Shllaku: Dialogu, test për politikën e jashtme të BE-së

Luan Shllaku

BE-ja punon për një sukses, i cili është i rëndësishëm për politikën e jashtme evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shllaku, javën e ardhshme pritet të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Si e vlerësoni takimin e parë që është mbajtur dhe çfarë mendoni se do të bisedohet në raundin e dytë të këtij procesi?

LUAN SHLLAKU
Takimi i parë kishte për qëllim që të fillojë ky proces dhe shihej se Bashkimi Evropian e kishte me mjaft nguti fotografimin e parë në zyrën e zotit Kuper, me të cilin do ta shënonte fillimin e procesit, fillimin e dialogut si të tillë.

Arsyeja pse e kishin me nguti është jo vetëm se e morën këtë mandat nga Kombet e Bashkuara dhe se lëvizjet e fundit politike në Kosovë e ndalën këtë proces, do të thotë e vonuan mjaft - kjo mund të jetë njëra prej arsyeve - mirëpo, një arsye tjetër ishte se në Kosovë u pa se pothuajse e tërë opozita, mediat dhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile ishin kundër dialogut.

Kur themi kundër dialogut, nuk mendoj se të gjithë këta aktorë shumë të rëndësishëm të shoqërisë ishin kundër faktit se duhet të dilet në dialog, por ata ishin kundër faktit se duhet të ngutemi të dalim në këtë dialog, pa i parë të gjitha përgatitjet e duhura që janë bërë nga ana e qeverisë dhe pa e parë se jemi të fortë në atë moment kur të dalim para palëve të tjera.

Në këtë kontekst, unë e shoh që ngutia e Bashkimit Evropian, e zotit Kuper, ishte një instrument politik, i cili deshi që ta fillojë procesin, për të thënë pastaj se 'Nuk ka më prapa. Ne filluam dhe ju kot e keni nëse mendoni se duhet të vonohemi, për shkak të mospërgatitjes. Ne filluam të shkojmë përpara’.

Unë nuk mendoj se zoti Kuper do të vazhdojë ta injorojë mendimin e një pjese të madhe të shoqërisë kosovare, sepse nuk është e parëndësishme nëse përqindja më e madhe këtu mendon se pala kosovare është futur shumë ngutshëm në këtë proces dhe se s’është mjaft e përgatitur.

Por, pasi që e filloi procesin, ai ka menduar dhe sigurisht mendon se ka blerë një kohë të mjaftueshme për të bërë një plan se si do të fillojë t’i adresojë këto adresa - shoqërinë civile, opozitën dhe të gjithë së bashku me një qasje pak më të butë apo një qasje e cila do të thotë “Po, e kemi të rëndësishëm edhe mendimin e juaj - na e thoni”.
Por, kur është tepër vonë, nuk e di se sa do të jetë i rëndësishëm ai mendim.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në këtë dialog. A është Bashkimi Evropian i barabartë me të dyja palët, si lehtësues i këtyre bisedimeve?

LUAN SHLLAKU
Jam i bindur se Bashkimi Evropian ka qëllime të mira për dialogun. Definitivisht nuk mendoj se ai është në një pozitë të marrë anë në këtë proces.

Mirëpo, Bashkimi Evropian, në rend të parë, punon për vete, punon për një sukses, i cili është aq i munguar apo aq i rëndësishëm për politikën e jashtme evropiane, e cila sapo ka filluar të depërtojë si e tillë.

Pra, në rend të parë, është krejt normale që e shohin se çfarëdo suksesi që arrihet në dialog, do të jetë sukses i tyre, sepse politika e jashtme është kritikuar me vite të tëra.

Në anën tjetër, mos të harrojmë se Bashkimi Evropian nuk ka pozitë unike dhe nuk është qindpërqind i paanshëm në këtë proces. Bashkimi Evropian - janë 27 shtete, 22 prej tyre e kanë pranuar Kosovën dhe 5 prej tyre s’e kanë pranuar Kosovën. Pra ai, nga pozita e 22 plus 5-shit, është në një pozicion ku 22 i thonë ‘Shko përpara dhe Kosovës duhet t’ia hapim të gjitha rrugët që ajo ta forcojë pavarësinë dhe të tjera’, ndërsa pesë të tjera do të thonë ‘Ndalu në këtë proces’.

Kështu që, Bashkimi Evropian për atë luan me këtë nocionin e bisedave teknike për çështje shumë të vogla, sepse prapa gjithmonë i ka 22 apo pesë të tjerët, të cilët mund t’i thonë ‘Stop, nuk ke më mandat për të shkuar më tutje apo më thellë në këtë proces”.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, ditë më parë, publikuat një strategji, përmes së cilës sugjeruat që Bashkimit Evropian t’i kërkohen kushte të caktuara për, siç e keni quajtur ju, evropianizimin e Kosovës gjatë dialogut. A mendoni se Prishtina zyrtare është në pozitë për të pasur kërkesa të tilla?

LUAN SHLLAKU
Prishtina zyrtare duhet patjetër ta krijojë pozitën e tillë nëse nuk e ka, por unë nuk e shoh pse nuk e ka një pozitë të tillë. E gjithë kjo është bërje politikë me disa aktorë shumë të rëndësishëm.

Serbia është aktor shumë i rëndësishëm, sepse kemi shumë telashe me të. Shumë e kollajshme është politika që duhet të bëjmë me një shtet mik, por politika ashtu siç duhet, duhet bërë aty ku kemi vështirësi.

