Ambasadorët kërkojnë pritjen e rezultateve zyrtare

Foto nga arkivi

Një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, nuk ka ende një rezultat përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vëmendja është përqendruar tërësisht në garën për Tiranën. Megjithëse procesi i numërimit të votave përfundoi të shtunën, rreth orës 15 e 30, diferenca e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve krijoi konfuzion mbi fituesin. Madje, edhe KQZ-ja pohoi që kishte bërë gabime në përllogaritjen e rezultateve që vinin nga 11 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në kryeqytet.

Të dielën KQZ vendosi rimbledhjen e të gjitha tabelave të rezultateve për çdo KZAZ. Kryetari Arben Ristani tha se do të jenë KZAZ-të ato që do të vendosin për rezultatin.

“Mund të them se çka do të bëhet në këtë rast. Kompetente për të vendosur për rastin konkret është KZAZ-ja përkatëse ku ka ndodhur fenomeni dhe më pas fenomeni, dhe më pas subjektet elektorale, në rast se do të kenë ankim për vendimmarrjen e KZAZ-ve”, tha Ristani.

Ristani theksoi se rezultatet do të shpallen 48 orë nga marrja e tabelës së rezultatit të KZAZ-së së fundit, që i takon njësisë bashkiake numër 5.

“48 orëshi fillon nga momenti që vjen tabela e fundit në KQZ”
, theksoi Ristani.

Deri në orën 12 në KQZ kishin mbërritur vetëm gjysma e tabelave të rezultateve, çfarë do të thotë se ndoshta vetëm në fundjavë do të mund të kemi një rezultat për Tiranën.

Të dielën, në një konferencë për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha, tha se kjo forcë politike disponon fakte të pakontestueshme se kandidati Lulzim Basha është fitues i këtyre zgjedhjeve.

Zoti Berisha kërkoi nga KQZ-ja që të përfshijë në shqyrtim edhe votat e shpallura të pavlefshme nga KZAZ-të. Kryeministri tha edhe një herë se mazhoranca mbetet e vendosur që të pranojë çdo rezultat të certifikuar nga institucionet.

Një ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste dhe kandidat për Tiranën, Edi Rama shpalli fitoren në kryeqytet, me të paktën 10 vota më shumë se kandidati i tij Lulzim Basha. Edhe të dielën Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Pandeli Majko i bëri thirrje KQZ-së të shpallë sa më parë rezultatin përfundimtar për Tiranën.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ndonëse i bindur në fitoren e tij, tha se do të respektojë çdo rezultat që serviret nga institucionet. Ai tha se do ta përshëndesë kundërshtarin e tij në rast fitoreje dhe se pret që edhe Rama të bëjë të njëjtën gjë nëse Basha shpallet fitues për Tiranën.

Thirrje për të pritur verdiktin përfundimtar të institucioneve për Tiranën kanë bërë edhe diplomatët e huaj, ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui dhe ai amerikan, Aleksandër Arvizu.