Reformë e plotë zgjedhore - tani!

Fotografi ilustruese

Pasi ua dorëzoi autoriteteve kosovare rekomandimet për reforma zgjedhore, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë theksoi rëndësinë për nisjen sa më parë të këtij procesi.

Disa ndryshime në Ligjin për zgjedhjet u bënë edhe para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, në dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo konsultimet në mes të faktorëve relevantë thuhet se patën çuar në ndryshime të përshpejtuara dhe gjysmake.

Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Maja Pavloviq, përmes një deklarate me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, theksoi rëndësinë për një reformë të plotë zgjedhore.
Pas formimit të institucioneve të reja, pa vonesë, do të duhej të niste një reformë e plotë zgjedhore.


“Pas formimit të institucioneve të reja, pa vonesë, do të duhej të niste një reformë e plotë zgjedhore. Ajo duhet të bazohet në konsensusin ndër-partiak dhe në konsultimet e gjera me publikun dhe shoqërinë civile. Ne jemi të gatshëm për ta mbështetur këtë proces”, u shpreh Pavloviq.

Në raportin, të cilin përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian ia dorëzuan kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, javën e kaluar - përveç analizës për zgjedhjet e kaluara - ofrohen, ndër të tjera, rekomandime për uljen e pragut zgjedhor nga 5 për qind në 2 apo 3 për qind, ndryshime në mënyrën e funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mënyra për përmirësimin e procesit për ankesa dhe parashtresa.

Ndryshimet legjislative, të cilat do të përmirësonin procesin e zgjedhjeve në Kosovë i mbështeti dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Zëdhënësi i kësaj zyre, Endi Mekgafi , shpjegoi:

“Ne përshëndesim përparësitë e një reforme të sistemit aktual zgjedhor për të rritur besimin e qytetarëve në përfaqësimin demokratik të pikëpamjeve të tyre".

"Ne mirëpresim propozimet, të cilat do të forconin dhe modernizonin administrimin e zgjedhjeve në Kosovë”.

Mekgafi
theksoi rëndësinë që, edhe pas ndryshimeve, ligji të mbetet në përputhje me Planin e Ahtisarit.

Një nga ligjet që buron nga ky plan, është Ligji për Zgjedhjet në Kosovë, i cili në rast të ndryshimit rreth zonës zgjedhore, do të pasonte me ndryshimin e Kushtetutës së vendit.

Njohësit e proceseve zgjedhore në Kosovë thonë se për shkak të kohës dhe procedurave që nevojiten për t’i bërë këto ndryshime, puna e reformimit të legjislacionit për zgjedhje duhet të nisë që tani.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Adnan Merovci, jep më shumë hollësi...
Reformat zgjedhore i kanë dy etapa: është karakteri organizativ i krejt qasjes në reformë dhe karakteri ekzekutiv.


“Reformat zgjedhore i kanë dy etapa: është karakteri organizativ i krejt qasjes në reformë dhe karakteri ekzekutiv. Komponenta e parë duhet të fillojë sa më parë, sepse nga ajo dalin përfundime dhe duhet një qasje e karakterit organizativ".

"Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me vetë Kushtetutën e Kosovës dhe për ndërrim të Kushtetutës kërkohet pak më shumë kohë”
.

Ndërkohë, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zait Xhemalji, tha se pavarësisht kohëzgjatjes që do të merrnin reformat zgjedhore, qëllimi i fundit duhet të jetë krijimi i kushteve për zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Xhemajli sugjeroi mekanizmat përkatës të nxjerrin mësime nga zgjedhjet e kaluara që, sipas tij, u karakterizuan nga shumë parregullsi.

“Subjektet politike kanë qenë të interesuara që të arrijnë të marrin vota- nuk kanë qenë të interesuara për një proces të mirëfilltë dhe për një demokraci zgjedhore".

"Mirëpo, mendoj se ka ardhur koha kur njerëzit me ide përparimtare e do të përpiqen që vërtet ta konsolidojnë një sistem zgjedhor të atillë, i cili do t’i mundësonte secilit ta mbrojë votën e vet”
, tha Xhemajli.