“Arsyeja kryesore që mundësoi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, ishte e ashtuquajtura "besa" - kodi shqiptar i nderit. Shumica u shpëtuan për shkak të kësaj. Me fjalë të tjera, njerëzit strehonin dhe fshihnin refugjatët - shumë shpesh ata ishin njerëz që nuk i njihnin, por ata e bënin këtë për shkak se njerëzit ishin në rrezik dhe për shkak se donin ta bënin”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i psikologjisë nga Izraeli – ligjërues edhe në Universitetin e Prishtinës, Rabin Moshe Landsman.
RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Landsman, 27 janari shënon 65-vjetorin e viktimave të Holokaustit. A mund të ktheheni pak prapa në histori për të na dhënë informatat që keni mbi jetën e hebrenjve në Shqipëri e Kosovë në atë kohë?
MOSHE LANDSMAN
Nuk ka qenë e lehtë të jetosh askund, as si hebre e as si jo-hebre. Okupimi ishte shumë i keq. Ka pasur, natyrisht, partizanë të nëntokës në zonën e Kosovës. Shumica e lidhjeve ishin me Titon dhe në Shqipëri me Enver Hoxhën.
Nazistët synonin të fitonin përkrahjen e Shqipërisë duke ia marrë Kosovën Serbisë për t’ia dhënë Shqipërisë, edhe pse Kosova nuk ishte pjesë e Shqipërisë, por si një lloj aneksi i saj. Kushtet për hebrenjtë në Shqipëri dallonin shumë nga ato të hebrenjve në Kosovë. Ashtu siç ndoshta e dini, hebrenjtë që gjendeshin në Shqipëri shpëtuan qind për qind.
Ka pasur shumë hebrenj që janë fshehur nga shqiptarët atëkohë - ndoshta shumë më tepër sesa kemi qenë në gjendje t’i dokumentojmë. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë ku ka pasur më shumë hebrenj në fund të luftës, sesa që kishte në fillim. Në fillim të luftës kishte rreth 150, ndërsa në fund të luftës ishin rreth 750, që do të thotë se shqiptarët i kanë strehuar dhe fshehur edhe refugjatët hebrenj.
Mendoj se dallimi kryesor ndërmjet asaj që ka ndodhur në Shqipëri dhe asaj që ka ndodhur në Kosovë ishte se qeveria e Shqipërisë refuzonte t’u jepte nazistëve listën e emrave të hebrenjve që jetonin në Shqipëri, derisa në Kosovë ata kishin një listë të tillë. Për fatin e hebrenjve në atë zonë, Shqipëria fillimisht ishte e okupuar nga Italia dhe vetëm në vitet e fundit u okupua nga Gjermania.
Shumica e hebrenjve në Kosovë, por jo të gjithë, u shpëtuan. Siç e dini, ka pasur disa familje këtu që njihen për shpëtimin e familjeve hebreje. Një nga këto ishte ajo e Pasha Rezniqit, të cilin e kam takuar disa herë, njoh familjen e tij dhe stërmbesa e tij ishte studente e imja. Ajo mbaroi studimet master në psikologji jo shumë kohë më parë. Rezniqi nisi me shpëtimin e një miku të tij dhe kur pa se si ishte situata, ai themeloi një shtëpi strehuese për hebrenjtë, përmes së cilës ai mundësoi transferimin e tyre për në Shqipëri ku kishte më shumë siguri.
Arsyeja kryesore që mundësoi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri ishte e ashtuquajtura “besa” - kodi shqiptar i nderit. Ekziston një tregim mbi një fshat në lindje të Shqipërisë që udhëhiqej nga partizanët gjatë luftës; të gjithë hebrenjtë që fshiheshin aty, dolën nga vendet e fshehta dhe çdokush e dinte se ata po fshiheshin.
Pas pak ditësh, nazistët sulmuan fshatin, por asnjëri nuk iu dorëzua nazistëve. Kjo për shkak të idesë që, kur një person është mysafir në Shqipëri, atëherë Kanuni kërkon që të mbrohet mysafiri, qoftë edhe me jetë. Edhe pse disa njerëz thonë që Kanuni sot nuk respektohet shumë, gjatë luftës ai ka qenë një tipar i fuqishëm i vlerave të kombit shqiptar.
RADIO EVROPA E LIRË
Pra, mendoni se "besa" e shqiptarëve ua ka shpëtuar jetën hebrenjve?
MOSHE LANDSMAN
Me sa duket po. Shumica u shpëtuan për shkak të kësaj. Me fjalë të tjera, njerëzit strehonin dhe fshihnin refugjatët - shumë shpesh ata ishin njerëz që nuk i njihnin, por ata e bënin këtë për shkak se njerëzit ishin në rrezik dhe për shkak se donin ta bënin.
Shumë njerëz, natyrisht, se fshihnin miqtë e tyre. Kjo flet edhe për gjendjen e hebrenjve në Shqipëri: ata ishin shumë mirë të integruar në bashkësinë shqiptare, flisnin shqip dhe kishin lidhje shumë të forta biznesi dhe personale me shqiptarë të tjerë.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa keni njohuri për situatën aktuale të komunitetit hebrenj në këto dy shtete?
MOSHE LANDSMAN
Më 1991 më duket, udhëheqësi i komunitetit hebre në Shqipëri tërhoqi pothuaj të gjithë hebrenjtë në Izrael - ishin rreth 200 nga ata që lëshuan Shqipërinë dhe u zhvendosën në Izrael. Ky komunitet ende jeton në dy apo tri vende në Izrael. Ka ende aty-këtu disa hebrenj që jetojnë në Shqipëri, por ata janë të paktë dhe shumica e tyre janë të martuar me shqiptarë. Takova një kur isha në Preshevë - një femër nga Tirana, e cila po bënte doktoraturën.
Hebrenjtë nga Kosova - shumica e tyre nga Prishtina, Deçani dhe nga veriu, flisnin serbisht dhe u larguan gjatë luftës, më 1999. Ekziston një grup prej rreth 45 familjesh që jeton në Prizren, e që ende jetojnë si një bashkësi. Mirëpo ka shumë martesa, disa nga kolegët e mi kanë studentë që janë të martuar me pjesëtarë të kësaj bashkësie. Pra, ata ekzistojnë edhe sot.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, profesor, Izraeli ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nëse i marrim parasysh marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e hebrenjve, për të cilat rrëfeni ju, si e vlerësoni këtë çështje?
MOSHE LANDSMAN
Kam përshtypjen se ka një simpati për çështjen e Kosovës në Izrael. Qeveria mendoj se ka marrë një vendim të gabueshëm, ashtu siç ka marrë shumë vendime të tjera – pra, ky nuk është i vetmi ku kanë gabuar. Ata kanë frikë se do të akuzohen për një trajtim të dyfishtë - në njërën anë, në mbështetje të shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe, në anën tjetër, në mbajtjen e territoreve konkrete duke iu dhënë palestinezëve shtetin e tyre. Mendoj se është një nga kurthet politike të trullosura dhe idiotësie, në të cilën ata e fusin veten nganjëherë. Mendoj se është turp për Izraelin që të mos e njohë Kosovën.