Përse diplomacia serbe sërish kërcënon BE-në?

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synimi kryesor i Serbisë, por nëse Brukseli vë kushtin anëtarësimi në BE ose Kosova, kjo do të kishte efekte shkatërruese për stabilitetin e Ballkanit, do të bllokonte procesin paqësor në rajon dhe situata në Ballkan do të destabilizohej.

Këto janë pohime të ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, të thëna në intervistën për revistën austriake “Profil”.

Nuk kanë kaluar as 6 muaj që kur diplomacia serbe bashkë me Brukselin hartoi rezolutën e Kombeve të Bashkuara, duke i’u rikthyer kështu prioritetit kryesor - integrimeve evropiane të vendit - ndërsa shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, sërish u kthehet toneve kërcënuese në mesazhet që i dërgon BE-së.

Kjo është e habitshme edhe për faktin që Parlamenti Evropian, para disa ditësh, ka miratuar rezolutë për Serbinë dhe ka ratifikuar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, duke ftuar vendet që këtë nuk e kanë bërë, ta bëjnë sa më parë.

Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë nuk janë në gjendje të shpjegojnë se çfarë e ka shtyrë, në këto rrethana më të volitshme për Beogradin, ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiq, të rikthejë retorikën e ashpër ndaj Brukselit.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, në këtë dilemë përgjigjet:

“Nuk kam çfarë të komentoj. Unë jam i angazhuar për procesin e euro-integrimeve dhe jo për largimin eventual të Serbisë nga Evropa. Serbinë askush s’e ka vënë para një dileme të tillë”.

“Mendoj se Serbia ka perspektivë të qartë dhe rrjedhimisht nuk e kuptoj këtë qëndrim”,
thotë Kacin.

Vojin Dimitrijeviq, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, thotë se nuk ka vend për fjalor dramatik që është përdorur nga Jeremiq.

Nëse është dhënë pajtimi që të jepen përgjigje në pyetje hipotetike, atëherë duhet shmangur këtë fjalor që shumë u ngjan fjalimeve nëse do të ketë konflikte të armatosura”.

“Duhet kuptuar se Serbia është një vend që nuk mund të sillet si lider i të painkuadruarve ose si një vend i rëndësisë së jashtëzakonshme mbi potencialet ekonomike dhe të tjera. Rrjedhimisht, këtë lloj oratorie duhet braktisur”,
pohon Dimitrijeviq.

Vatroslav Vekariq, anëtar i Këshillit për Politikë të Jashtme në Ministrinë e Jashtme, thotë se mesazhet e Jeremiqit, të artikuluara me retorikë radikale dhe kërcënuese, nuk janë provokuar me asgjë dhe nuk do të kenë jehonë pozitive në Bashkimin Evropian.

“Kjo retorikë e Jeremiqit tingëllon e çuditshme. Pas kthesës së bërë në shtator, përkatësisht paralajmërimit të një politike më racionale, sërish kthehen terme të vjetra, fjalori dhe qasja e vjetër. Fjalët e mëdha ‘destabilizimi i Ballkanit’ dhe të ngjashme i kemi dëgjuar në kohëra të kaluara”.

“Mendoj se kjo tash sërish tingëllon si diç kërcënuese. Kjo nuk është retorikë e mirë, ndërsa si qasje mund të sjellë efekte negative”,
pohon Vekariq.

I pyetur nëse presidenti Tadiq duhet të qëndrojë pas këtyre deklaratave ose duhet t’i hedhë poshtë, Vatroslav Vekariq thotë:

“Mendoj se presidenti i Republikës duhet të japë një shpjegim. Derisa nuk deklarohet, nuk mund të interpretohet ndryshe, pos që qëndron pas deklarimeve të tilla”.