Kosovë, BE: Biznesi humb 140 milionë euro

Fotografi ilustruese

Mungesa e preferencave autonome tregtare për Kosovës, të cilat me vendim të Këshillit Evropian janë ndërprerë që nga fillimi i këtij viti, për përfaqësues të komunitetit të biznesit, ka ndodhur për shkak të neglizhencës së autoriteteve kompetente. Në anën tjetër, udhëheqës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se ndërprerja e këtyre masave ka ndodhur për shkak të mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.


Ndërprerja e preferencave autonome tregtare për produktet kosovare që të depërtojnë në tregun evropian, ka bërë që bizneset kosovare të humbin rreth 140 milionë euro në vit, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Në fund të vitit të kaluar ka skaduar afati i preferencave tregtare, të vendosura nga Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Këto preferenca mundësojnë eksportet e prodhimeve të rajonit në tregjet e Unionit Evropian pa tarifa doganore apo kufizime mbi sasitë.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ndërprerja e këtyre preferencave ka ndodhur për shkak të neglizhencës se autoriteteve kompetente për të ripërsëritur marrëveshjen më Komisionin Evropian..

“Nga Komisioni Evropian është kërkuar që t’i jepet me shkrim për efektet e depërtimit të produkteve kosovare në tregun evropian. Me muaj të tërë ka pritur KE-ja dhe një shkresë shumë e thjeshtë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka shkuar në Bruksel, që të thuhet se Kosova në tregun evropian brenda një viti eksporton 140 milionë euro. Kjo ngase pasojat nuk i bartin ata që nuk punojnë, pasojat i bart ekonomia e Kosovës, komuniteti i biznesit dhe kuptohet popullata në përgjithësi”,
thotë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre e Kosovës dhe njëherësh Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, pranon se humbjet e Kosovës nga kjo ndërprerje e preferencave tregtare, kapin shifrën e rreth 140 milionë eurove në vit.

Por, sipas saj, arsye e bllokimit të këtyre preferencave është mos njohja e shtetit të Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

“Për shkak se është ngrirë çështja emrit të Kosovës, pasi që Kosova në të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet e Bashkimit Evropian është e shënuar me asteriks, do të thotë, me një fusnotë, e cila tregon se Kosova është sipas rezolutës 12 44, për shkak të faktit të mospranimit të pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”
, sqaron Kusari-Lila.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari- Lila, tregon se tashmë janë duke bërë përpjekje për zhbllokimin e këtyre preferencave.

“Jemi shumë të interesuar, kemi filluar bisedimet me përfaqësues të Komisionit Evropian. Nga ana e Komisionit gjithçka është e qartë. Tani mbetet edhe aspekti i institucioneve të Parlamentit Evropian. Shumë shpejt do të mundohemi që të organizojmë një vizitë me ministren e Integrimeve në Bruksel, në mënyrë që të arrijmë te zhbllokimi. Përderisa kemi eksporte për Bashkimin Evropian, ta shfrytëzojmë atë mundësi dhe t’ua japim atë mundësi bizneseve kosovare”
, pohon Kusari- Lila.

Në vitin 2000, Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin.