ngritje nga janari i këtij viti, për qytetarin Besim Gashi janë të papërballueshme. Ai thotë se shporta mujore e familjes së tij është më e varfër sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Ka pasur ngritje të mëdha të çmimeve. Çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar ngritje të mëdha dhe kjo është e papërballueshme për një familje”, thotë ai.

Ngjashëm mendon edhe Muhamet Simnica. Sipas tij, produktet ushqimore janë shtrenjtuar gati 100 për qind.

“Rritja e çmimeve është vërejtur në bukë dhe në shumë artikuj të tjerë ushqimorë. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet bërë më shumë për t’i normalizuar çmimet”, shprehet ai.

Por, institucionet vendore kanë deklaruar se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, veçse të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e gjendjes aktuale.

Të dhënat e fundit zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend ka shënuar ngritje.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se ngritja e vazhdueshme e çmimeve mund të prodhojë krizë sociale në vend.

Sipas tyre, pagat e ulëta pamundësojnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të bëjë jetë normale, duke siguruar ushqim të mjaftueshëm.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, thotë se rënia e fuqisë blerëse prodhon varfëri, ndërsa varfëria krizë.

Ai bën thirrje për ndërmarrjen e masave urgjente, që, sipas tij, do të normalizonin situatën.

“Shteti, në përgjithësi, thuhet se nuk duhet të intervenojë në ekonominë e lirë të tregut, por unë mendoj se duhet të veprojë... Pra, shteti duhet të intervenojë në raste të caktuara, që të mos lejojë të ketë monopol në kompanitë për fiksim të çmimeve, si dhe të bëjë grumbullimin e produkteve jetike për çdo vit paraprakisht”, thotë Tahiri.

Tahiri tregon se çfarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve, çfarë, sipas tij, ka ulur standardin jetësor në vend.

Niveli i paqëndrueshëm i prodhimeve vendore, ku pjesa dërrmuese e gjërave ushqimore importohet nga jashtë. Pastaj, është edhe niveli i papunësisë, i cili ka ndikuar në forma të ndryshme në ngritjen e çmimeve”, thotë ai.