Kohen: Veriu i Kosovës, mollë sherri e bisedimeve

Lenard Kohen

Bisedimet Prishtinë-Beograd do të rrjedhin ngadalë, ndërsa ndarja e Kosovës nuk është në tryezë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lenard Kohen, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Simon Fraser, në Vankuver.

EVROPA E LIRË
Kosova e fitoi qeverinë e re të koalicionit. Çfarë ardhmërie shihni para saj, në dritën e akuzave për parregullsi zgjedhore, si dhe pretendimeve të Dik Martit, që shkojnë deri te kryeministri Hashim Thaçi?

LENARD KOHEN
Mendoj se zoti Thaçi ka humbur shumë nga legjitimiteti, sigurisht më shumë ai sesa Kosova, si për parregullsitë zgjedhore, ashtu dhe për raportin e Martit. Ai qartazi nuk e gëzon atë reputacion që e kishte para një viti para zgjedhjeve dhe raportit të Këshillit të Evropës. Kjo në masë të madhe do t’ia vështirësojë prezantimin e Kosovës jashtë, por do t’ia vështirësojë punën edhe në skenën e brendshme politike.

Zoti Pacolli, i cili do të jetë president i Kosovës dhe partia e tij hynë në koalicion - kjo do t’ia lehtësojë pak Thaçit kontaktet që i ka në botë, ekonomike, politike, madje edhe të inteligjencës. Por, Thaçi përfundimisht do të ketë më shumë probleme se më parë. Kjo në një masë do t’u hedhë hije bisedimeve të Kosovës me Serbinë që do të fillojnë në mars.

EVROPA E LIRË
Partia e Pavarur Liberale që, gjithashtu, merr pjesë në Qeverinë e Kosovës, fitoi tri ministri. Kjo parti nuk e ndoqi qëndrimin e qeverisë në Beograd se partitë serbe nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje. A mendoni se vendimi i saj për të bojkotuar qëndrimin e Serbisë u tregua i zgjuar?

LENARD KOHEN
Serbët në jug të Ibrit kanë qëndrimet e veta se çfarë duhet të bëjnë, respektivisht si t’i shtyjnë përpara interesat e tyre në Kosovë. Prandaj, është absolutisht legjitime që në një mjedis të tillë pluralist, çdo parti të vendosë në çfarë drejtimi do të shkojë, pavarësisht nga vendimet e të tjerëve. Në këtë pikëpamje, unë nuk shoh se ky është problem. Kuptohet, liberalët në një farë mase i ndihmuan Thaçit të formojë qeverinë.

EVROPA E LIRË
Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të fillojë në muajin mars. Ç’prisni nga këto bisedime?

LENARD KOHEN
Besoj se ky proces do të shkojë shumë ngadalë. Bisedimet u shtynë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, vitin tjetër mbahen zgjedhjet në Serbi, ndërsa fushata zgjedhore fillon në vjeshtë, gjë që nuk lë shumë mundësi për arritjen e ndonjë përparimi në këto bisedime.

Kuptohet, disa çështje praktike, si pranimi i targave dhe të ngjashme, do të jenë pjesa e lehtë e punës, por çështja më e rëndësishme dhe problemi i vetëm i vërtetë mbetet çështja e statusit të veriut të Kosovës. Ai do të jetë mollë sherri dhe sfidë e vërtetë e këtyre bisedimeve dhe kjo do të shihet sapo të zgjidhet paketa e çështjeve praktike.

Qeveria e Kosovës do të duhet të mendojë seriozisht për paradigmën e re të marrëdhënieve me Serbinë. Kuptohet, kjo do ta vështirësojë dialogun dhe unë nuk pres se kjo do të zgjidhet gjatë këtij viti.


EVROPA E LIRË
Prishtina insiston në dialogun vetëm për çështjet praktike, ndërsa Beogradi shpesh e përmend “pajtimin historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”. A mendoni se kjo semantikë është vello për të mbuluar ndarjen e Kosovës?

LENARD KOHEN
Mendoj se në Beograd gjithsesi që ka forca, të cilat ende janë të interesuara për ndarjen e Kosovës. Mirëpo, opsioni i tillë nuk vjen parasysh për bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, nëse ato do t’i bëjnë trysni qeverisë në këtë drejtim, atëherë mund të vijë te ngecja në bisedime.

Për momentin, nuk ka sinjale të tilla. Pra, ndarja e Kosovës nuk është në tryezë. Mendoj se të dyja palët në fund do ta kuptojnë dhe ta pranojnë se duhet të krijohet një situatë e re në veri të Kosovës, një lloj i zgjedhjes së autonomisë, e cila do të ofrojë më shumë sesa ka paraparë Plani i Ahtisarit.(v.p.)