Pacolli president, Thaçi kryeministër

Parlamenti i i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit

Pas tre raundeve të votimit me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Behxhet Pacollin president për mandatin pesëvjeçar. Ndërkaq, me 65 vota të deputetëve, Kuvendi miratoi edhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës të kryesuar nga Hashim Thaçi. Votimi për presidentin dhe Qeverinë u bojkotua nga opozita.


Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës zgjodhi presidentin dhe Qeverinë e re. Behxhet Pacolli mori mandatin pesëvjeçar në postin e presidentit, përderisa Qeveria e koalicionit PDK-AKR, Lista Ibrahim Rugova dhe pakicat e kryeministrit Hashim Thaçi, mori mandatin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Presidenti i ri, Pacolli, u betua se do të ruajë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës. Nga posti i presidentit, Pacolli tha se do të vazhdojë vizionin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Ai u zotua se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, duke garantuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Behxhet Pacolli

Do të punoj për ruajtjen e integritetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, për barazinë në mes të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike, si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë kosovarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore apo racore”, tha Pacolli.

Votimi, për presidentin dhe Qeverinë e re, është përcjellë me bojkotimin e opozitës. Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës lëshuan seancën duke e cilësuar Pacollin si një personalitet jo të denjë për president të Kosovës, kurse koalicionin e ri qeverisës si koalicion i interesave të liderëve të PDK-së dhe AKR-së.

Po ashtu, votimi nuk kaloi pa tensione as te partitë partnere, sidomos te Partia Demokratike e Kosovës.

Në dy raundet e para të votimit, nga 67 deputetët sa ishin të pranishëm, Pacolli mori 54, përkatësisht 58 vota. Këto vota nuk i mjaftonin atij që të zgjidhej president.

Atëherë, ndërhyri kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ky i fundit kërkoi pauzë, ndërsa votimi po vazhdonte.

“Grupi Parlamentar i PDK-së ka nevojë për një pauzë pesë minutëshe”,
tha Kuçi.

Kjo ndërhyrje, u cilësua nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si antikushtetuese, në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit dhe presion ndaj deputetëve për të votuar lirshëm.

Jakup Krasniqi

“Unë po i jap pesë minuta pauzë, por ta dini që kjo është shkelje e rezultatit, e Kushtetutës dhe e rregullores së punës së Kuvendit. Çdo ndryshim i rezultatit është i papranueshëm dhe është, thjesht, presion mbi deputetët”
, theksoi Krasniqi.

Pesë minutat e kërkuar nga Thaçi, zgjatën rreth 50 minuta pauzë, ku Thaçi mblodhi deputetët e PDK-së në një takim urgjent prapa dyerve të mbyllura.

Pas pauzës, pasoi votimi në rrethin e tretë, i cili rezultoi me zgjedhjen e Pacollit në postin e presidentit të Kosovës. Rezultati u lexua nga deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi:

“Në votim kanë marrë pjesë 67 deputetë. Për kanë votuar 62 deputetë. Kundër kanë votuar 4 deputetë dhe një fletëvotim është i pavlefshëm. Në bazë të rezultateve të votimit konstatohet se zotëri Behxhet Pacolli është zgjedhur president i Republikës së Kosovës”.

I pakënaqur me ndërhyrjet në procesin e votimit nga ana e partisë, së cilës i përket, kryeparlamentari Jakup Krasniqi përdori edhe ironinë pas shpalljes së rezultatit, që kësaj radhe dallonte nga dy raundet e para.

“Pauza ishte e suksesshme”,
u shpreh kryetari i Kuvendit.

Zgjedhja e presidentit u pasua me votimin e Qeverisë së re të kryeministrit Hashim Thaçi.

Qeveria e re u zgjodh me 65 vota për dhe një kundër. I rizgjedhuri në postin e kryeministrit, Hashim Thaçi, u zotua për një qeverisje të mirë, që do t’i sjellë Kosovës zhvillim ekonomik, demokratizim të brendshëm dhe perspektivë euroatlantike.

Hashim Thaçi

“Nëse mandati ynë i parë ishte shpallja e Kosovës shtet i pavarur e sovran, njohjet që arritën numrin 75, konsolidimi dhe forcimi i shtetit tonë, ne do të vazhdojmë tani me reformat e thella demokratike. Mandati i parë, pra, ishte mandati i pavarësisë, e mandati i dytë do të jetë mandati i Kosovës evropiane”,
deklaroi Thaçi.

Pas konstituimit të Kuvendit një ditë më herët, me zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë përmbyllet cikli i konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.



Kabineti qeveritar:


Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme;

Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve;

Ramë Buja, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë;

Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë;

Bajram Rexhepi,
ministër i Punëve të Brendshme;

Sasha Rashiq, ministër i Kthimit dhe Komuniteteve;

Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor;

Memli Krasniqi, ministër për Kulturë, Rini dhe Sport;

Fehmi Mujota, ministër për Infrastrukturë;

Radojica Tomiq, ministre e Pushtetit Lokal;

Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike;

Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë;

Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik;

Bedri Hamza, ministër i Financave;

Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë;

Agim Çeku, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës;

Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale;

Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.