EULEX-i nuk shqipton masë ligjore ndaj Limajt

Fatmir Limaj

EULEX-i nuk i ka shqiptuar asnjë masë ligjore deputetit Fatmir Limaj, ndaj të cilit u lëshua fletëarresti nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Avokati i tij Tomë Gashi, bëri të ditur se sot pasdite Limaj mund të paraqitet në Gjykatën e Qarkut.

Në anën tjetër, EULEX-i, përmes një deklarate të shkruar, i tha Radios Evropa e Lirë, se “mbrëmë një prokuror i EULEX-it ka biseduar me zotin Fatmir Limaj rreth statusit të tij si deputet”, por nuk janë dhënë detaje tjera.

Ky mision ka bërë të ditur se "nga tetë të arrestuarit ditën e djeshme nën akuzat për krime lufte, pesë kanë mbetur në paraburgim për 30 ditë, dy të pandehur në arrest shtëpiak dhe një i pandehur është urdhëruar të paraqitet në polici tri herë në javë".


Limaj lirohet në shtëpi pas intervistimit

Deputeti Fatmir Limaj, i cili mbrëmë u paraqit vullnetarisht tek autoritetet e drejtësisë është liruar në orët e vona të natës.

Policia e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për krime të luftës. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj.

Në këtë kuadër, misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka lëshuar flet-arrest edhe nënkryetarin e PDK-së, Fatmir Limajn.

Ky i fundit është paraqitur vullnetarisht në një bazë të EULEX-it në Fushë Kosovë, ku është intervistuar për dy orë nga ana e prokurorëve të EULEX-it.

Pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij, Tomë Gashi, ish ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit është lënë i lirë, por nuk janë saktësuar procedurat e mëtejme.

Avokati i Limajt, Tomë Gashi ka thënë shkurt:

Pas njoftimit që ka qenë ne jemi lajmëruar në EULEX, po e shihni duke dalë bashkërisht, sigurisht që zoti Limaj ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe për sonte është i vetmi lajm që mund t‘ju themi ai është duke shkuar në shtëpi te familja e vet. Kjo është e vetmja çka mund të deklarojmë për sonte. Sigurisht që do të vazhdoj procedurat, por për sonte është vetëm kjo”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Limaj ka thënë se është në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Ajo që e tha edhe Toma unë jam në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë. Ligji duhet respektuar, kështu kurdo që të kenë do të kenë dispozicionin tim”, ka theksuar Limaj.

Limaj, i cili pak para orës 22 të mbrëmjes së djeshme, u paraqit tek autoritetet e drejtësisë së EULEX-it, deklaroi se për të, "vendi është mbi të gjitha" dhe se "shpreson që fjalia askush mbi ligjin të mos keqpërdoret".

E di që është e vështirë për ata që kanë pasur besim tek ai", por, sipas tij, rendi ndihmohet në këtë mënyrë.

Kam thënë edhe më herët se po t'i kisha 1 milion jetë, nuk do të ndërroja asgjë në jetën time. Krejt potencialin tim njerëzor dhe familjar e kam vënë në shërbim të çlirimit të vendit", tha Limaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hawton ka thënë se arrestimi i nëntë personave dhe bastisja është bërë në kontekst të një hetimi për krime të luftës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka bërë sigurinë e gjithëmbarshme të operacioneve. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj".

"Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, bazuar në dyshimet e bazuara për vrasje, torturime dhe vepra tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999. Hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK)
”, tha Hawton.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar të mërkurën pas arrestimeve nga ana e EULEX-it të katër ish-pjesëtarëve të saj.

“Jemi tepër të indinjuar me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së UÇK-së nga Malisheva dhe Lipjani".

"Ritheksojmë se veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë
”, thuhet në reagimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Më poshtë mund të lexoni emrat e personave që janë në fletë-arrestin e lëshuar nga EULEX-i, disa prej të cilëve edhe janë arrestuar:


Hajdar Hoxha, i lindur më 1968, Rahovec;

Ukë Gegaj, i lindur më 1964, Suharekë;

Fatmir Limaj, i lindur më 1971, Banjë e Malishevës;

Naser Krasniqi, i lindur më 1973, Rahovec;

Besim Shurdhaj, i lindur më 1974 n/p;

Arben Krasniqi, i lindur më 1978, Carrallukë e Malishevës;

Behlul Limaj, i lindur më 1965, Banjë e Malishevës;

Nexhmi Krasniqi, i lindur më 1972, Tërpezë;

Naser Shala, i lindur më 1972;

Sabit Shala, i lindur më 1972, Kleçkë;

Refki Mazreku, Malishevë;

Shaban Shala


Në vazhdim mund të shikoni deklaratën e Nikolas Hauton, zëdhënës i EULEX-it, për arrestimet e sotme.


(Video: EULEX)