Takimi i radhës pas dy javësh

Aksion i Lëvizjes Vetëvendosje kundër bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, 12 mars 2011.

Takim i formatit të njëjtë mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të mbahet pas dy javësh, tha shefja e ekipit kosovar të bisedimeve, Edita Tahiri. Sipas saj, shpresa që këto bisedime të prodhojnë rezultate, varet te kushtet e Bashkimit Evropian që ua ka vënë vendeve për integrim në BE. Por, Lëvizja Vetëvendosje tha se Serbia do të përfitojë integrimin, ndërsa brenda Kosovës, në veri, do të krijohet një “republikë serbe”.


Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohen çdo dy javë, ndërsa takimi i parë përfundoi pa marrëveshje mes palëve.

Shefja e ekipit kosovar të bisedimeve, Edita Tahiri, tha se sipas dinamikës së caktuar, është paraparë që çdo dy javë të ketë takime mes saj dhe homologut serb, Borko Stefanoviq. Gjithnjë, palë e tretë mbetet Bashkimi Evropian, përkatësisht Robert Kuper, dhe pjesëmarrës në takim përfaqësuesi amerikan, Tomas Kantrimen.

Pas kthimit nga Brukseli, ku u zhvillua takimi i parë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri përsëriti se Beogradi vazhdon me mentalitetin e së kaluarës dhe si pasojë e kësaj, nuk është arritur marrëveshje për katër temat e diskutuara.

Mosmarrëveshjet, sipas Tahirit, viheshin në pah kur prekeshin interesat kombëtare.
Kur zgjidhjet preknin interesat nacionale, asnjë palë nuk ishte e gatshme të lëvizë.

“Kur zgjidhjet preknin interesat nacionale, asnjë palë nuk ishte e gatshme të lëvizë. Ne kemi shkuar me vija të kuqe; ky është një dialog teknik dhe nuk prek çështjen e statusit dhe të pavarësisë”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka filluar një fushatë për, siç thuhet, vetëdijësimin e qytetarëve të Kosovës për dëmin që po i shkaktohet vendit me fillimin e negociatave të reja me Serbinë.

Në fletushkat e shpërndara në Prishtinë thuhet se negociatat e integrojnë Serbinë në BE dhe e dëmtojnë Kosovën. Aktivisti Zgjim Hyseni numëroi arsyet pse, sipas Lëvizjes, nuk duhet hyrë në bisedime.
Nuk duhet negociuar me Serbinë, sepse negociatat e krijojnë Republikën Serbe brenda Kosovës.

“Nuk duhet të negociohet me Serbinë, sepse negociatat e integrojnë Serbinë në BE; nuk duhet negociuar me Serbinë, sepse negociatat e krijojnë Republikën Serbe brenda Kosovës; nuk duhet negociuar me Serbinë, sepse Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës; nuk duhet negociuar me Serbinë, sepse Serbia nuk po e ndryshon Kushtetutën e saj, ku ajo e paraqet Kosovën si pjesë integrale të Serbisë; nuk duhet negociuar me Serbinë, sepse ajo vazhdon t’i financojë dhe t’i përkrahë strukturat paralele në Kosovë”, tha Hyseni.

Pretendimet për krijim të një ‘republike serbe’ në Kosovë hidhen poshtë nga zyrtarët e qeverisë, të cilët thonë se statusi mbetet i paprekur.

Të gjitha negociatat që janë zhvilluar mes Kosovës e Serbisë në fund nuk kanë sjellë një rezultat të pranueshëm për të dyja palët. Kësaj here, Edita Tahiri është më optimiste, për faktin se, siç tha ajo, Kosova ka hyrë në bisedime si shtet sovran, edhe pse zyrtarët serbë nuk e njohin ende Kosovën dhe nuk konsiderojnë atë palë të barabartë në bisedime.

Por, aspirata për t’u integruar në BE, sipas Edita Tahirit, e ka shtyrë Serbinë që të hyjë në dialog.

Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
“Arsyeja pse edhe pala tjetër, edhe Serbia, ishte e gatshme për këto biseda, ndërlidhet me kushtet që duhet të plotësohen në kuadër të proceseve të integrimeve evropiane”.

“Siç e dini, janë dy kushte themelore: fqinjësia e mirë dhe konstruktiviteti në bashkëpunimin rajonal - janë dy standarde, të cilat çdo shtet që aspiron të bëhet shtet i BE-së, duhet t’i plotësojë”,
u shpreh Tahiri.

Përveç temave që u diskutuan në takimin parë: regjistri civil, kthimi i dokumenteve kadastrale, problemi i CEFTA-s e vulat doganore, sipas Tahirit, në të ardhmen do të diskutohet edhe çështja e të pagjeturve, asimetria tregtare, telekomunikacioni, fondi pensional dhe shumë probleme të tjera të grumbulluara për 12 vjet.

Qeveria tashmë ka marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës për bisedimet, edhe pse pa votat e opozitës. Këtë javë, Kuvendi miratoi një rezolutë, për të cilën thuhet se i jep mbështetje dialogut Kosovë - Serbi, si dy shtete të pavarura e sovrane, dhe i jep një rol shtesë Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të filluar të bisedimeve.