Brukseli, pengesë për EULEX-in

Bruksel

Puna e misionit të EULEX-it po pengohet nga Brukseli dhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, e jo nga Prishtina, tha kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Sipas tij, për Kosovën nuk është prioritet që EULEX-i të merret vetëm me krimet e luftës, ngase ky mision prioritet e ka sundimin e ligjit. Në anën tjetër, EULEX-i vazhdon të pohojë se po e përmbush misionin e vet në Kosovë.


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës vazhdojnë të shprehin pakënaqësi me punën e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit - EULEX.

Kritikave të deputetëve për punën joefikase të EULEX-it u është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ai tha se EULEX-i po merret me krimet e luftës, në vend se të punojë në prioritetet e veta që i ka si mision, duke veçuar si prioritet vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit.

Sipas Krasniqit, bashkëpunimi me EULEX-in nuk duhet të pushojë, por duhet të ridefinohen prioritetet midis Qeverisë vendase dhe këtij misioni.

Jakup Krasniqi
“Qeveria dhe institucionet e Kosovës me EULEX-in duhet t’i ripërcaktojnë prioritetet. Ne konsiderojmë se për Kosovën, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë, nuk është prioritet marrja me krimet e luftës, por për EULEX-in dhe institucionet e Kosovës është me prioritet vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të Kosovës”,
tha Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit tha se kritikat që i adresohen EULEX-it nuk nënkuptojnë acarimin e marrëdhënieve me këtë mision, por janë vërejtje korrekte për punën dhe angazhimin e deritashëm.

“Zërat kritikë të deputetëve nuk duhet parë si kërkesë për t’i acaruar apo prishur marrëdhëniet me EULEX-in, por duhet parë si një vërejtje korrekte të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës, jo për punët që nuk i ka bërë EULEX-i ose i ka bërë keq... Por, ne kërkojmë që EULEX-i t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë, për të cilat ka ardhur në Kosovë
”, theksoi Krasniqi.
EULEX-i po e përmbush mandatin e vet në fushën e sundimit të ligjit.

Zyrtarja e EUELX-it, Irina Gudeleviq, tha se ky mision i kupton ata njerëz që me padurim presin të shohin fundin e hetimeve për disa raste, sidomos ato të korrupsionit, por në shoqëritë moderne e demokratike, sipas saj, nevojitet kohë që të ketë një vendosje të vërtetë të sundimit të rendit dhe ligjit.

EULEX-i po e përmbush mandatin e vet në fushën e sundimit të ligjit. Siç e dini, ne kemi shtrirje në fushat e policisë, gjyqësisë dhe doganave”, tha Gudeleviq.

Edhe për veriun e Kosovës, ku më së shumti kritikohet EULEX-i, Gudeleviq tha se misioni i BE-së po vazhdon me punën e vet, duke u angazhuar në fushat, të cilat janë përgjegjësi e këtij misioni.

Ndërsa EULEX-i po kërkon më shumë kohë që të dëshmojë punën e vet në Kosovë, Jakup Krasniqi tha se pengesat kryesore për punën e misionit evropian vijnë nga Brukseli dhe jo nga Prishtina.
EULEX-i ka një pengesë dhe këtë pengesë nuk e ka nga institucionet e Kosovës. Pengesën e ka nga Bashkimi Evropian...

“EULEX-i ka një pengesë dhe këtë pengesë nuk e ka nga institucionet e Kosovës. Pengesën e ka nga Bashkimi Evropian dhe më konkretisht nga pesë vendet që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Pengesat për të vepruar, mendoj që i ka në Bruksel dhe jo në Prishtinë”, u shpreh Krasniqi.

Raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it janë ashpërsuar pas përqendrimit të këtij misioni në hetimet e disa rasteve që ndërlidhen me dyshimet për krimet e luftës, të cilat paraprakisht i kishte hetuar edhe misioni i UNMIK-ut, pas vitit 1999.

Vërejtjet që më së shpeshti i adresohen EULEX-it kanë të bëjnë edhe me pjesën veriore të Kosovës, qoftë për shkak të funksionimit të strukturave paralele të Serbisë atje, apo edhe për faktin se gjykatat dhe doganat nuk janë rifunksionalizuar plotësisht, pavarësisht premtimeve që zyrtarët e këtij misioni i kanë dhënë për një kohë të gjatë.

Lexoni edhe këtë:
Lehtë vendosen e vështirë largohen