Protestë kundër Stefanoviqit

Prishtinë 12 maj 2011

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje gjuajtën me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të dy objekteve qeveritare në kohën kur në to, shefi i palës serbe në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, po zhvillonte takime me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe homologen e tij, Edita Tahiri. Protestat, të cilat u mbajtën në shenjë kundërshtimi ndaj qëndrimit të Stefanoviqit në Prishtinë, rezultuan me 21 persona të lënduar.


Protesta e Lëvizjes Vetëvendosja kundër vizitës në Prishtinë të shefit të delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, rezultoi me 21 persona të lënduar, bënë të ditur autoritetet vendore.

Policia e Kosovës njoftoi se në mesin e të lënduarve janë 15 pjesëtarë të policisë dhe 6 protestues, ndërsa thuhet se janë arrestuar 2 persona të tjerë.

Protestat nisën pas arritjes së Stefanoviqit në objektin qeveritar, ndërtesën e ish-Rilindjes, ku ai zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi.

Mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në shenjë proteste, hodhën gurë, shishe dhe gjësende të forta në drejtim të ndërtesës ku po zhvillohej takimi Kuçi-Stefanoviq, ndërsa dëmtuan disa vetura zyrtare që po qëndronin para ndërtesës.

Një skenar i ngjashëm me përmasa më të vogla ndodhi edhe në kohën kur shefi i delegacionit serb po zhvillonte takimin me homologen e tij kosovare, Edita Tahiri.

Mirëpo, turma u shpërnda pas përdorimit të gazit lotsjellës nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Përveç aktivistëve, në protesta ishin të pranishëm edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe deputetët Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca.

Ky i fundit e quajti “turp të madh” dhe “skandaloze” pajtimin e institucioneve kosovare me hyrjen në territorin e Kosovës të kreut të delegacionit serb.

Duke folur në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, Konjufca tha:

“Qeveria e Kosovës, jo vetëm që e njeh Serbinë, e cila nuk po na njeh, por i fton përfaqësuesit e saj ta përhapin propagandën e tyre helmuese, antishqiptare dhe kundër shtetit të Kosovës – madje, kësaj radhe, nga objekti i Qeverisë së Republikës sonë. Ky është një turp i madh dhe skandal i pashoq”.


Vizita e Stefanoviqit në Kosovë cilësohet të jetë vizita e tij e parë zyrtare në vend, ndonëse vetë Stefanoviqi kishte pohuar të ketë qenë edhe më herët në pjesë të ndryshme të vendit, për t’u takuar me përfaqësues të serbëve kosovarë.

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën qëndroi në Prishtinë për të vazhduar diskutimet me përfaqësues të institucioneve vendore në kuadër të dialogut, i cili nisi në mars të këtij viti me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë në Bruksel.