Kah çojnë përplasjet me EULEX-in?

Fotografi ilustruese

Përplasjet publike mes institucioneve kosovare dhe EULEX-it, sipas analistëve, burimin e kanë te qëndrimi neutral që misioni evropian po mban ndaj statusit. Për shkak të këtij qëndrimi, thuhet se ai nuk po përmbushë mandatin dhe nuk po e shtrin sundimin e ligjit në veri. EULEX-i hedh poshtë kritikat dhe numëron ato që i quan arritje.


Pakënaqësitë e zyrtarëve të institucioneve me EULEX-in po shtohen, ndërsa ata drejtojnë gishtin kah ky mision për dështimet, siç është shtrirja e kontrollit në veri.

Por, analistët politikë dhe për çështje të sigurisë për mosrespektim të ligjit, nuk lënë fajtor vetëm EULEX-in. Ata thonë se institucionet është dashur t’i ndajnë qartë kompetencat dhe t’i saktësojnë planet e veprimit me vendosjen e misionit para pothuaj tri vjetësh.

E keqja më e madhe, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, është qasja neutrale që EULEX-i mban ndaj statusit.

“Një e keqe, apo nga fillimi që ka derivuar në këtë keqkuptim, është neutraliteti, apo mosnjohja e Kosovës. Mendoj se kjo nuk është gjë e mirë, sepse nga kjo derivojnë shumë keqkuptime e mes saj edhe mosrespektimi i i ligjeve vendore në disa raste
”, thotë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.

Nuk do të brengosesha për ‘konfliktet’, por për atë se sa do ta përmbushin mandatin.
Kritikat drejtuar EULEX-it, për drejtorin e Hulumtimeve në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, Arbër Gorani, i bëjnë mirë edhe vetë misionit evropian. Gorani shpreh shqetësimin për mospërmbushjen e mandatit të misionit evropian në veri.

“Unë nuk do të brengosesha për ‘konfliktet’, por për atë se sa do ta përmbushin mandatin. Dihet situata në veri, gjykata atje nuk është funksionale, e që është shkelje e të drejtave të njeriut. Unë do ta shihja në këtë kontekst”
, thekson Gorani.

Në javën e kaluar, deputetët e Kuvendit kanë shprehur pakënaqësi me punën e EULEX-it, ndërkohë, që organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë shkuar më larg duke thënë se nuk e njohin autoritetin e misionit në fjalë. Reagimi i tyre lidhet me arrestimet për krime lufte të kryera nga EULEX-i. Por, në EULEX këmbëngulin se janë duke e përmbushur mandatin që kanë.
Kritikat se nuk po e përmbushim misionin dhe mandatin janë
të gabuara.


“EULEX-i absolutisht po e përmbush mandatin çdo ditë. EULEX-i gjendet në gjykata, në polici, në dogana dhe po ndihmojmë që të përmirësohet rendi dhe ligji. Kritikat se nuk po e përmbushim misionin dhe mandatin janë të gabuara. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësime në secilën organizatë, por është gabim të thuhet se nuk po e bëjmë atë që duhet, sepse këtë po e kryejmë që kur kemi ardhur”
, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Nik Hauton.

Për të shtensionuar situatën, Nuredin Ibishi thotë se institucionet duhet të flasin hapur me EULEX-in, para se ta akuzojnë atë përmes mediave.

“Mendoj se duhet që para se të dalin publikisht, siç po ndodh, ata t’i koordinojnë dhe t’i harmonizojnë veprimet. Mendoj se autoritetet vendore të sigurisë dhe të EULEX-it, duhet të ulen t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të jetë një informim i ndërsjellë, qoftë në bazë të kompetencave që i kanë, qoftë edhe të veprimeve të veçanta, ndonjë aksioni, a plani të veprimit të veçantë”
, vlerëson Ibishi.

Institucionet e Kosovës e kanë ftuar vetë EULEX-in, synimi kryesor i të cilit është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave.

Zyrtarët e këtij misioni bëjnë të qartë se nuk synojnë të sundojnë apo të administrojnë në Kosovë, por përmes këtij misioni teknik të monitorojnë, udhëzojnë dhe këshillojnë.

Megjithatë, misioni mban një numër të kufizuar të kompetencave. Por, nëse diçka nuk shkon në rregull dhe plasin pakënaqësitë, siç është situata aktuale, Arbër Gorani thotë se vetë misioni duhet ta ridefinojë mandatin.

“Bashkësia ndërkombëtare ka problem me identitetin e vet dhe duhet që në bazë të nevojave të shoqërisë, zhvillimit të institucioneve të ridefinojë rolin, pozitën e mandatin dhe kur ta ridefinojë, të mbajë përgjegjësi për atë mandat që e ka”,
shprehet Gorani.

Ndërkohë, kritikat më të mëdha ndaj EULEX-it, dhe misioneve tjera ndërkombëtare, kanë të bëjnë me mungesën e llogaridhënies përballë kosovarëve, si dhe mosnënshtrimit ndaj ligjeve kosovare.

Lexoni edhe këto:

Brukseli, pengesë për EULEX-in
Lehtë vendosen e vështirë largohen