Bisedimet Kosovë-Serbi në mars?

Selia e BE-së në Bruksel

Bashkimi Evropian pret që Qeveria e re e Kosovës të formohet deri më 17 shkurt, datë që përkon me trevjetorin e pavarësisë, derisa bisedimet me Serbinë pritet të fillojnë menjëherë pas krijimit të institucioneve të reja. Deklarata është bërë për mediat serbe nga diplomati britanik, Robert Kuper.

Beogradi pret që bisedimet të fillojnë në muajin mars.

Sipas të njëjtave burime, po përmbyllen përgatitjet e fundit për mënyrën se si do të zhvillohet dialogu. Është përcaktuar metoda e negociatave dhe çdo zgjidhje e arritur do të zbatohet menjëherë në terren.

Sipas ekspertëve, kjo mënyrë negocimi do të pengojë planet e Beogradit që të arrijë zgjidhje të favorshme, që lidhen me statusin në zonat me shumicë serbe.

Mediat serbe u referohen burimeve diplomatike në Prishtinë, sipas të cilave Kuper është takuar me përfaqësuesit dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it, ku ka diskutuar nevojën e një dialogu të shpejtë.

Mësohet se në takime nuk ka qenë i ftuar Piter Feith, përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë. Kuper pritet të jetë ndërmjetësi kryesor në bisedime dhe do të përfaqësojë shefen e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.

Oliver Ivanoviq, sekretar shteti për Kosovën në Qeverinë serbe, pret që dialogu të nisë në mars. “Takimi i parë mund të pritet në muajin mars. Do të jetë një takim i panagarkuar me çështjet e vështira”, theksoi Ivanoviq. (v.t.)