A ka ngritje çmimesh të barnave?

Fotografi ilustruese

Në disa barnatore të qytetit janë ngritur çmimet e barnave. Pacientët mendojnë se edhe pa ngritjen e fundit të çmimeve ato kanë qenë të shtrenjta. Në anën tjetër, farmacistët thonë se këto ngritje kanë ardhur si pasojë e TVSH-së së lartë.


Ngritjes së çmimeve të artikujve ditët e fundit nuk i kanë shpëtuar as barnat. Qytetarët mendojnë se edhe pa ngritjen e fundit të çmimeve të barnave, kanë qenë të larta për xhepin e pacientëve.

Shqipe Abazi, qytetare, mendon se dallojnë shumë çmimet nga barnatorja në barnatore, por, sipas saj, kryesisht çmimet e barnave janë të larta.

”Diku janë më shtrenjtë, e diku më lirë. Me standardin që e kemi në Kosovë, janë shumë shtrenjtë. Unë zakonisht i kërkoj ku janë më lirë
”, tregon Abazi.

Hyrmet Nebiu, farmacist në sektorin privat, thotë se kanë lëvizur çmimet e disa barnave, duke shtuar se këtë rritje farmacitë private e kanë bërë si rezultat i ngritjes së TVSH-së.

”Sa i përket çmimeve, aty-këtu ka ndryshime, e kjo ndodh për shkak të TVSH-së. Nuk janë të përfshira të gjitha në TVSH, por ato që janë të përfshira, janë shtrenjtuar. Ka ankesa nga pacientët, sepse për xhepin e kosovarëve çmimet janë shumë të larta
”, thotë Nebiu.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në sektorin publik nuk ka ndonjë indikacion për ngritje çmimesh, derisa nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së çmimeve në sektorit privat.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në këtë ministri, thotë se kontratat që janë nënshkruar ndërmjet Ministrinë së Shëndetësisë dhe operatorëve të ndryshëm ekonomikë, do t’i sjellin produktet farmaceutike me ato çmime që janë kontraktuar, pavarësisht lëvizjes së çmimeve në tregun e lirë.

”Nuk përjashtohet mundësia të lëvizin çmimet, e që do të ishte e dëmshme për pacientët, sidomos tani duke e marrë parasysh gjendjen sociale të popullatës në Kosovë”,
deklaron Hoti.

Zoti Hoti shton se për kontratat e reja që do të nënshkruhen, do të negociohet për çmime, derisa ministria është e interesuar ta sigurojë gjithherë çmimin më të ulët.

Ndërkaq ,Gyner Maksuti, farmacist në sektorin publik, thotë se çmimet i barnave në barnatoren ku ai punon, ende nuk kanë ndryshuar.

”Për barnat, të cilat i kemi tani, me furnizim të ri, ende nuk ka ndryshim të çmimeve, domethënë çmimet mbesin ato që kanë qenë edhe më parë”
, tregon Maksuti.

Sidoqoftë, pacientëve u mbetet të shëtisin nëpër barnatoret e qytetit, për të kërkuar çmime më të lira të barnave, pasi që ato dallojnë, varësisht në cilën barnatore blihen.

Ndërsa, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky institucion nuk ka ndonjë kontroll mbi tregun e lirë, andaj edhe ndodhin ndryshimet në çmime.