Bisedimet Kosovë-Serbi, si shtete sovrane

  • Augustin Palokaj

Flamuri i Kosovës

Grupi Ndërkombëtar për Kosovën ka përsëritur mbështetjen për integritetin territorial të Kosovës dhe nevojën për institucione kompetente.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ka përfunduar takimin në Bruksel, derisa në deklaratën përfundimtare të takimit, i kanë uruar Kosovës trevjetorin e pavarësisë, kanë rikonfirmuar mbështetjen e plotë për një Kosovë demokratike e multietnike brenda kufijve të saj, si dhe iu është bërë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta marrin këtë hap.

Në takim është shprehur bindja se Kosova pas zgjedhjeve do ta formojë shpejt qeverinë dhe do të zgjedhë edhe presidentin e vendit. Është theksuar se është shumë e rëndësishme që qeveria e re të jetë operacionale, kompetente dhe e besueshme.

Në deklaratën në fund të takimit mbështetet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas të njëjtave burime, ky dialog duhet të jetë i sinqertë, konstruktiv dhe dialog mes dy shteteve të pavarura e sovrane, që kërkojnë zgjidhje të çështjeve konkrete, në të mirë të njerëzve të të dyja vendeve.

Në takimin e GDN-së në Bruksel është diskutuar dhe për situatën aktuale në Kosovë dhe pritjet ndaj Kosovës në të ardhmen, përfshirë institucionet kosovare dhe ndërkombëtare. Në emër të Kosovës, në takim ka folur dhe ushtruesja e detyrës së ministres së Jashtme, Vlora Çitaku.

Në darkën e punës ka folur dhe publicisti Veton Surroi. Ai ka thënë se Kosova rrezikon të bëhet shtet i dështuar, pasi vendi gjendet në udhëkryq.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë që nga ky udhëkryq të shkohet drejt forcimit të shtetit, ka theksuar Surroi. Në rast të dështimit, përgjegjësi mban dhe Bashkimi Evropian, i cili, sipas Surroit, ende nuk i ka dhënë Kosovës një perspektivë të qartë të integrimit evropian.

Piter Feith, përfaqësues civil ndërkombëtar, ka marrë mbështetjen për mandatin e tij, ndërkohë që përfaqësuesit e vendeve të ndryshme në GDN janë shprehur në favor të funksionimit të kësaj zyre, pavarësisht zvogëlimit në njerëz dhe burime.

GDN-ja pret propozime nga BE-ja, që konform pranisë së Unionit në Kosovë të bëhet dhe përshtatja e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Megjithatë, është bërë e qartë se ekzistenca e një zyre të tillë ndihmon në zbatimin e Pakos Ahtisari.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi është bërë e qartë se ky dialog nuk do të përfshijë statusin e Kosovës dhe as ndarjen e saj.