Nuk respektohet ligji për ushtruesit e detyrës

QKUK

Të gjitha klinikat brenda QKU-së po udhëhiqen nga ushtrues detyre, duke përfshirë edhe drejtorin ekzekutiv. Ndonëse Ligji për shërbimin civil parasheh që koha e ushtruesit të detyrës në institucione përkatëse të jetë në afat prej tre muajsh, kjo nuk po respektohet. Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për shkak të procedurave të koklavitura për përzgjedhjen e drejtorëve, kjo periudhë është tejkaluar.


Qendra Klinike Universitare e Kosovës po funksionon pa drejtor ekzekutiv ka tash e disa muaj. Derisa ky institucion të bëhet me kreun e saj, të gjitha klinikat brenda QKU-së së po udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se konkursi tashmë është mbyllur dhe brenda dy javësh pritet të bëhet përzgjedhja e drejtorit ekzekutiv.

”Janë dy nivelë të institucioneve, janë ato që i përgjigjen direkt Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë 4 ushtrues detyre, duke përfshirë edhe drejtorin e QKUK-së, ndërsa nga një në Gjakovë, Mitrovicë e Vushtrri. Në kategorinë e dytë janë klinikat e QKUK-së, për shkak se ju ka skaduar kontrata për marrëdhënie të punës, ata janë shndërruar në ushtrues detyre dhe qëllim ika qenë që të zgjidhet drejtori i QKUK-së dhe pastaj ai të vendosë për drejtorët e klinikave
”, thotë Tolaj.

Por, Ligji i ri i shërbimit civil ka paraparë që koha për ushtrues detyre të jetë e kufizuar prej vetëm tre muajsh. Për këtë zoti Tolaj ka një shpjegim:

”Në një pozitë udhëheqëse lejohet të jesh ushtrues detyre vetëm tre muaj, por procedurat janë të ndërlikuara dhe ndodh që duhet edhe përsëritur kandidaturën, qoftë për shkak të mungesës së kandidatëve të mjaftueshëm, duke përfshirë edhe minoritarët që duhet të konkurrojnë. Atëherë kjo periudhë e lejuar tejkalohet jo vetëm në shëndetësi, por në të gjithë sektorët”.

Ndërkaq, Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën Emergjente, thotë se kjo klinikë ka funksionuar normalisht, edhe pse prej dhjetorit të vitit të kaluar zoti Lenjani e mban këtë pozitë. Por, ai mendon se zgjedhja e drejtorëve duhet të bëhet sa më shpejtë dhe, siç shprehet ai, pa përplasje politike, por drejtorët të përzgjidhen në bazë të profesionalizmit që kanë.

”Të bëhet përzgjedhja e drejtorëve larg politikës, sepse do të ishte në favor të avancimit të shëndetësisë kosovare. Në të kundërtën do të dalin problemet politike që mund të ndikojnë në vazhdimësi në kryerjen e obligimeve tona si punëtorë shëndetësorë”
, shprehet Lenjani.

Ndryshe, zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, thotë se sistemi shëndetësor në përgjithësi ka qenë dhe është një problem që nuk po tejkalohet.

Kjo, sipas tij, sepse financimi në këtë fushë nuk është adekuat. Por, sa i përket çështjes së përzgjedhjes së drejtorëve në QKUK, Bukoshi thotë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur.

”Unë nuk u takoj atyre njerëzve që mund ta zbukurojnë gjendjen aty; gjendja është ashtu si është dhe gjithë jemi dëshmitarë. Askush nuk është i kënaqur me gjendjen, por synimi ynë është që të sigurojmë shërbime cilësore për qytetarët, pavarësisht kësaj gjendjeje edhe financiare çfarë është”.

“QKUK-ja ka qenë në mënyrë kronike një problem dhe një angazhim i të gjitha ministrive në mënyrë që të rregullohen punët aty dhe të funksionojë, sepse ajo është boshti kurrizor i mjekësisë kosovare. Tani është shpallur konkursi dhe besoj se së shpejti do të kryhet, sepse qe sa kohë puna ka vazhduar me ushtrues detyre”
, thekson Bukoshi.

Ndërkaq, Ilir Tolaj thotë se, edhe pse tash e sa muaj Qendra Klinike po funksionon me ushtrues detyre, nuk është hasur në ndonjë problem dhe angazhimi i udhëheqësve të klinikave ka qenë në nivelin e duhur.

”Çuditërisht klinikat po funksionojnë më mirë se që kanë funksionuar me drejtorët e emëruar, mendoj se nuk varet pozita e një menaxheri se a është ushtrues detyre, por mendoj se vetë fakti se do të ketë një konkurs, angazhimi është edhe më i madh. Kjo mund të shkaktojë edhe pengesa për shkak se vartësit e tij presin se është për një kohë më të shkurtër dhe do të ketë ndryshime, por për qendrën klinike mund të them me kënaqësi se performanca edhe e ushtruesit të detyrës së QKUK-së, dhe klinikave tjera, po funksionon më mirë sesa që ka qenë në të kaluarën”
, sqaron Tolaj.

Konkursi për drejtor ekzekutiv tashmë është mbyllur, ndërsa, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, deri tani kanë konkurruar 12 kandidatë.