Feith: Qeveria të ketë integritet moral

Pieter Feith

"Anëtarët e qeverisë së ardhshme, duhet të kenë integritetin më të lartë të mundshëm moral", ka thënë Pieter Feith, shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Feith, ju i keni bërë thirrje elitës politike në Kosovë të mos përfshijë emra që janë dënuar ose janë nën hetime në qeverinë e ardhshme. Sa mendoni se do të respektohet kjo thirrje e juaja, të cilën e kanë bërë edhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë?

PIETER FEITH
Duhet të shohim. Sikur që e kam thënë edhe më parë, formimi i qeverisë së Kosovës është çështje që i takon lidershipit politik të Kosovës. Nuk dua të përfshihem.

Unë gjithashtu e kam thënë edhe në kuptimin më pozitiv, se anëtarët e qeverisë së ardhshme, duhet të kenë integritetin më të lartë të mundshëm moral.

RADIO EVROPA E LIRË
A do ta shqyrtonit mundësinë e ndërhyrjes nëse kjo thirrje juaja nuk respektohet?

PIETER FEITH
Nuk do t’ju jap përgjigje përfundimtare mbi këtë çështje. Ajo çfarë do t’ju them është se situata për Kosovën nuk është shumë e lehtë aktualisht.

Kosova ka arritur shumë që nga pavarësia, por duhet të jemi të qartë gjithashtu se në gjashtë muajt e fundit ka pasur shumë kthime prapa. Dhe për këtë duhet të jemi realistë.

Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar goditje. Kosova vazhdon të jetë ende shumë e varur nga marrëdhëniet e afërta dhe konfidenciale me Brukselin dhe institucionet tjera donatore që ofrojnë mbështetje financiare dhe të tjera.

Prandaj, është më se e rëndësishme që ne ta ndihmojmë Kosovën të rifitojë kredibilitetin dhe imazhin e saj ndërkombëtar, për të mundësuar tërheqjen e investimeve, për t’u bërë vend atraktiv për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për t’u bërë partner atraktiv në kontekstin rajonal.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Feith, është thënë gjithashtu së dështimi për të përmbushur standardet ndërkombëtare gjatë votimeve të 12 dhjetorit, do ta bëjë më të vështirë për institucionet e ardhshme të dëshmojnë legjitimitetin. A do të pajtoheshit ju me këtë thënie?

PIETER FEITH
Siç kam thënë edhe më herët, zgjedhjet kanë qenë problematike, por njëkohësisht kanë qenë edhe të stërzgjatura, sepse morri kohë të gjatë organizimi i rivotimeve në disa komuna dhe tani, më në fund, kemi arritur deri tek certifikimi i rezultateve.

Në fakt, po të shikoni se ku janë shfaqur parregullsitë, shihni komuna të caktuara, por më duhet ta bëj të qartë se ka pasur edhe komuna tjera ku zgjedhjet nuk kanë ecur ashtu siç duhet.

Ajo çfarë dua të them është se nëse anëtarët e Kuvendit janë zgjedhur mbi bazën e kundërthënieve në komuna të caktuara, atëherë kjo nuk është e mirë sikur që është fakti të jesh zgjedhur mbi bazën e një procesi të njohur dhe të pastër zgjedhor.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri në formimin e institucioneve, Kosova vazhdon të funksionojë pa një buxhet të miratuar. Si e shihni ju këtë çështje?

PIETER FEITH
Kjo çështje bën pjesë në shqetësimet tona që kemi për stabilitetin afat-gjatë fiskal të Kosovës. Për shkak të një numri të vendimeve të kohëve të fundit, prospekti afat-gjatë nuk është aq i mirë siç ka qenë.

Tani jemi në pritje të konsultimeve të mëtutjeshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të parë se si rritjet e premtuara të pagave në sektorin publik mund të kompensohet me rritjen e tatimeve.

Gjithashtu, jemi duke shikuar mundësinë e një transaksioni të hershëm në privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës. Pra, janë çështje numrash dhe balansesh fiskale, të cilat duhet të trajtohen.

Në anën tjetër, siç e thatë edhe ju, ka edhe detyrime ligjore, pra buxheti duhet të miratohet nga Kuvendi. Këtë e shoh si një hap prioritar, të cilin duhet ta ndërmarrë Kuvendi i ri, për të miratuar një buxhet të qëndrueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilindo rast, sfidat janë të shumta. Në mesin e tyre është edhe çështja e bisedimeve të mundshme me Beogradin. Grupi Ndërkombëtar Drejtues shpreson për një dialog konstruktiv, por duke marrë parasyshë përvojën e deritashme, sa mendoni se është i mundshëm ai?

PIETER FEITH
Unë mendoj sigurisht se është i mundshëm, mendoj se edhe Prishtina edhe Beogradi janë sinqerisht të interesuara për një rezultat të suksesshëm të dialogut.

