Përkeqësohet gjendja në Egjipt

Protestuesit në Kajro, 30 janar 2011

Kaosi në Egjipt vazhdoi edhe të dielën, ku mijëra protestues u tubuan në qendër të Kajros në ditën e gjashtë të protestave, duke bërë thirrje për përmbysjen e sundimit 30-vjeçar të presidentit Hosni Mubarak.

Protestat pasuan natën e plaçkitjeve, pasi policia u largua nga rrugët, duke i detyruar banorët që t’i vetëmbrojnë lagjet dhe bizneset.

Forcat e armatës janë shpërndarë për t’i mbrojtur disa objekte të rëndësishme si bankat dhe Ministrinë e Brendshme.

Shefi i Inteligjencës, Omar Sulejman, bën betimin si nënpresident,29 janar 2011

E diela është zakonisht ditë pune në Egjiptin me 80 milionë banorë, por bankat dhe shkollat mbetën të mbyllura pas ngjarjeve të dhunshme që kanë marrë jetën e të paktën 100 njerëzve dhe kanë lënë më shumë se një mijë të plagosur. Trazirat janë përhapur edhe në qytetet tjera të mëdha. Të shtunën, në Aleksandri, policia u përlesh me protestuesit.

Plaçkitja dhe dhuna u përhap shpejt në gjithë vendin, duke i lënë egjiptianët e zakonshëm në mes të shpresës për ndryshime demokratike dhe frikës nga kaosi social. Protestat e së dielës në Kajro i pasuan plaçkitjet dhe vandalizmin e mbrëmshëm në kryeqytet dhe qytetet tjera.

Turmat iu vërsulën supermarketeve, bankave dhe dyqaneve të bizhuterive. Hajdutët dëmtuan dy mumie të lashta në Muzeun e Egjiptit. Mijëra të burgosur raportohet se janë arratisur nga burgu në mbarë vendin, pasi kishin ndezur zjarre dhe ishin përplasur me rojet e burgjeve.

Spiralja e dhunës në Egjipt, e cila ndodhi pas trazirave të ngjashme publike në Tunizi dhe Jemen, ka ngritur shqetësime te vendet fqinje dhe bashkësia ndërkombëtare.

Autoritetet palestineze i kanë mbyllur vendkalimet kufitare me Egjiptin, ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se po i ndjek zhvillimet “me kujdes”, me synim të ruajtjes së “stabilitetit dhe sigurisë në rajon”.

Një nga parullat e protestuesve anti-qeveritarë...

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun, bëri thirrje për “përmbajtje” dhe u shpreh kundër dhunës në Egjipt. Ai ftoi udhëheqësit politikë të botës që të nxjerrin mësime nga ngjarjet në këtë vend.

“Në mbarë botën, liderët duhet t’i dëgjojnë më me kujdes zërat e njerëzve, aspiratat e tyre, sfidat dhe shpresat për të ardhmen më të mirë”,
tha Ban.

Në Egjipt, pushteti 30-vjeçar i Mubarakut duket sikur po rrëshqet, teksa ai përpiqet ta ruajë kontrollin në vend.

Të shtunën, Qeveria dha dorëheqje formale, disa orë pasi u shpërbë nga Mubaraku.

82-vjeçari i zgjodhi dy ushtarakë që t’i ndihmojnë t’i mbijetojë turbullirat, shefin e inteligjencës Omar Sulejman për nënpresident, dhe ministrin e Aviacionit, Ahmed Shafik, për kryeministër. Të dy këta e bënë betimin, por ndryshimet në qeveri mezi që u vërejtën në rrugët e Kajros dhe të qyteteve tjera.

Fuad Axhami, profesor i studimeve mbi Lindjen e Mesme në Universitetin Xhon Hopkins, i tha rrjetit televiziv CNN se ai beson se është vetëm çështje kohe largimi i Mubarakut nga pushteti.

“Mendoj se duhet të kuptojmë se shtëpia e Mubarakut është shembur. Ne mund të flasim më vonë për vetë regjimin, por shtëpia e tij u shemb, bashkë me diktatorin, gruan dhe djalin e tij, i cili bëhej gati ta trashëgojë. Mendoj se përfundimisht shtëpia e Mubarakut mori fund si forcë politike në Egjipt. Largimi i tij është e vetmja gjë që ka mbetur”
, vlerësoi Axhami.

Ngjarjet në Egjipt duket sikur dërguan valë dridhëse në mbarë rajonin arab, i cili tashmë po e merr veten nga trazirat në Tunizi dhe Jemen.

Xhamal Kashogi është drejtor i përgjithshëm i kanalit televiziv arab Al Ualid.

Është ndikim i madh. Është aq i madh sa që do të ketë ndikim në gjithë botën arabe. Jehona është po aq e madhe sa revolucioni në Egjiptit në korrik të vitit 1952, i cili pati ndikim të gjerë”, thotë Kashogi.(v.p.)