Kosova pa kapacitete për trajtimin e kancerit

Qeliza kanceri...

Sëmundja e kancerit në Kosovë, për zyrtarë shëndetësorë, është një nga shqetësimet më të mëdha. Përpos kushteve jo të mira për trajtim, në Kosovë nuk dihet se sa persona janë të prekur me kancer, në mungesë të kancer-regjistrit.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se aspak nuk është i kënaqur me kushtet e trajtimit të kancerit në Kosovë.

”Nuk jam i kënaqur me atë se si trajtohet kanceri në Kosovë, edhe pse muajt e fundit po trajtohet pak më mirë se më parë, duke e marrë parasysh se së paku një segment i trajtimit, siç është hemoterapia, po realizohet në pajtim me standardet evropiane. Citostatikët shpërndahen në mënyrë të rregullt”.


“Mirëpo, ka mungesë të skajshme të radioterapisë në sektorin publik, derisa sektori privat ka filluar të ofrojë shërbime radioterapike, por në sektorin publik resurset nuk i kemi aktive, sepse objekti ku gjenden këto pajisje është një objekt që nuk është i pranuar nga Ministria e Shëndetësisë teknikisht dhe si i tillë nuk paraqet objekt të sigurt ku mund të zbatohet ajo metodë terapeutike”, thotë Agani.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Ndërkaq, Elvis Ahmeti, koordinator kombëtar për zhvillimin e programit kundër kancerit, thotë se kanceri i gjirit tash për tash është më i shpeshti te femrat.

Ai flet për një përmirësim sa i përket diagnostikimit të kësaj sëmundjeje, duke përmendur ndihmën e amerikanëve që kanë sjellë në Kosovë.

”Prej shtatorit kemi përmirësim të dukshëm në diagnostikimin e kancerit me ekipin amerikan që e kam sjellë në Kosovë, e që e kam organizuar vetë, vullnetarisht, me programin tim. Kanë qenë 15 ekspertë për mamografi, ekspertë për kuadrin e mesëm, trajnimi i kirurgëve, pastaj trajnimi i mjekëve për kujdes pariativ që mungon te ne në Kosovë, e që është një problem serioz. Këtu është fjala për rastet e pashërueshme, e që kanë të bëjnë me dhimbje. Nga të dhënat që kam unë, ka rritje të rasteve me këtë sëmundje”,
shpjegon Ahmeti.

Ndërkaq, Frederik Quperjani, kirurg torakal, thotë se punën e tyre si mjek në trajtimin e kancerit e vështirëson mungesa e radioterapisë dhe organizimi i mirëfilltë. Ndërkaq, nuk e lë anash pa përmendur as kancer-regjistrin, e i cili mungon:

”Kancer-regjistri është i mirëseardhur, sepse Kosova është e njohur si një vend me popullatë të re. E, marrë në përgjithësi, kanceri paraqitet më pak në moshat e reja se tek ato të avancuara. Si në gjithë botën, kanceri më i përhapur te femrat është ai i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive. Por, nëse një lloj kanceri është më pak i përhapur, nuk do të thotë se është më pak i rëndësishëm”.


Sidoqoftë, Shoqata e Onkologëve të Kosovës është bërë tashmë anëtare e Asociacionit Mediteran të Onkologëve dhe bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, në partneritet të ngushtë, do të ndihmojë në hartimin e regjistrit dhe strategjisë kundër kancerit.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020 kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.

Lexoni edhe këtë:
Ndotja kërcënon banorët e Obiliqit