Paqartësi mbi imunitetin e Limajt

Fatmir Limaj (Foto arkiv)

Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale, për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet. Kjo deklar`atë vjen në kohën kur EULEX-i edhe pse ka lëshuar fletë-arrest për deputetin Fatmir Limaj, nuk ka kërkuar ende heqjen e imunitetit të tij. EULEX-i akuzohet se me lëshimin e fletë-arrestit ndërmori veprim të jashtëligjshëm.


Misioni evropian për sundimin e ligjit thotë se “prokurorët e EULEX-it nuk kanë bërë kërkesë për heqjen e imunitetit të zotit Limaj”.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ky mision thotë se “ çështja e imunitetit është duke u sqaruar”.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale “për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet”.

Deputeti Limaj, ndaj të cilit EULEX-i ka lëshuar fletë-arrest për dyshime për krime lufte, ka thënë një ditë më parë se është i gatshëm që të heqë dorë nga imuniteti i deputetit, për t’u vënë në shërbim drejtësisë.

Limaj dhe disa ish-pjesëtarë të UÇK-së akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kanë kryer krime lufte në fshatin Kleçkë në vitin 1999.

Limaj, i cili për akuzat se ka kryer krime lufte në Kleçkë, është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, ka deklaruar se edhe pse konsideron se është i pafajshëm, nuk do të fshihet pas imunitetit, por do ta dorëzojë atë.

Por, avokati i tij, Tomë Gashi, thotë se EULEX-i, me lëshimin e fletë-arrestit ka bërë një veprim të kundërligjshëm, meqë nuk mund të lëshohet fletë-arrest ndaj një deputeti.
...lëshimi i fletë-arrestit nuk ishte ligjor, sepse heqjen e imunitetit mund ta kërkojë vetëm kryeprokurori i shtetit dhe askush tjetër.

Paraprakisht është dashur që të vendosë Kuvendi i Kosovës për heqjen apo jo të imunitetit të deputetit Fatmir Limaj dhe tek pas asaj, nëse është hequr, EULEX-i ka mundur të lëshojë fletë-arrest. E dyta, lëshimi i fletë-arrestit nuk ishte ligjor, sepse heqjen e imunitetit mund ta kërkojë vetëm kryeprokurori i shtetit dhe askush tjetër".

"Në ligj është përcaktuar saktësisht që thotë “vetëm”. Ajo ‘vetëm’ nuk i jep të drejtë EULEX-it që të bëjë interpretime çfarë ata kanë tentuar të bëjnë me rastin e lëshimit të fletë-arrestit. Për këtë arsye ai fletë-arrest është joligjor dhe duhet të anulohet, të tërhiqet”,
thotë Gashi.

Por, Prokuroria heq përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se për krimet, për të cilat dyshohet deputeti, nuk ka mandat që të kërkojë heqjen e imunitetit.

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputetë dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera, para se të zgjidhen deputetë, apo vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputetë".

"Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin nr. 03/L-11 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit”,
thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Shtetit.

Në deklaratë thuhet se “organi që zbaton procedurën penale nuk është i detyruar të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se a gëzon një person imunitet apo jo dhe nga personi që gëzon imunitet varet se a do thirret në imunitet”.

Prokuroria e Shtetit sqaron se deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e deputetit pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale, për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.

“Prandaj, Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale, për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet. Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit, nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave të Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, mësohet se ekspertët ligjorë në EULEX janë duke shqyrtuar nenet e Ligjit për deputetë dhe të Kushtetutës së Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me imunitetin e deputetëve.

Interpretimet duket se kanë rezultuar të ndryshme, duke shtyrë kështu përpilimin e ndonjë kërkese eventuale për heqjen e imunitetit.

Mungesën e ndonjë kërkese për heqje të imunitetit e kanë konfirmuar edhe kabineti i kryetarit të Kuvendit edhe Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, Armend Zemaj, shpjegon procedurat e heqjes së imunitetit:

“Kërkesën duhet ta parashtrojë organi kompetent, në këtë rast Prokuroria apo Gjykata, e cila duhet të parashtrohet te kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit, brenda dy ditësh, duhet t’ia dorëzojë komisionit për mandate dhe imunitete dhe rregullore të punës së Kuvendit, i cili tash është nënkomision i komisionit për legjislacion dhe gjyqësi. Komisioni e shqyrton. Duhet të thirret edhe deputeti. Shqyrtohet kërkesa dhe i parashtrohet seancës plenare”.

Rregullorja e punës dhe Kushtetuta nuk njeh procedurë të dorëheqjes apo të dorëzimit të imunitetit, por për këtë duhet të votojnë deputetët.
Në rast se votohet kundër heqjes së imunitetit, deputeti duhet të lirohet dhe nuk mund të ecet me procedura të arrestimit...


Votimi, sipas Zemajt, duhet të jetë i fshehtë.

“Në rast se votohet kundër heqjes së imunitetit, deputeti duhet të lirohet dhe nuk mund të ecet me procedura të arrestimit apo diçka tjetër”, sqaron Zemaj.

Avokati i deputetit Limaj, Tomë Gashi, këmbëngul se EULEX-i nuk mund të parashtrojë kërkesë për heqjen e imunitetit. Ndërsa, nëse kryeprokurori Ismet Kabashi vendos të mos kërkojë një gjë e tillë, rasti, sipas Gashit, do të mbyllet.

EULEX-i ka bërë të ditur se imuniteti i zotit Limaj është duke u sqaruar. Për këtë çështje, prokurorët e EULEX-it kanë zhvilluar një bisedë dyorëshe me zotin Limaj, dy ditë më parë, përkatësisht në ditën kur ndodhën arrestimet e 9 personave të tjerë, që dyshohet se janë të implikuar në rastin Kleçka.