Rrugëtimi evropian me dialog

Fotografi ilustruese

Klubi për Politikë të Jashtme publikoi strategjinë “Të synosh lartë - Vizioni evropian për dialogun Kosovë-Serbi”, përmes të cilit paraqiti një varg rekomandimesh për qasjen e BE-së ndaj të dyja palëve - me theks të veçantë ndaj Kosovës. Përfaqësues të BE-së u shprehën skeptikë lidhur me disa synime që kanë të bëjnë me integrimit evropian e që, sipas dokumentit, duhet t’i realizojë Kosova gjatë dialogut me Beogradin zyrtar.

-
Brukseli dhe Prishtina duhet të pajtohen për një udhërrëfyes për krijimin e marrëdhënieve më të balancuara ndërmjet Prishtinës e Beogradit karshi Brukselit, përderisa në të njëjtën kohë të përforcohet legjitimiteti i BE-së si “ndërmjetës” i bisedimeve, vlerësoi Klubi për Politikë të Jashtme.

Përmes strategjisë “Të synosh lartë-vizioni Evropian për dialogun Kosovë-Serbi”, ky klub sugjeroi autoritetet kosovare që t’i kërkojnë BE-së një pasqyrë më të hollësishme rreth përfitimeve që do t’i ketë pala kosovare nga dialogu me shtetin serb.

Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha se që nga takimet e para ndërmjet palës serbe e asaj kosovare është vërejtur një, siç e quajti ai, diskrepancë në mes të aftësisë së Serbisë për t’u integruar dhe aftësisë së Kosovës.

Veton Surroi

“Procesi i cili zhvillohet tash e tutje e nuk e ka të ingranuar aftësinë e Kosovës për të ecur përpara në integrimin evropian shndërrohet në të kundërtën-shndërrohet në një proces anti-evropian për Kosovën, sepse e ngrin gjendjen çfarë është apo e degradon edhe më tutje”,
u shpreh Surroi.

Dokumenti i Klubit për Politikë të Jashtme vë në pah rëndësinë që gjatë dialogut, BE-ja të paraqesë një propozim konkret për sigurimin e marrëdhënieve kontraktuale me Kosovën, që Kosovës t’i ofrohet një “proces aderues neutral ndaj statusit” në BE dhe udhërrëfyesi për lehtësimin e regjimit të vizave me BE-në.

Mirëpo, eurodeputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të ndërlidhen me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo u shpreh skeptike lidhur me pritjet e kosovarëve se hyrja në bisedime me shtetin serb, të pasojë me hyrjen e Kosovës në listën e bardhë Shengen, ngase ky, sipas saj, është një proces teknik.

Ulrike Lunacek

“Nëse e kërkoni atë si një nga gjërat që dëshironi nga dialogu - nga ata që po e zhvillojnë dialogun - ata nuk mund të vendosin për këtë gjë. Është shumë legjitime dhe e arsyeshme që ju ta kërkoni atë, por duke e ndërlidhur në këtë mënyrë, dyshoj se mund të ecni përpara”,
u shpreh Lunacek.

Lunacek tha se përjashtimi i Kosovës nga liberalizimi i vizave me BE-në nuk ka të bëjë aq shumë me mosnjohjen e vendit nga pesë shtetet anëtare të këtij mekanizimi, aq sa ka të bëjë me qëndrimet e një varg shtetesh anëtare, te të cilat, sipas saj, vërehet presioni i disa partive “ksenofobe”.

Përfshirja e Kosovës në proceset integruese në BE, sipas Luan Shllakut nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, do të jetë në interesin e vetë Brukselit zyrtar.

“Nëse BE-ja dështon ta ndihmojë Kosovën për t’u përafruar, ajo do ta nënçmojë; ajo do ta nënçmojë dukshëm kredibilitetin e saj si aktore në politikat e jashtme. Të 22 shtetet që kanë njohur Kosovën, kanë interesa të sigurojnë se investimet politike dhe financiare të Bashkimit Evropian rezultojnë me një storie suksesi- një Kosovë evropiane”,
tha Shllaku.

Në intervistat dhënë mediave lokale gjatë ditës, shefja e ekipit kosovar për bisedime, Edita Tahiri, tha se do t’i kërkojë shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton një qëndrim të qartë të Brukselit karshi liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale të BE-së me Kosovën.

Në Bruksel, dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit vlerësohet të jetë një mundësi e mirë për zgjidhjen e problemeve mes palëve, me qëllim të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Takimet ndërmjet palëve në kuadër të dialogut pritet të vazhdojnë në javën e ardhshme.