Lehtë vendosen e vështirë largohen

Stërvitje e përbashkët e forcave të KFOR-it dhe e Policisë së EULEX-it - foto arkiv

Pothuaj asnjëri nga misionet e shumta ndërkombëtare të vendosura në Kosovë që nga ’99-ta, sipas analistëve, nuk ka arritur të përmbushë deri në fund mandatin. Është i vetmi KFOR-i, i cili, sipas sondazheve, gëzon të njëjtin reputacion edhe te qytetarët, ndërsa misionet tjera marrin kritika - tashmë edhe nga institucionet.


Në fillim mirëpriten, e më vonë kërkohet largimi i tyre. Kështu po ndodh me misionet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat po marrin kritika se nuk po e përmbushin mandatin e tyre.

Nga një mori misionesh, si: UNMIK-u, OSBE-ja, EULEX-i, ICO-ja, është vetëm KFOR-i, me punën e të cilit edhe institucionet, edhe qytetarët shprehen ende të kënaqur.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, thotë se misionet ndërkombëtare lehtë vendosen, e vështirë largohen, duke marrë për shembull rastin e Qipros, ku për më se 30 vjet vazhdon të jetë e pranishme OKB-ja.

Edhe në rastin e Kosovës, Rashiti i sheh defektet po te OKB-ja.

“E keqja dhe më e dhimbshmja në rastin e Kosovës është mosmiratimi i Pakos
E keqja dhe më e dhimbshmja në rastin e Kosovës është mosmiratimi i Pakos së Ahtisarit dhe pavarësisë nga OKB-ja. Ky defekt ndërkombëtar ka shkaktuar telashe të mëdha...
së Ahtisarit dhe pavarësisë nga OKB-ja. Ky defekt ndërkombëtar ka shkaktuar telashe të mëdha për shtetin e ri të Kosovës, si dhe misionet ndërkombëtare: UNMIK, EULEX, ICO”.

“UNMIK-u mbetet në lojë për shkak të Rezolutës 1244 dhe nuk i shërben as OKB-së e as Kosovës, por as atyre që janë pro Rezolutës 1244. Kemi angazhimin e EULEX-it, nën ombrellën e 1244-shit, e kjo më së shumti e ka dëmtuar pozicionin e EULEX-it. Ai do të kishte pozicion më ndryshe po qe se do të ishte në kuadër të Pakos së Ahtisarit”,
thotë për Radion Evropa e Lirë Naim Rashiti.

Me gjithë praninë e madhe të misioneve ndërkombëtare, Kosovës ende i cenohet sovraniteti nga Serbia, e cila kontrollon veriun përmes strukturave të saj paralele.

Ky fakt pranohet nga ndërkombëtarët, të cilët, duke nisur nga UNMIK-u e deri te ICO-ja, kanë dalë me plane të ndryshme për integrimin e kësaj pjese - plane këto që gjatë tërë kohës kanë mbetur vetëm në letër.

Irina Gudeleviq
“Ne e dimë dhe pajtohemi se veriu është çështje e ndjeshme, kryesisht kur bëhet fjalë për Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, e cila punon me gjykatës e prokurorë të EULEX-it. Do të dëshironim t’i shihnim gjykatësit vendorë atje, por kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në ndonjë nivel politik”,
thotë zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, për Radion Evropa e Lirë.

Por, sipas Naim Rashitit, shtrirja e sundimit të ligjit në veri nga ana e EULEX-it, nuk është një punë e thjeshtë në dukje. Ai shtron pyetjen se cilin ligj duhet shtrirë në atë pjesë?!

Pyetja është: cilin ligj? Duket e thjeshtë, por është shumë e ndërlikuar. Disa shtete brenda Bashkimit Evropian nuk janë të gatshme që të lejojnë shtrirjen e ligjshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës në atë pjesë të Kosovës. Disa shtete janë mike të Serbisë, e disa shtete veprojnë përmes OKB-së, nën ombrellën e së cilës operon EULEX-i”.

“Këto janë defekte që duhet të diskutohen dhe janë çështje thelbësore dhe kritike të vullnetit politik të disa aktorëve ndërkombëtarë”,
thekson Rashiti.

Kërkimi i një marrëveshjeje politike mes Prishtinës, Beogradit e Brukselit për kthimin e rendit e ligjit në veri, ka shënuar përplasjen e parë mes Qeverisë e EULEX-it.

Qeveria e Kosovës
Zyrtarë të Qeverisë e kanë parë këtë si tentativë për të shkelur sovranitetin e vendit. Më i ashpri ka qenë ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se nuk ka dobi nga EULEX-i, çfarë ka nxitur reagimin e misionit evropian.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se Qeveria do të vazhdojë të kërkojë efikasitet.

Ne si qeveri duam të shohim një efektivitet dhe efikasitet më të madh në zbatimin e mandatit të EULEX-it. Kur ka situata, kur vlerësojmë se nuk janë përmbushur ato qëllime, komunikimi duhet bërë hapur dhe të kërkojmë të rritet efikasiteti dhe efektiviteti i punës së tyre”, thotë Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje, një kritike e ashpër e misioneve ndërkombëtare, thotë se mungesa e suksesit rrjedh nga shpërfillja që këto misione u bëjnë kërkesave të popullit.

Glauk Konjufca, nga ky subjekt, thotë se misionet po e devijojnë agjendën e vërtetë të interesave shtetërore, duke e degraduar Kosovën në një objekt stabiliteti në Ballkan.
Statusi i pranive ndërkombëtare e bllokon demokracinë, për shkak se kemi të bëjmë me misione që kanë të bëjnë me kompetenca ekzekutive mbi institucionet e Kosovës.

Shteti i Kosovës duhet të jetë për hir të qytetarëve të tij, jo për hir të planeve të huaja. Statusi i pranive ndërkombëtare në Kosovë e bllokon edhe demokracinë, për shkak se kemi të bëjmë me misione që kanë të bëjnë me kompetenca ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Ato nuk janë llogaridhënëse ndaj popullit të Kosovës, ndërsa sundojnë mbi to (institucionet) dhe kanë imunitet prej ligjit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Konjufca.

Për shkak të problemeve politike, edhe kritikët më të mëdhenj thonë se Kosova ka nevojë për misionet ndërkombëtare, por punën më të madhe duhet ta kryejë vetë.

BE-ja do të sillet edhe si trajner, edhe si refer, e nganjëherë do të jetë edhe si bashkë-lojtar. Ky është realiteti. Por, misionet ndërkombëtare vështirë se e kritikojnë vetveten. Kosova nuk do t’i bartë dështimet e një misioni ndërkombëtar. Ajo i bart dështimet e veta”, thotë Rashiti.

Në anën tjetër, me gjithë ndihmat e mëdha të derdhura nga BE-ja dhe shtetet e tjera perëndimore në kuadër të misioneve ndërkombëtare, përgjatë 12 vjetëve, papunësia e varfëria në Kosovë mbesin më të lartat në Evropë. Integrimi i Kosovës në BE apo hyrja në OKB vazhdojnë të duken të largëta.