Osama vdiq, por dyshuesit kërkojnë prova

Fotografët pakistanezë pranë vilës ku thuhet se është strehuar bin Ladeni...

Uashingtoni e ka bërë të qartë se nuk ka dyshime për vdekjen e Osama bin Ladenit. Por, çdo ditë që kalon, sjell rritjen e kërkesave për të parë prova për vdekjen e kryeterroristit.

Në botë, ku teoritë e konspiracionit lulëzojnë, Uashingtoni duket se ka një moment jo të lehtë për t’u përballur me dyshimet.

Shumica e dyshuesve duket se janë në Abotabad, qytetin ku strehohej dhe ku u vra bin Ladeni.

Pranë shtëpisë, ku "ka jetuar bin Ladeni në Abotabad"...
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Fauad Ali Shah, i cili gjendet në Abotabad që nga vrasja e bin Ladenit, shpjegon:

“Jam këtu prej tre ditësh, që nga vrasja e Osamas. Kam folur me mbi 100 veta dhe shumica e tyre ende nuk janë të gatshëm të besojnë se Osama është vrarë në qytetin e tyre”.

“Kur i pyet rreth mosbesimit, përgjigjja është e njëjtë: Abotabadi është qendër e ushtrisë pakistaneze, si mund të fshihej këtu? Osama ishte në krye të listës së më të kërkuarve nga ushtria e Pakistanit, ndaj nuk mund të fshihej në lagjen ku gjendet Akademia Ushtarake Kakul”,
thotë Shah.

Ajo çfarë mungon për t’i bindur dyshuesit, janë provat e forta se Osama bin Laden ishte në Abotabad.

“Kur i pyet pse nuk besojnë, ata të gjithë do të kërkojnë foto. Nëse ushtarët amerikanë e vranë bin Ladenin, ku janë fotografitë? Kemi nevojë për prova. Shumica mendojnë se bëhet fjalë për një konspiracion kundër Abotabadit, qytetit që ka një të shkuar paqësore”, sqaron Shah, gazetar i Radios Evropa e Lirë.

Mungesa e fotove duket të jetë ushqimi kryesor për teoritë e konspiracionit. Pjesë e mosbesuesve janë dhe një numër politikanësh pakistanezë. Myfti Kifajatullah thotë se operacioni në Abotabad ishte i inskenuar.
E gjithë historia është e sajuar. Ai është arrestuar gjetkë dhe është sjellë në qytetin paqësor të Abotabadit, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara ta bënin operacionin nga ajri.

“E gjithë historia është e sajuar. Ai është arrestuar gjetkë dhe është sjellë në qytetin paqësor të Abotabadit, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara ta bënin operacionin nga ajri. Nuk mendoj se operacioni i vërtetë ka ndodhur në Abotabad. Ushtria pakistaneze e ka arrestuar dhe kur janë vënë nën presionin amerikan për ta dorëzuar, kanë sajuar sulmin artificial dhe kanë hapur fjalë për martirizimin e bin Ladenit”, thotë Kifajatullah.

Lulëzimi i teorive të konspiracionit, të cilat po debatohen gjerësisht në Pakistan, i ka vënë zyrtarët amerikanë në pozicion mbrojtës. I dërguari amerikan për rajonin, Mark Grosman, u deklaroi mediave se “mund të nxirrni teori konspiracioni sa të dëshironi, por ai ka vdekur dhe kjo është gjë e mirë”.

Uashingtoni ka sqaruar se nga analizat e ADN-së dhe krahasimi i fotove nga ekspertët, është vërtetuar se personi i vrarë është Osama bin Laden. Deri tani, Uashingtoni ka hezituar të publikojë fotografitë e kufomës se kreut të Al Kaidës.

Një numër ekspertësh mendojnë se fotot mund të jenë ofenduese për myslimanët dhe mund t'i nxisin terroristët, ndaj nuk duhet të publikohen.

Por, në mesin e atyre që mendojnë se fotot duhen publikuar është dhe shefi i CIA-s, drejtuesi i operacionit, Leon Paneta. Sipas Panetës, së paku një foto duhet publikuar.
(i.b.)