Në anën tjetër, kemi po ashtu vështirësi me Bashkimin Evropian, jo për shkak se s’e kemi përkrahjen e tij, por për shkak se çdo proces i filluar dhe i premtuar nga ai, ka hasur menjëherë në një qorrsokak.

Në këtë kontekst, mendoj se Prishtina duhet të jetë politikisht shumë e denjë dhe e fortë që të dy partnerët t’i adresojë në mënyrë adekuate, posaçërisht Evropën, sepse ato që ne i quajmë kushtëzime, që është në rend të parë liberalizimi i vizave, e po ashtu edhe fillimi i proceseve për avancimin e pozitës sonë, do të thotë marrëdhënies kontraktuale me Evropën - shoh se të dyja këto procese, kur duan ta diskualifikojnë njëra-tjetrën, në mënyrë të kollajshme ata bëhen se nuk po na kuptojnë dhe na thonë ‘Po si mund të bisedohet tash në dialog për vizat’?- ‘Jo, mor jo’....

Ne nuk po themi se në dialog duhet të flitet për viza, por ne, para se të fillojë dialogu, për ato çështje për të cilat duhet të bisedojmë, mendojmë se duhet të kërkojmë të njëjtat favore, të cilat Evropa është duke ia bërë Serbisë.

Evropa Serbisë i ka premtuar status-kandidatin, jo duke e futur në dialog me Kosovën, sepse nuk ka kuptim. Po ashtu, ne mendojmë se të njëjtën punë duhet ta bëjë dhe me neve - jashtë dialogut të thotë ‘Po, ne do të jemi shumë të kujdesshëm dhe ne do t’ju japim më në fund shansin’- që ne ta meritojmë udhëtimin pa viza, në rend të parë, e ta meritojmë momentin kur ne do të ulemi dhe do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Pra, ne kërkojmë shans, nuk kërkojmë të marrim një favor të tillë, i cili na bie nga qielli.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se Bashkimi Evropian po luan një lojë të dyfishtë?

LUAN SHLLAKU
Po, në këtë rast, nëse i qasemi vetëm kësaj pjese - kërkesave që ne i kemi karshi Bashkimit Evropian. Unë do ta quaja lojë të dyfishtë faktin që ai nuk do të mendojë për avancimin e pozitës së Kosovës karshi procesit integrues, por do të mendojë, për të njëjtën punë, karshi Beogradit.

Mirëpo, në qasjen tjetër, kur me të vërtetë dialogu në mes të Kosovës e Serbisë është në pyetje, atëherë unë plotësisht e kuptoj që Bashkimi Evropian nuk do të jetë i njëanshëm në këtë dialog. Por, ne do të jemi në pozitën e të dobëtit, sepse kemi shumë momente, të cilat na kualifikojnë më të dobët sesa Serbinë.

Në këtë aspekt, ne duhet të ndihmohemi më tepër që për shumicën e obstruksioneve që na i ka bërë Serbia deri më tash, ta bindim Serbinë që të mos bëjë më shumë obstruksione të tilla. Ne s’kemi të flasim për çështje ku duhet një kreativitet i madh. Thjesht, pjesa më e madhe e çështjeve teknike kanë të bëjnë me atë që duhet t’i thuhet Serbisë ‘Ktheji më ato libra që i ke marrë në Kosovë! Lejo që të shfrytëzohet kjo hapësirë! Prano targat! Lejo kodin ndërkombëtar!’ dhe të tjera.

Pra, puna më e madhe do të jetë me Serbinë për t’i thënë ‘Mjaft më bëre obstruksione!’.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se bisedimet me Beogradin zyrtar do të përfundojnë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Në Bruksel bisedimet i shohin si mundësi për zgjidhjen e problemeve në mes të palëve në rrugën e integrimit të tyre në BE. Një mendim i juaji?

LUAN SHLLAKU
Është shumë normale që në Bruksel dhe shumica e aktorëve realë sot e shohin çështjen e pranimit nga Beogradi si kafshatë që, në këtë moment, s’kapërdihet lehtë.

Fundi i fundit, Kushtetuta e Serbisë nuk e lejon askënd në Serbi që ta bëjë atë punë pa e ndërruar Kushtetutën. Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës nuk na lejon neve të bëjmë asnjë hap në cenimin e sovranitetit të Kosovës pa e ndërruar Kushtetutën.

Kemi përplasje kushtetutash dhe s’është kjo çështje e dy negociatorëve, të cilët në moment mund të jenë të disponuar dhe ia japin njëri-tjetrit dorën.

Ky është një problem shumë më i thellë dhe besoj se do të duhet kohë për të arritur në atë ditë, kur në Serbi do të merren në mënyrë shumë më serioze me këtë obligim që ata e kanë - e ai është që ta pranojnë Kosovën për t’i hapur rrugën vetës dhe Kosovës për t’u futur në Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian e di këtë punë dhe për këtë ata nuk mendojnë tash e dhjetë vjet përpara. Por, mendojnë t’i kenë disa suksese të vogla, duke e ndalur obstruksionizmin e Serbisë ndaj disa çështjeve, për të thënë se ‘ Po e shihni, politika e jashtme evropiane është e suksesshme’, por duke lëshuar gjakrat pak më poshtë në këto marrëdhënie Kosovë-Serbi.