Huper: Kosova të dëshmojë se s’është shtet i dështuar

Xhejms Huper

Nëpërmjet institucioneve efektive, Kosova të dëshmojë se po ecën përpara, thotë ish-diplomati amerikan, Xhejms Huper, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huper, Këshilli i Evropës ka miratuar një rezolutë, duke bërë thirrje për hetime vendore dhe ndërkombëtare mbi akuzat për trafikim organesh nga disa ish-pjesëtarë të lartë të UÇK-së. Ç’do të thotë kjo për Kosovën?

XHEJMS HUPER
Kjo nënkupton se është edhe më e rëndësishme seç mund të ketë qenë më parë që qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë e respektueshme ndërkombëtarisht. Rezoluta nënkupton se ka dyshime të konsiderueshme mbi këto akuza dhe njerëzit duan që këto akuza të hetohen.

Kjo do të thotë se Kosova ka humbur pozicionin ndërkombëtar. Këto akuza e kanë dëmtuar shumë reputacionin e Kosovës. E kuptoj që në mesin e kosovarëve ka zemërim për këtë çështje dhe njerëzit vendosmërisht besojnë se akuzat nuk janë të vërteta.

Por, e gjitha që them unë është se nëse shkoni jashtë Kosovës dhe shikoni se çfarë janë qasjet në Evropë, ato dallojnë shumë nga qasjet këtu, në Kosovë. Pritjet janë që këto akuza të hetohen dhe trajtohen në mënyrën e duhur.

Në Shtetet e Bashkuara kjo nuk është shumë çështje e madhe, njerëzit janë të vetëdijshëm mbi akuzat, por ka pasur jashtëzakonisht pak artikuj në gazetat amerikane dhe pjesa më e madhe e popullit amerikan nuk e di madje se kjo çështje fare ekziston.
Pra, nuk është çështje në Shtetet e Bashkuara, ndonëse Qeveria amerikane është e njohur me të, natyrisht. E gjithë kjo çështje është më shumë evropiane. Kosova është shtet evropian dhe duhet të kuptojë se ka nevojë për një qeveri, e cila është e respektueshme ndërkombëtarisht, në mënyrë që të rindërtohet reputacioni dhe pozicioni që ka pasur, posaçërisht në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët qeverinë e respektueshme…Që nga 2 nëntori, Kosova është me qeveri në dorëheqje, parlament të shpërbërë dhe ushtrues detyre të presidentit. Sa urgjent mendoni se është, në fakt, krijimi i institucioneve?

XHEJMS HUPER
Qartazi, ka nevojë të bëhet më shumë punë për institucionet e Kosovës. Unë do të thosha se raporti i Martit, sikundër edhe raportet për manipulim votash gjatë zgjedhjeve të dhjetorit, kanë filluar të krijojnë përshtypjen se Kosova është në rrugë e sipër për t’u bërë shtet i dështuar. Ky është problemi.

Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme për qeverinë e re të punojë jashtëzakonisht shpejt, posa të formohet, të ecë me vendosmëri dhe shpejtësi përpara, për të dëshmuar se mund të merret me problemet e shtetit.

Nuk mund të ketë më vetëm diskutime e takime, duhet të ketë veprime vendimtare. Në të kundërtën, ajo që mund të ndodhë në këso lloj situatash, është fakti se përshtypja për Kosovën si shtet i dështuar, do të thellohet dhe forcohet.

Prandaj, Kosova duhet të dëshmojë, nëpërmjet institucioneve që ka, efektivitetin e këtyre institucioneve dhe veprimet e tyre – posaçërisht veprimet – se nuk është shtet i dështuar, se po ecën përpara dhe po bëhet gjithnjë e më i integruar në komunitetin evropian.

Për këtë, janë të nevojshme institucione që funksionojnë në mënyrë efektive.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, sfida e krijimit të institucioneve është vetëm fillimi, duke qenë se edhe shumë sfida të tjera mbeten për qeverinë e ardhshme. Këtu përfshihen edhe bisedimet e mundshme mbi çështjet teknike me Serbinë. Besoni se këto bisedime do të sjellin rezultate, gjykuar nga përvoja e deritashme?

XHEJMS HUPER
Besoj se këto bisedime mund të sjellin rezultate dhe besoj se do të sjellin rezultate. Për fat të keq, ato mund të mos jenë rezultate që do t’i pëlqejnë Kosovës apo që do të jenë në interesin më të mirë të saj.

Parashikimi im është se këto bisedime do të prodhojnë rezultate, që do të jenë të mirëpritura në Beograd dhe mbase edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë nxitur këto bisedime.

Unë jam sinqerisht shumë skeptik se këto bisedime do të sjellin rezultate, që do të ishin në interesin më të mirë të Kosovës. Kjo do të jetë një çështje problematike. Mendoj se këto bisedime do të jenë problematike për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndonëse të pagëzuara si bisedime teknike, shumë vëzhgues kanë thënë se veriu i Kosovës nuk do të mund të shmanget. Kur thoni se rezultatet mund të mos i pëlqejnë Kosovës, mendoni në veriun?
XHEJMS HUPER
Po. Mua më duket shumë e qartë se minimumi për çka Bashkimi Evropian është shumë i hapur, është për idenë që veriu të ecë në drejtim të Serbisë, që kontrolli që ushtron Serbia mbi veriun, të finalizohet. Dhe, ky është rreziku në këtë rrafsh.

Kosova ka nevojë për një qeveri, e cila është e mprehtë në diplomaci, e cila kupton se si duhet mbrojtur interesat e shtetit dhe kjo nuk do të jetë fare e lehtë.

Një nga gjërat, për të cilat personalisht do të bëja thirrje, është që kosovarët së paku të insistojnë që nëse do të ketë bisedime, Beogradi ta bëjë të qartë se është i gatshëm ta pranojë Kosovën si anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të sigurojë që Rusia dhe Kina të mos e vënë veton e tyre mbi këtë çështje.

Insistimi i dytë i Kosovës duhet të jetë për liberalizimin e vizave. Nëse evropianët nuk janë të gatshëm madje as të marrin në shqyrtim mundësinë e liberalizimit të vizave si pjesë të këtyre bisedimeve dhe Serbia nuk është e gatshme të marrë në shqyrtim hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por ndërkohë synon ta mbajë veriun, atëherë cili është qëllimi i këtyre bisedimeve?!

Ky do të jetë një rrezik për Kosovën. Ajo duhet t’i mbrojë interesat e saj dhe duhet t’i caktojë vetë kushtet për këto bisedime, sikurse edhe synimet e veta. Në të kundërtën, mund të përfundojë duke humbur territor dhe të mos përfitojë asgjë nga kjo.

Për këtë shtet, një gjë e këtillë do të ishte shumë e rrezikshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka rrezik nga “Kutia e Pandoras” nëse një përshtatje e këtillë kufjsh jetësohet?

XHEJMS HUPER
Mendoj se ka rrezik të konsiderueshëm, është përgjithësisht një çështje shumë kundërthënëse. Është çështje shumë e vështirë për t’u marrë me të.

Dhe, nëse populli kosovar ndjen se një zgjidhje i është imponuar, duke qenë në favor të interesave të Beogradit dhe e imponuar nga Bashkimi Evropian, atëherë do të hapen shumë çështje me potenciale destabilizimi.

Prandaj, po e them, Kosova ka nevojë për një qeveri të mprehtë, njerëzit e së cilës do të dinë se si t’i mbrojnë në aspektin diplomatik interesat e shtetit.