Ekziston një numër çështjesh që mund të diskutohen dhe të trajtohen me sukses. Dhe e gjithë kjo do të ishte në dobi të menjëhershme të qytetarëve. Pra, ne kërkojmë që ky dialog të prodhojë ndryshime konkrete në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se duhet të fillojnë këto bisedime?

PIETER FEITH
Mendoj se Bashkimi Evropian, në rolin mbështetës për këtë dialog, pret për të nisur punën në këtë drejtim posa të jetë formuar qeveria në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur diskutime në Kosovë se Prishtina nuk do të duhej të hynte në këto bisedime, teksa është e përndjekur nga raporti i miratuar i Këshillit të Evropës mbi dyshimet për trafikim organesh njerëzore, duke përmendur emra zyrtarësh të lartë të Kosovës në ndërlidhje me të. Si mendoni ju, a mund të bëjë Prishtina diçka më shumë?

PIETER FEITH
Sa për raportin e Martit, mendoj se gjëja më e mirë që autoritetet mund të bëjnë është që të jenë sa më të hapur dhe sa më konstruktiv që të jetë e mundshme.

Hetimet mbase do të nisin, por kjo do të varet edhe nga dëshmitë e mëtejme që duhet të ofrohen nga zoti Marti. Është e rëndësishme që ky proces të nis shpejt dhe që të arrihen konkludimet shpejt gjithashtu, në mënyrë që reja e dyshimeve të mos rrijë varyr mbi Kosovën.

Ajo çfarë kam thënë më herët dhe që do të doja ta përsëris është fakti se është çështje e përgjegjësisë individuale, prandaj nëse komandantët e UÇK-së gjatë periudhës së dhunës në vitet e 90’ta, kanë kryer krime, atëherë duhet të japin llogari.

Sa më shumë përgjegjësi individuale që adresohet, aq më pak do të ketë përgjegjësi kolektive për Kosovën, që do ta bënte ndryshe më të vështirë për ta tejkaluar skepticizmin mbi Kosovën si shtet dhe të paaftë për të joshur mbështetje ndërkombëtare pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Brenda pak ditësh, Kosova shënon trevjetorin e pavarësisë. Ju mbikqyrni zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës për Statusin, të njohur si plani i Ahtisarit. Ky plan ka hasur në kundërshtime në veri të Kosovës, pavarësisht strategjive të hartuara. Cilët janë hapat e ardhshëm?

PIETER FEITH
Hapat e ardhshëm do të përfshijnë vazhdimin e përpjekjeve tona për të fituar një mbështetje më të gjerë në veri për ndryshime demokratike, për të ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës dhe për të tentuar përmbushjen e vullnetit të komunitetit serb, për të vazhuar jetën tradicionale.

Konkretisht, do të donim të shihnim EULEX-in të shtojë përpjekjet për sforcimin e sundimit të ligjit, do të donim të shihnim rifillimin e tatimeve doganore, të funksionalizohet gjykata dhe do të donim gjithashtu të shihnim që administrata e Kombeve të Bashkuara atje, në një kohë të caktuar, të zëvendësohet nga një lidership legjitim dhe i zgjedhur, për një komunë të re të quajtur Mitrovica e Veriut.

Si do të bëhet e gjithë kjo? Në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe është përpjekje e cila do të mund të ndihmohet nëpërmjet dialogut dhe duhet realizuar në korniza autonome, kjo do të thotë se EULEX-i duhet të marrë vendimet e duhura; më shumë fonde për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike atje; do të përpiqemi të shohim mundësitë e shërbimeve për qytetarët; do të përpiqemi të ofrojmë më shumë informacione mbi synimet tona, të cilat janë positive dhe të cilat duhet parë në kontekstin e perspektivës evropiane që Kosova e Serbia e kanë.

Në këtë mënyrë, shpresojmë të fitojmë besimin e qytetarëve në veri. Nuk po flasim për integrimin, por për t’ua dhënë qytetarëve në veri ndjenjën se jemi të vëmendshëm ndaj nevojave të tyre, se qeveria bashkëndjen me kërkesat e tyre dhe se ata janë pjesë e shtetit shumëkombësh të quajtur Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund do të doja të shtroja çështjen e ngritur nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues mbi reduktimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Ka ardhur fundi i pavarësisë së mbikqyrur apo mendoni se Kosova ka ende nevojë për mbikqyrje?

PITER FEITH
Është pjesë e një procesi që do të çojë në fund. Por, nuk do t’ju jap datën. Qartazi, mendojmë se organizata jonë e ka zbatuar me sukses një pjesë të madhe të planit të Ahtisaarit. Prandaj, mendojmë se jemi të gatshëm të përshtatemi në kuptimin e strukturës dhe madhësisë, për t’u marrë me çështjet e mbetura që ende duhet të përmbushen.

Do ta keni parë në deklaratën e Grupit Ndërkombëtar Drejtues se detyrimet që kanë mbetur kanë të bëjnë kryesisht me veriun. Pra, po, do të zvogëlohemi, por data e mbylljes është ende çështje e hapur.